Tre ditë e vdekur në banesë, Piro Dhima vjen në Shqipëri, tërheq trupin e nënës nga morgu

Tre ditë e vdekur në banesë, Piro Dhima vjen në Shqipëri, tërheq trupin e nënës nga morgu

23:28, 01/10/2021
A+ Aa A-

Ish-kampioni olimpik në peshëngritje dhe rekordmeni i kampionatit shqiptar, Piro Dhima rikthehet në Shqipëri, disa orë pasi nëna e tij, Lefteria Dhima, u gjet e pajetë në banesën e saj, mëngjesin e ditës së sotme. 

Syri.net mëson se në spitalin e Sarandës është paraqitur gjatë pasdites vetë Piro Dhima, i shoqëruar nga vëllai Odisea, ky i fundit jeton në Finlandë. Ata kanë tërhequr trupin nga morgu dhe i janë drejtuar Himarës, për të kryer ritet mortore për të ëmën ku do të prehet pranë bashkëshortit të saj Viktor Dhima. 

Lefteri Dhima, 75 vjeçe sipas ekspertizës mjeko-ligjore kishte ndërruar jetë pranë banesës së saj prej të paktën 72 orësh. Trupi u gjet vetëm sot në mëngjes nga fqinjët në gjendje gati të dekompozuar. Shkak për vdekjen ka qenë ataku kardiak. 

75-vjeçarja jetonte e vetme në banesën e saj në qytezën e Himarës. Në 2017 është ndarë nga jeta bashkëshorti i saj, Viktor Dhima dhe prej atëherë ajo ndante shtëpinë e vetme. E moshuara nuk kishte raporte të mira me djalin e saj të madh, ish-kampionin olimpik të peshëngritjes, Piro Dhima dhe shkak për këtë mësohet se është bërë martesa e tij me një gazetare të njohur greke e cila ishte më e madhe se ai në moshë. 

Por edhe qëndrimi i Piro Dhimës ndaj vendlindjes dhe deklaratat herëpashershme me kontekst urrejtje ndaj origjinës, kanë ndikuar jo pak në ftohjen e raporteve me familjen. 30 vjet pas largimit nga Shqipëria, Piro Dhima ka qenë kontradiktor me deklaratat që bënte nga Greqia, herë prezantohej si shqiptar dhe herë si grek, por i lindur në Shqipëri.

Në një reagim për mediat nga Saranda, Piro Dhima ka mohuar të ketë braktisur nënën, duke u shprehur se ishte larguar në SHBA, por e ëma kishte refuzuar të shkonte pas tij. 

"Ajo jetonte vetëm pasi nuk pranoi kurrë të vinte me mua në Amerikë. Jam i shqetësuar dhe i prekur për atë se çfarë është deklaruar nga fqinjët për këtë ngjarje të rëndë që ka ndodhur në familjen tonë", shprehet Dhima.

Sipas tij, nëna gëzonte shëndet të plotë dhe nuk dëshironte të braktiste shtëpinë ku kaloi një jetë të tërë. Piro Dhima thotë se janë njoftuar nga të afërmit për ngjarjen dhe se ai kishte udhëtuar menjëherë nga SHBA drejt Shqipërisë, ndërsa vëllai tjetër nga Finlanda. 

***

Piro Dhima lindi në Tiranë në 13 tetor të vitit 1971. Ai jetoi bashkë me familjen në kryeqytetin shqiptar deri në moshën 19-vjeçare kur u largua drejt Greqisë për të nisur rrugëtimin e një karriere të suksesshme në sportin e peshëngritjes, ndërsa disa vite më pas mohoi origjinën.

Pas rënies së regjimit komunist prindërit e tij u zhvendosën në Himarë ku edhe kaluan vitet e fundit të jetës, ndërsa vizitat e Piro Dhimës drejt vendlindjes që prej vitit 1991, numërohen me gishtat e dorës.

Ç'ka flet qartë për një raport jo normal të tij me familjen. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco