VIDEO/ Ja si ndodhi grabitja e kambistit në mes të Tiranës

VIDEO/ Ja si ndodhi grabitja e kambistit në mes të Tiranës

09:32, 05/05/2021
A+ Aa A-

Një kambist u grabit dje në mes të Tiranës nga dy persona të maskuar, të cilët pasi i morën çantën me para, që po i transportonte me motor në një pikë këmbimi valutor, janë larguar me vrap në këmbë.

Burime nga Policia thanë se autorët e maskuar e kanë kërcënuar me sqepar 55- vjeçarin Qani Zili, e kanë dhunuar dhe i kanë grabitur shumën e parave. Dyshohet që Zili ka qenë duke transportuar drejt një pike tjetër të këmbimit valutor një shumë prej rreth 3 milionë lekësh të rinj.

Burimet thanë se dy grabitësit kanë përdorur një motor për të realizuar grabitjen. Pasi kanë goditur kambistin dhe i kanë marrë çantën me para, njëri ka nisur të vrapojë në këmbë mes për mes rrugicave, sa kalon një karburant, ndërsa tjetri ka vijuar rrugën me motor. 

Por sapo ka dalë në cep të pikës së karburantit, ai është përplasur me një automjet dhe për këtë arsye ka lënë motorin në vendngjarje dhe ka vrapuar njësoj si bashkëpunëtori i tij, duke u larguar edhe ai në këmbë.

Motori gri, i gjetur dhe i sekuestruar nga Policia në vendngjarje, është përdorur nga autorët, ndërsa vetë punonjësi ka qenë duke transportuar shumën e parave me një motor të zi, kur është goditur nga grabitësit dhe për pasojë është rrëzuar.

SYRI.net publikoi dje pamjet kur një nga autorët e grabitjes në Rrugën e Kavajës në Tiranë largohet nga vendi i ngjarjes me një çantë me para. Dyshohet se shuma e grabitur është rreth 30 milionë lekë të vjetër.

Në videon e kapur nga kamerat e sigurisë, hajduti ia mbath me vrap për t’i shpëtuar Policisë. Uniformat blu kanë identifikuar autorin, i cili shfaqet me maskën gjysmë të ulur. Policia ka sekuestruar serverin me pamjet e kamerave të sigurisë të kapura nga dy kamera të ndryshme.

Në pamjet e para shihet autori që vrapon për t’u larguar nga Policia.

Më pas ai kapet nga kamerat me maskën gjysmë të ulur, gjë që i ka mundësuar Policisë të bëjë dhe identifikimin e tij. Tashmë grupi hetimor ka në dorë identikitin e tij.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco