SYRI TV/ Urdhri për arrestimin e Ahmetajt, kërkesa e SPAK në GJKKO

13:04, 15/07/2023
A+ Aa A-

Në Gjykatën e Posaçme ka mbërritur kërkesa zyrtare për firmosjen e urdhrit të arrestit për Arben Ahmetajn. Vetëm pak orë e ndajnë firmosjen ose jo të kërkesës së Prokurorisë së Posaçme nga gjyqtari paraprak. Vendimi i Kuvendit për heqjen e imunitetit të deputetit dhe kërkesa e SPAK për arrestimin e tij dhe kontrollin e banesës ka mbërritur në tavolinën e gjyqtarit paraprak Erion Bani. Por nëse miratohet kërkesa në fjalë, mbetet të bëhet shpallja në kërkim e Arben Ahmetajt, pas konfirmimit të lajmit nga avokati i tij se është arratisur drejt Anglisë

SYRI TV

Prokuroria e Posaçme i është drejtuar zyrtarisht Gjykatës së Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me kërkesën për arrestimin e Arben Ahmetajt dhe ushtrimin e kontrollit të banesës së tij.

Gjyqtari paraprak Erion Bani ka në dispozicion 48 orë për firmosjen e kërkesës ose refuzimin e saj, teksa të dielën në mbrëmje përfundon edhe orari zyrtar.

Të tavolinën e tij ndodhet vendimi i Parlamentit për heqjen e mandatit të deputetit, si dhe kërkesa e Prokurorisë së Posaçme me sqarimet përkatëse të akuzave.

SPAK e akuzon ish-zëvendëskryeministrin e qeverisë Rama për korrupsion në 6 episode, pastrim parash të dyshuara që janë siguruar nga biznesmenët e inceneratorëve Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri si dhe për fshehje të pasurisë.

Ndërkohë, nëse gjyqtari paraprak do të miratojë kërkesën për arrestimin e tij, pritet që SPAK të urdhërojë Policinë dhe Byronë Kombëtare të Hetimit. Nëse, sikurse rezultojnë informacionet, Arben Ahmetaj nuk do gjendet në banesë pasi është arratisur jashtë vendit, bëhet shpallja e tij në kërkim. Deputeti socialist i saposhkarkuar, njëherësh për të paktën 10 vite një personazh kiyç në qeverinë e Edi Ramës, i ka mohuar akuzat, por nga ana tjetër ka zgjedhur të mos përballet drejtpërdrejt me to, por përmes avokatëve.

Njëri prej këtyre të fundit, Henrik Ligori konfirmoi të premten se ish-numri 2 i qeverisë ndodhet në Britaninë e Madhe pranë familjes.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco