SYRI TV/ Babai vret me çekiç, djalin e vet në Maliq

14:20, 18/02/2023
A+ Aa A-

Shefki Bylykbashi 77-vjeç ra në pranga në Maliq pasi gjatë një konflikti me të birin, ky i fundit në gjendje të dehur, tentoi ta hidhte në pus. I moshuari rezistoi duke e goditur me çekiç në kokë gjë e cila i shkaktoi vdekjen 50-vjeçarit Hamdi Bylykbashi. Pas 24 orësh policia zbardhi ngjarjen, për të cilën familjarët kishin deklaruar më parë, se viktima,duke qenë në gjendje të dehur, ishte rrëzuar në banesë dhe kishte dëmtuar rëndë kokën.

Nga SYRI TV

Ngjarja e raportuar pasditen e së premtes si një “vdekje aksidentale” është dokumentuar nga Policia e Korçës si “vrasje brenda familjes”.

Shefki Bylykbashi, 77-vjeç nga fshati Zvezdë i Maliqit, goditi të birin Hamdi Bylykbashi 50 vjeç, me çekiç në kokë, duke i shkaktuar vdekjen.

Veprimi i të moshuarit erdhi sipas Policisë, pasi 50-vjeçari në gjendje të dehur, u përfshi në konflikt me të atin.

Ai tentoi ta hidhte të moshuarin në pusin e ujit në oborrin e banesës, teksa i ati ka rezistuar, duke i dhënë goditjen fatale në kokë.

Fillimisht vdekja e Hamdi Bylykbashit u raportua nga Policia referuar në deklarimet paraprake të familjarëve si aksidentale.

Këta të fundit kishin pohuar se 50-vjeçari ishte i dehur dhe për pasojë u rrëzua duke përplasur rëndë kokën.

Blutë e Maliqit në bashkëpunim me specialistët e Drejtorisë Vendore të Korçës, dokumentuan përmes provave ngjarjen dhe vunë në pranga babanë e viktimës, Shefki Bylykbashin, për veprën penale "Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare".

Banorët e zonës thanë se nuk e dinë çfarë ka ndodhur dhe treguan se si i njihnin babë e bir.

I biri u nis nga familjarët drejt spitalit, por nuk arriti të mbërrinte gjallë në duart e bluzave të bardha.

50-vjeçari ishte i divorcuar dhe kishte disa muaj që ishte kthyer nga emigracioni në Francë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco