Lajmi i fundit

LIVE/ Anëtarët e Komisionit Hetimor të Shëndetësisë, deklaratë për mediat

Policia e Kosovës vazhdon hetimet në Banjskë

Policia e Kosovës vazhdon hetimet në Banjskë

13:05, 03/10/2023
A+ Aa A-

Policia e Kosovës është ende duke kryer hetime në zonën malore të Banjskës, ku më 24 shtator janë sulmuar pjesëtarë të këtij institucioni. Si pasojë e sulmeve është vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku. Gjatë përleshjeve me policinë janë vrarë edhe tre sulmues.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Veton Elshani, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se në operacionin e së martës, Policia, përfshirë njësitin special, është në kërkim të armëve. Megjithatë, ai ka njoftuar se kontrollet e shtëpive në atë zonë nuk janë pjesë e operacionit.

“Sapo i kemi tërhequr njësitet speciale nga Banjska, do të thotë niveli i rrezikut ulet, por na duheshin më shumë njerëz. Nuk është e pazakontë. Po mundohemi ta çojmë aksionin deri në fund, por varet nëse do të gjendet diçka”, ka thënë Elshani për Radion Evropa e Lirë.

Policia e Kosovës ka gjetur sasi të konsiderueshme të armatimit në këtë zonë edhe më 30 shtator. Në mesin e pajisjeve të gjetura janë përmendur: raketahedhës (zolla), armë të gjata dhe pajisje të tjera ushtarake, si jelekë anti-plumb.

Pas sulmit të 24 shtatorit, zyrtarët policorë kanë ekspozuar edhe granatahedhës, pushkë të shumta automatike, pushkë snajper, automjete ushtarake, eksplozivë, detonatorë, të cilat i kanë gjetur në operacionet e kërkimit në këtë fshat në veri të Kosovës.

Përgjegjësinë për sulmet në Banjskë e ka marrë Milan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe. 

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë se ai gjendet në “Serbinë qendrore” dhe autoritetet atje e kanë marrë në pyetje "në cilësinë e qytetarit".

Autoritetet e Kosovës e kanë fajësuar Serbinë për sulmin, mirëpo autoritetet në Beograd e kanë hedhur poshtë këtë akuzë.

Sulmi ndaj Policisë në Banjskë është dënuar ashpër nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian dhe është bërë thirrje për përballjen e sulmuesve me drejtësinë./REL

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco