‘21 pako ushqimore nga rezervat e shtetit për vota’/ Policia e Hasit 'ia kalon topin' Prokurorisë

14:57, 18/04/2023
A+ Aa A-

Më pak se 24 orë më vonë, Policia e Shtetit ka reaguar pas denoncimit të skandalit me djalin e kandidatit socialist për Bashkinë e Hasit, i cili u kap duke blerë vota me pako ushqimore me mbishkrimin ‘rezervat e shtetit’ nga kandidati i koalicionit opozitar "Bashkë Fitojmë", Miftar Dauti.

Në denoncimin e tij në ‘Çim Peka Live’, Dauti tha se ai me mbështetës kishin ndaluar furgonin me targa AB 333 EC që drejtohej nga djali i kandidatit socialist.

Në lidhje me këtë rast flagrant shkelje të ligjit, ka reaguar edhe policia duke njoftuar se gjatë kontrollit të ushtruar në brendësi të furgonit me targa AB 333 EC, janë konstatuar 21 pako me mbishkrimin “Rezerva Materiale Shtetërore”.

Sipas policisë, këto pako janë ngarkuar nga magazina e Bashkisë Has dhe lidhur me këtë fakt, në vijim të veprimeve procedurale, janë pyetur në cilësinë e personave që kanë dijeni mbi pakot e gjetura në furgon, shtetasit B. M., E. M (vëllezër) dhe Sh. M. (me detyrë magazinier i bashkisë).

Materialet  e para procedurale, me kërkesë të Prokurorisë, i kanë kaluar për vlerësim këtij institucioni.

Njoftimi i policisë/ Has

Më datë 17.04.2023, rreth orës 21:00, një grup personash kanë bllokuar në qendër të qytetit të Hasit, një automjet furgon me targa AB 333 EC, me drejtues shtetasin B. M., me pretendimin se ishte i ngarkuar me pako me ndihma të cilat dyshonin se do të shpërndaheshin për llogari të një kandidati të një subjekti politik, dhe për këtë rast kanë njoftuar Komisariatin e Policisë Has dhe është vënë në dijeni Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Has, pasi kanë marrë kallëzim nga shtetasi M. D. (njëri nga shtetasit që kishin bllokuar furgonin në qendër të qytetit), mbi pretendimin e tij, kanë njoftuar menjëherë Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës, me qëllim marrjen e autorizimit për ushtrimin e  kontrollit në këtë furgon.

Pas marrjes së autorizimit nga Prokuroria, shërbimet e Komisariatit të Policisë Has kanë shoqëruar menjëherë në ambientet e Komisariatit të Policisë, furgonin me targë AB 333 EC dhe në prezencë të oficerëve të Policisë Gjyqësore, drejtuesit të furgonit dhe palës kallëzuese, është ushtruar kontroll në brendësi të furgonit, ku janë konstatuar 21 pako me mbishkrimin “Rezerva Materiale Shtetërore”, të cilat ishin ngarkuar në magazinën e bashkisë.

Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, janë pyetur në cilësinë e personave që kanë dijeni mbi pakot e gjetura në furgon, shtetasit B. M., E. M (vëllezër) dhe Sh. M. (me detyrë magazinier i bashkisë).

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Has, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës, vijojnë veprimet procedurale për sqarimin dhe dokumentimin e plotë të këtij rasti.

Materialet  e para procedurale, me kërkesë të Prokurorisë, i kanë kaluar për vlerësim këtij institucioni.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco