Lajmi i fundit

LIVE/ Protesta para bashkisë së Tiranës, qytetarët kërkojnë largimin e Veliajt

VIDEO-SYRI TV/ Gjyqi i Shullazit, dëshmon nëna e Osman Trumës: Djali im, shok me Klod Saliun

17:54, 29/05/2023
A+ Aa A-

5 nga 20 dëshmitarë të thirrur nga Gjykata e Posaçme iu përgjigjen kërkesës së togave të zeza për të dëshmuar në procesin ndaj Emiljano Shullazit, Viktor Imerit dhe anëtarëve të tjerë të grupit që akuzohen për 2 vrasje në vitin 2005. Nëna e personit që shoqëronte Klodian Saliun ditën e atentatit, dhe motra e Lulzim Berishës, iu përgjigjën pyetjeve të Prokurorisë dhe të avokatëve duke treguar detaje mbi ditën e ngjarjes. Ndërkohë, GJKKO njoftoi nisjen e letërporosisë ndaj Malit të Zi, për një shtetas që Luftar Reçi thotë se ka përgatitur bombën.

Nga SYRI TV

Në një seancë maratonë, në Gjykatën e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, janë paraqitur për të dëshmuar vetëm 5 dëshmitar nga 20 që ishin në listën e togave të zeza për vrasjen e Klodian Saliut e Vajdin Lames në vitin 2005.

Mes tyre, e ardhur nga Italia ku jeton prej 30 vitesh, ka dëshmuar këtë të Hënë përballë Emiljano Shullazit, Viktor Imerit dhe të pandehurve të tjerë, nëna e Osman Trumës, personit që udhëtonte në makinë me Saliun në momentin kur iu bë atentat.

‘Në 2005, djali im kishte ardhur për pak ditë pushime në Shqipëri. Me Klodian Saliun ishte rritur, ishin shokë fëmijërie të një lagjeje. Kam folur me të çdo ditë në telefon, dhe gjithçka shkonte mirë. Por një ditë mësojmë se kishte mbetur i plagosur gjatë një atentati në autostradën Durrës-Tiranë.

Me ç’më ka rrëfyer djali që dole dhe e prita në aeroportin e Romës, nuk I ka njohur autorët. Fillimisht janë qëlluar nga mbrapa dhe më pas anash. Një çift në moshë kanë ndaluar dhe iu kanë dhënë ndihmën e parë, më pas ka mbërritur ambulance’, është shprehur nëna e Osman Trumës në gjykatë.

E pyetur gjatë dëshmisë nëse ajo apo familja e saj ishin në hasmëri apo nëse kishin m,arrë ndonjë kërcënim që të mos flisnin për ngjarjen, ajo i mohoi të dyja.

 ‘Djali im ka ikur që në klasën e 8-të nga Shqipëria, jetojmë prej fillim të viteve ’90 në Itali. Asnjë konflikt nuk ka pasur, asnjë hasmëri. As kërcënime nuk kemi marrë ndonjëherë’, u shpreh nëna e Osman Trumës në gjykatë.

Pas saj dëshmoi edhe motra e Lulzim Berishës, e cila u pyet rreth aktivitetit të të vëllait, dhe rrethanave të ditës kur ndodhi vrasja.

‘Sa herë ka ndodhur një ngjarje në Durrës, të parët që vinin dhe bënin kontrolle ishte shtëpia jonë. Luli e ka kaluar jetën në burgje. Atë ditë ndodhej në Turqi, kishte shkuar bashkë me një shokun e tij për kurim’, ka deklaruar Luljeta Berisha, motra e Lulzim Berishës.

E pyetur nga Prokuroria për njohjen me Klodian Saliun të vëllait të saj, Luljeta është përgjigjur se kurrë nuk kishin patur mosmarrëveshje.

‘Klodiani vinte shpesh tek lokali që kam unë në pronësi. Qëndronte çdo ditë aty, me Lulin apo shokë të tjerë. Çfarë konflikti të kishin? Ata kanë udhëtuar bashkë në Itali në fund të viteve ’90’, ka thënë në dëshminë e saj, motra e Lulzim Berishës.

Dëshmia e bashkëpunëtorit të drëjtësisë Luftar Reçi çoi në pranga Emiljano Shullazin, Viktor Ymerin, Endrit Taullaun dhe Indrit Rusin për vrasjen e Klodian Saliut, Vajdin Lames e Artan Arsit në vitin 2005. Ndërsa në kërkim ndodhen Plaurent Dervishaj e Lulzim Berisha.

Këtë të hënë, Gjykata njoftoi se ministria e Drejtësisë, i ka çuar letërporosi Malit të Zi për shtetasin Joshko Çervenkovski, personi që sipas Luftar Reçit ka përgatitur bombën për vrasjen e Vajdin Lames ku mbeti i vdekur edhe e Artan Arsi.

Grupi i Emiljano Shullazit i konsideron mashtrim deklarimet e Luftar Reçit i cili është gjithashtu i pandehur për vrasjet e 2005.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco