Inceneratori Fier/ SPAK ia ‘fali’ Armando Subashit faturat abuzive të shpronësimit

Inceneratori Fier/ SPAK ia ‘fali’ Armando Subashit faturat abuzive të shpronësimit

14:57, 30/03/2023
A+ Aa A-

Armando Subashi mori lejen e kryesocialistit Edi Rama për të garuar për një mandat të tretë në krye të Bashkisë së Fierit.

Deri më tani ai ka dalë “pa u lagur” nga afera e inceneratorit të Fierit.

Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK), në materialet e saj hetimore ka përmendur rolin e Subashit në shpronësimin abuziv të tokës, ku u caktua të ndërtohej impianti i përpunimit të mbetjeve në qytet.

Por, në dosjen që prokurori Dritan Prençi dorëzoi për gjykim në gjykatë, emri i Armando Subashit, mikut të afërt të kryeministrit Edi Rama, nuk gjendet në listën e personave të pandehur.

Situata krijon dyshime për favorizim të Subashit nga ana e SPAK-ut, sidomos duke mbajtur në konsideratë se praktika e shpronësimit të tokës së inceneratorit është një prej elementëve që po mban pas hekurave ish-Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit dhe gjithashtu ish-deputetin socialist, Alqi Bllako.

Favorizimi i Subashit

“Boldnews.al” ka siguruar vendimin e plotë të Gjykatës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, e cila në nëntor të vitit 2022 caktoi masën e sigurimit “arrest me burg” për disa zyrtarë të përfshirë në aferën e inceneratorit të Fierit, mes të cilëve ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka.

Në materialet e prokurorisë përmendet në mënyrë të detajuar se si institucionet shtetërore kanë tjetërsuar dokumentat e tokës, nga arë në truall, duke rritur në këtë mënyrë vlerën e shpronësimit dhe rrjedhimisht një dëm të konsiderueshëm në buxhetin e shtetit.

Image

Vendimi i gjykatës së posaçme për masën e sigurimit ndaj disa zyrtarëve të dyshuar si të përfshirë në aferën e inceneratorëve

Veprimet janë kryer nga Lefter Koka, Alqi Bllako dhe një ish-zyrtar tjetër në Ministrinë e Mjedisit, Pëllumb Abeshi.

Por, siç lexohet në dosjen hetimore, kryebashkiaku i Fierit, Armando Subashi, megjithëse ka qenë në dijeni të këtij abuzimi, sërish ka vijuar të shlyejë këstet e shpronësimit të tokës, duke u shndërruar në zyrtarin ekzekutor të shumës abuzive, e cila i shkaktoi shtetit një dëm në vlerë rreth 150 mijë euro.

E, megjithatë, emri i tij nuk gjendet në listën e të pandehurve, madje as edhe në listën e personave të hetuar.

Shpronësimi abuziv

Në Tetor të vitit 2016, Ministria e Mjedisit nën drejtimin e Lefter Kokës dhe bashkimi i kompanive “Integrated Technology Service” dhe “Energy 2” srl, me përfaqësues Klodian Zoton, nënshkruajnë kontratën koncesionare për ndërtimin e impiantit të përpunimit të mbetjeve.

Më tej, kompania koncesionare, e cila në vijim quhej “Integratet Technology Easte Treatment Fier”, kërkoi nga Ministria e Mjedisit ndryshimin e pozicionit ku do të ndërtohej impianti.

Ministria komunikon me Bashkinë Fier. Kryebashkiaku Subashi, pas verifikimit të situatës në terren, propozon si vend për ndërtimin e impiantit tokën arë me sipërfaqe 111 mijë metra katrorë, në pronësi të shtetases Nevin Vrioni (Godo), bashkëshorte e politikanit të ndjerë Sabri Godo.

Ministria vë në dijeni Subashin që vlera e shpronësimit është 462 milionë lekë të vjetra dhe Bashkia e Fierit shpreh dakordësinë.

Image

Pjesë nga dosja hetimore, ku provohet se Subashi ka dhënë dakordësinë për vlerën e shpronësimit

Institucionet dhe pronarja e tokës bien dakord dhe Ministria e Mjedisit, nëpërmjet dokumentave të nënshkruar nga Lefter Koka, Alqi Bllako e Pëllumb Abeshi, i propozojnë Këshillit të Ministrave të miratojë fondin e shpronësimit.

Por, në dokumentat që u përcollën në kabinetin qeveritar, toka “arë” ishte shënuar “tokë truall”. Vlera e kompensimit ishte 460 milionë lekë të vjetra për truallin, ndërkohë që ajo ishte 160 milionë lekë të vjetra më shtrenjtë se sa fatura reale, që duhet të ishte shpronësim për tokë arë.

Qeveria e Edi Ramës, në 28 dhjetor 2016 miraton vlerën e shpronësimit.

Historia “vjen erë”

Në Shkurt të vitit 2017, Armand Subashi i drejtohet Ministrisë së Mjedisit, ku i kërkon saktësimin e vlerës së shpronësimit, pasi Vendimi i Këshillit të Ministrave përmend tokë truall, ndërkohë që në realitet toka e shpronësuar është tokë arë.

Fillimisht, Alqi Bllako, në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit, i kërkon Subashit që të vijojë me pagesat e shpronësimit sipas përcaktimeve të Vendimit të Këshillit të Ministrave.

Por, vetëm pak javë më vonë, në 24 Mars 2017, Bllako i drejtohet sërish kryebashkiakut Subashi, ku deklaron se është konstatuar pasaktësia në vlerën e tokës që do të shpronësohet dhe se Bashkia e Fierit duhet të paguajë çmimin real për tokë arë.

Deri në këtë kohë, Bashkia e Fierit nuk kishte kryer asnjë pagesë për pronaren e shpronësuar dhe, në këto kushte, ishin të gjitha mundësitë që të menaxhoheshin saktësisht fondet e buxhetit të shtetit.

Image

Pjesë nga dosja hetimore, ku konfirmohet komunikimi Bllako-Subashi për vlerën e shpronësimit

Por, siç rezulton më tej, kryebashkiaku Armando Subashi nuk ka bërë asnjë përpjekje minimale për të siguruar fondet shtetërore. Ai ka kryer 4 këste, në periudhën 2018-2019, në bazë të të cilave është paguar pronarja e shpronësuar me vlerën 46 milionë lekë të reja, pra, për tokë truall dhe jo për tokë arë, siç ishte realisht.

Më konkretisht, Subashi ka paguar në llogarinë e përfaqësuesit të pronares këstin e parë në 19.920.000 lekë të reja në 26 Korrik 2017, pra 4 muaj pasi ishte informuar se vlera e shpronësimit ishte më e larta se sa ajo që duhet sipas legjislacionit./Boldnews.al/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco