Tre të arrestuar në Vlorë për dhunë në familje

Tre të arrestuar në Vlorë për dhunë në familje

13:49, 03/06/2023
A+ Aa A-

Tre persona janë arrestuar në Vlorë këtë të shtunë, të tre të akuzuar për dhunë në familje. Një 37-vjeçar me inicialet M.H. u arrestua në banesë pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj të dashurës së tij. 

Një 56 vjeçar, me inicialet I.A, banues në Vlorë, u arrestua gjithashtu pasi dyshohet se në kundërshtim me vendimin e Gjykatës, ka shkuar në banesën e nënës së tij dhe ka ushtruar dhunë ndaj saj.

Ndërsa një 30-vjeçar, me inicialet L.Z. u arrestua pasi ishte shpallur në kërkim më parë, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Dhuna në familje”.

Për të tre rastet, policia nuk ka dhënë detaje, por dhuna në familje është një prej fenomeneve më shqetësues për shoqërinë shqiptare. Për këtë, qeveria ka propozuar që përmes një ndryshimi ligjor, personave të akuzuar për dhunë në familje t’iu hiqet e drejta që të kërkojnë gjykim të shkurtuar, duke mos përfituar dot nga ulja e një të tretës së dënimit në rast fajësie. Projektligji në fjalë është depozituar në parlament, por për miratimin e tij kërkohet shumicë e cilësuar, të paktën 84 kartonë jeshile.

Nga viti 2019 e deri më sot në Shqipëri janë regjistruar në total 20 589 raste të dhunës në familje ndërsa mesatarja e çdo viti tregon se në Shqipëri raportohen 14 raste në ditë të dhunës në familje. Ngjarjet e rënda dhe dhuna që çon në vrasje kanë ngritur dhe një herë shqetësimin e urdhrave të mbrojtjes e problemeve në aplikimin e tyre.

Vetëm përgjatë periudhës 1 janar–28 shkurt të këtij viti në policinë e shtetit janë konstatuar 736 raste të dhunës në familje. Sipas të dhënave statistikore 417 raste kanë marrë urdhrin e menjëhershëm të mbrojtjes ndërsa në 25 prej tyre këto urdhra janë shkelur.

Sipas juristëve, problematike mbetet dhe procesi gjyqësor kur paraqiten dokumente të cilat lehtësojnë pozitën e dhunuesit.

Të dhënat statistikore tregojnë se nisur nga dendësia e popullsisë, qarku me numrin më të madh të denoncimeve është ai i Tiranës, i ndjekur nga ai i Durrësit, i Fierit dhe i Vlorës. Të dëmtuar nga dhuna dhe krimet e tjera në marrëdhëniet familjare në total për vitin 2022 janë 5225 persona, prej tyre 3767 janë gra/vajza ndërsa 266 të dhunuar janë të mitur. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco