SYRI TV/ Gjykata lë në burg ‘zyrtarin’ mashtrues, 39-vjeçari zhvaste biznesmenët

13:51, 12/08/2023
A+ Aa A-

Arrest me burg ka caktuar gjykata për 39-vjeçarin Indrit Aliu, i cili u arrestua me akuzën e mashtrimit. Aliu prezantohej si zyrtar dhe nëpërmjet një skeme mashtrimi përfitonte shuma të mëdha parash deri në 35 mijë euro. Në seancën e masës së sigurisë Aliu nuk ka folur, teksa avokatja e tij ka hedhur poshtë akuzën e prokurorisë për mashtrim.

Nga SYRI TV

Kokëulur dhe pa asnjë fjalë është shfaqur Indrit Aliu përpara gjykatës e cila vendosi ta lërë në burg njeriun që paraqitej si zyrtar i ministrisë së Infrastrukturës. Ky i fundit nuk ka pranuar të flasë përpara gjyqtarit të gatshëm të masës së sigurisë,  por avokatja e tij e ka mohuar akuzën e mashtrimit të ngritur nga prokuroria. Pas kësaj 39-vjeçari nuk ka folur por ka rënë dakort me deklarimet e avokates së tij.

Indrit Aliu,  u arrestua pas denoncimit të një biznesmeni. Nga hetimet e organit të akuzës bëhet me dije se shumat e parave që u kërkonte personave të ndryshëm varionin deri në 35 mijë euro.

Zyrtarisht për të ka vetëm një kallëzim, se sipas prokurorisë po hetohen disa raste, kryesisht me persona që merren me aktivitet biznesi në miniera dhe në ndërtim.

Për të mashtruar këta persona ai përdorte emra dhe fotografi të personave të ndryshëm që punonin në disa institucione shtetërore, ndërsa përdorte edhe karta të dyshuara të falsifikuara apo të rreme për të bindur biznesmenët se punonte në institucione qeveritare.

39-vjeçari rezulton person përsëritës i veprës penale të mashtrimit me pasoja të rënda, pasi në vitin 2011 ai është arratisur drejt shtetit grek me 3 milionë euro me vete të cilat i kishte përfituar përmes mashtrimit.

Pasi u arrestua nga autoritetet greke për llogari të drejtësisë shqiptare ai u deportua në shtetin tonë ku u dënua me 10 vjet burg. Ndërkohë që sërish mbi të rëndon e njëjta akuzë e ai do të përballet sërish me ligjin.

Kujtojmë se që nga janari i këtij viti janë konstatuar të paktën 6 raste me të njëjtën skemë mashtrimi, ku qytetarë të ndryshëm prezantohen si zyrtarë të lartë apo edhe persona të afërt të qeveritarëve.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco