Serbi, ndalohet Milan Radoiçiq, drejtuesi i sulmit terrorist në veri të Kosovës

Serbi, ndalohet Milan Radoiçiq, drejtuesi i sulmit terrorist në veri të Kosovës

14:47, 03/10/2023
A+ Aa A-

Mediat në Serbi njoftuan mesditën e së martës se ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq është ndaluar nga Drejtoria e Policisë Kriminale dhe i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

“Policët e Drejtorisë së Policisë Kriminale kanë bastisur banesën dhe objektet tjera të Milan Radoiçiqit, i cili është ndaluar deri në 48 orë”, njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë, sipas Danas.

Radoiçiq është dërguar në Prokurorinë e Lartë Publike në Beograd me kallëzim penal.

Ai pranoi publikisht se ka marrë pjesë në organizimin e një grupi që mori pjesë në një konflikt të armatosur me Policinë e Kosovës në Banjskë në veri të Kosovës, gjatë të cilit u vra një pjesëtar i Policisë së Kosovës me kombësi shqiptare dhe tre serbë, si dhe disa persona u plagosën."

Një tjetër media serbe, Blic, sqaron se "më 30 shtator, ish-nënkryetari i Listës Serbe shkoi në Polici ku siç raportohet i është përgjigjur ftesës së autoriteteve shtetërore të Republikës së Serbisë. "I shoqëruar nga avokati i tij, ka hyrë në ambientet e Ministrisë së Punëve të Brendshme, për të deklaruar si shtetas për rrethanat e ngjarjes tragjike në qytetin e Banjskës, mëngjesin e hershëm të së dielës, datë 24 shtator 2023". 

Tanjug po ashtu jep njoftimin: Milan Radoiçiq është ndaluar nga policia për 48 orë.

"Policët e Drejtorisë së Policisë Kriminale kanë kontrolluar sot banesën dhe ambientet e tjera të Milan Radoiçiqit, i cili është urdhëruar të mbahet nga policia deri në 48 orë. Ai është dërguar në Prokurorinë e Lartë Publike në Beograd me kallëzim penal, thuhet në njoftimin e MPB-së.

Më 30 shtator, Radoiçiq iu përgjigj ftesës së autoriteteve shtetërore të Republikës së Serbisë dhe në cilësinë e tij si qytetar dha deklaratë në Ministrinë e Punëve të Brendshme për ngjarjet në Banjskë, më 24 shtator, në veri të Kosovës dhe Metohisë, ku u vranë tre serbë vendas dhe një pjesëtar i të ashtuquajturës Polici e Kosovës."/ar.sh/SYRI.NET

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco