‘Lufta’ e mediave për klikime po i vret edhe njëherë viktimat e tragjedive: Flasin ekspertët

‘Lufta’ e mediave për klikime po i vret edhe njëherë viktimat e tragjedive: Flasin ekspertët

07:30, 19/04/2023
A+ Aa A-

Sidomos kohët e fundit, kur në Kosovë është rritur drastikisht numri i aksidenteve fatale.

Nga Erdonit Hoxha, Syri.net Kosova

Lajmet për vdekjet e qytetarëve të Kosovës, kanë nisur të bëhen të shpeshta në mediat kosovare. Mirëpo, krahas këtyre raportimeve, nuk mungojnë as ato të cilat zbulojnë identitetin e viktimave, fotografitë e tyre, madje, shpeshherë nuk kursehen as familjarët.

Për këta të fundit, sigurisht që është shumë e vështirë, kur shohin në media fotografitë dhe identitetin e të dashurve që kanë humbur, sidomos në tragjedi siç janë vetëvrasjet.

Për këtë gjë, Këshilli i Mediave të Kosovës, ditë më parë ka dal me një apel për gazetarët, që të kenë kujdes në raportimet e tilla.

“Gazetarët duhet të respektojnë të drejtën e njerëzve për të mbajtur zi dhe duhet t’i raportojnë këto tema, duke treguar empati dhe vetëpërmbajtje. Gazetarët duhet të respektojnë vuajtjet e viktimave dhe ndjenjat e familjarëve të tyre. Po ashtu, gazetarët dhe mediat duhet të tregojnë maturi me fotografitë dhe pamjet, si dhe duhet të kenë në konsideratë ndjeshmërinë e publikut gjatë raportimit.

Vetëvrasja nuk është asnjëherë rezultat i një faktori apo ngjarjeje, por i shumë faktorëve me bazë problemet psikologjike. Mediat duhet të jenë të vëmendshme për të shpjeguar këto situata. Përsëritja dhe mbulimi i vazhdueshëm i ngjarjeve të tilla mund të shërbejë si nxitës për raste të tjera. Mediat duhet të kenë parasysh që tragjeditë e tilla të mos mbulohen në mënyrë sensacionale. Duhet shmangur dramatizimi dhe glorifikimi i personave që kryejnë vetëvrasje” thuhet në apel.

Po ashtu, KMShK thekson se përtej raportimit për aktin, gazetarët dhe mediat duhet të ruajnë privatësinë e të afërmve të viktimave, ndërkaq duhet të ofrojnë informacione për organizatat që ofrojnë ndihmë, linjat e ndryshme të ndihmës dhe të ngjashme.

Apelin e KMShK-së, shumë me vend e ka parë profesoresha e lëndës së Etikës, të drejtimit të gazetarisë, Remzie Shahini-Hoxhaj.

Shahini Hoxhaj i tha Syrit se gazetarët duhet ta ruajnë etikën profesionale, duke ruajtur edhe viktimat, edhe familjarët e tyre, madje, nuk do duhej assesi të përshkruajnë formën se si për shembull një person ka kryer vetëvrasje.

“Ka qenë koha e fundit me ndërmarrë një vendim të tillë që parandalohen shkeljet e tilla etike edhe ligjore në media. E konsideroj si një vedim me vend. Mendoj që kjo do të ndërgjegjësoj jo vetëm mediat, po edhe publikun. Në bazë të rregulloreve për të drejtat e njeriut, e drejta e viktimës mbrohet me ligj. Jo vetëm publikimi i fotove, por, edhe identiteti, që të ne jo rrallëherë shfaqet. Kjo çështje ndihmon që mos t’i ritaumatizojmë edhe familjarët e viktimave.

Sidomos në kohën e fundit, kur në Kosove është rritur drastikisht numri i aksidenteve fatale, dhe ekziston një garë e paparë e mediave online në publikimin e fotografive dhe videove të pacenzuruara nga vendi i ngjarjes. Tek rastet e vrasjeve dhe vetëvravsjeve, në bazë të rregullave etik, mediat do të duhej t’ju largohen përshkrimit në mënyrën e kryerjes së aktit” ka thënë Shahini-Hoxhaj.

Ndërsa, për gazetarin Blendi Devolli, rastet ku raportohet për tragjedi, bëjnë më shumë klikime, e kjo po bën që gazetarët ta shkelin etikën gazetareske.

“Hapësira e madhe virtuale, në të cilën ka vend për cilindo, e përcjellur fillimisht me pak mbikëqyrje, ose thënë me mirë më pak filtrim të lajmit/lajmeve, e ka diktuar këtë lloj të të bërit media.  Senzacioni, drama, tragjikja dhe tragjedia, janë pa asnjë diskutim prej mënyrave më efiktive për ta rritur trafikun e vizitorëve të secilës media online. Prandaj, ne mund ta konstatojmë se një pjesë e mediave online do ta shkelin etikën, dhe të garojnë për klikime, sepse klikimet e krijojnë pak a shumë një pasqyrë të vlerës në treg të një mediumi online, rrjedhimisht në bazë të kësaj pritet të themi të monetizohet hapësira virtuale e tyre.

Për ta arritur këtë qëllim, mediat shpesh herë janë të gatshme të shkelin disa nga standardet e etikës gazetareske, duke përfshirë publikimin e emrit dhe fotos së personave që kanë vdekur në tragjedi.

Në raste të tilla, është e rëndësishme që media të mbajë parasysh se njerëzit që janë përfshirë në tragjedi kanë familje, qe besa edhe miq të cilët mund të jenë të lëndohen e pësojnë trauma, nga publikimi i emrit dhe fotos së tyre në media. Për këtë arsye, mediave duhet t'u jepet kujdes i veçantë në zgjedhjen e fotove dhe informacioneve që publikojnë, dhe të mos publikojnë emrat dhe fotot e personave pa autorizimin e familjes së tyre ose pa kërkuar miratimin e tyre nëse janë në gjendje ta bëjnë” ka thënë Devolli në përgjigjen e tij për Syri Kosova.

Po ashtu, Blendi ka dhënë edhe disa këshilla për gazetarët që raportojnë për raste të vdekjeve.

“Në pjesët e etikës që duhet të ndjekin gazetarët në punën e tyre, ndër të tjera janë: Ata duhet të respektojnë privatësinë dhe dinjitetin e personave të përfshirë në lajme. Janë në anën tjetër edhe organet e vetëregullimit për gazetarët, të cilat mund të marrin vendime lidhur me shkelje të etikës gazetareske, sikurse ta zëmë në Kosovë, këtë detyrë e bën Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMSHK), e që nuk janë të pakta rastet kur janë dënuar sjellje të tilla të medieve” përfundoi ai.

Për rolin e medieve në raportimin e ngjarjeve të dhimbshme dhe ndikimin e tyre te audienca që i pranon këto lajme, ka folur edhe psikologu kosovar, Yll Avdijaj.

Në një bisedë për Syri Kosova, ai tha se raportimi dhe portretizimi i sjelljes vetëvrasëse në media mund të ketë ndikime potencialisht negative dhe të lehtësojë veprimet vetëvrasëse nga njerëzit e ekspozuar ndaj stimujve të tillë.  

“Roli i mediave në raportimin e vetëvrasjeve edhe pse, shpeshherë ka për qëllim informimin dhe ngritjen e vetedijes në opinion e gjerë, kjo jo çdo herë i kontribuon pozitivisht këtij qëllimi. Sipas një hulumtimi të realizuar  nga 'Centre for Suicide Research, University Department of Psychiatry, Ëarneford Hospital, Oxford OX3 7JX', del se raportimi dhe portretizimi i sjelljes vetëvrasëse në media mund të ketë ndikime potencialisht negative dhe të lehtësojë veprimet vetëvrasëse nga njerëzit e ekspozuar ndaj stimujve të tillë.   Ndikimi i medias në sjelljen vetëvrasëse duket të jetë më i mundshëm kur specifikohet një metodë vetëvrasjeje - veçanërisht kur paraqitet në detaje - kur historia raportohet ose portretizohet në mënyrë dramatike dhe të dukshme - për shembull me fotografi të të ndjerit ose me tituj të mëdhenj - dhe  kur raportohen vetëvrasjet e personazheve të famshëm etj.

Të rinjtë duket se janë më të prekshëm ndaj ndikimit të medias, megjithëse provat e kufizuara tregojnë gjithashtu një ndikim tek të moshuarit. Një faktor tjetër është ngjashmëria ndërmjet stimulit apo modelit mediatik dhe vëzhguesit për sa i përket moshës, seksit dhe kombësisë. Një aspekt i rëndësishëm i paraqitjes së vetëvrasjes në media është se zakonisht ajo i thjeshton shumë shkaqet, duke ia atribuar aktin faktorëve të vetëm si fatkeqësitë financiare, marrëdhëniet e prishura ose dështimi në ekzaminime etj.  Mirëpo, faktori më i zakonshëm dhe më i rëndësishëm që çon në vetëvrasje, siç është sëmundja mendore, shpeshherë pothuajse  anashkalohet” ka thënë psikologu.

Po ashtu, Avdijaj tha se  trajtimi i këtij problemi është një komponent i parandalimit të vetëvrasjeve, duke theksuar nevojën për të shmangur raportimin dramatik ose portretizimin e vetëvrasjes dhe specifikimin e mjeteve të përdorura.

“Shumica theksojnë dëshirën e ofrimit të fakteve të sakta rreth shkaqeve, duke përfshirë theksin e duhur në problemet e shëndetit mendor. Aktualisht nuk ekziston një politikë e qartë për problemin e "faqeve të vetëvrasjeve" në internet”” shtoi tutje ai.

Nga ana tjetër, ka pasur shumë herë reagime nga përfaqësues të shoqërisë civile dhe personazhe të tjera, që kanë reaguar, duke akuzuar e kritikuar mediat, për lëshimet që i bëjnë kur raportojnë për ngjarje tragjike, duke ua kujtuar atyre se klikimi nuk është asgjë kur shkelet etika.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco