Lajmi i fundit

LIVE/ Protesta para bashkisë së Tiranës, qytetarët kërkojnë largimin e Veliajt

KLP e ‘sigurimsave’ dhe baxhanakëve që do të zgjedhë Kryeprokurorin/ Ja faktet

KLP e ‘sigurimsave’ dhe baxhanakëve që do të zgjedhë Kryeprokurorin/ Ja faktet

13:17, 29/04/2019
A+ Aa A-

Pas pak ditësh përfundon afati i aplikimeve për kandidaturat për Prokurorin e Përgjithshëm me mandat të plotë. Deri më tani, kanë dorëzuar aplikimet prokurorët Olsian Çela, Fatjona Memçaj, si edhe avokati i Top Channel, Lulzim Alushaj.

Ndërkohë, pritet që brenda afatit zyrtar të dorëzojë aplikimin e saj edhe Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku.

Në përfundim të aplikimeve, Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) ka detyrimin që, brenda 45 ditëve të kryejë verifikimet dhe të listojë tre kandidatë, të cilët më pas do ia kalojë Parlamentit për votim.

Kushtetuta ka parashikuar që Parlamenti zgjedh Prokurorin e Përgjithshëm me 84 vota. Nëse askush nga kandidatët nuk arrin numrin 84, atëherë zgjidhet automatikisht fitues kandidati që është renditur i pari në listën e Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Në situatën aktuale politike, duket e vështirë që ndonjëri prej kandidatëve të marrë 84 vota deputetësh. Ndaj, një rëndësi shumë të madhe merr renditja që do të realizojë Këshilli i Lartë i Prokurorisë.

KLP, një prej institucioneve të reja të Reformës në Drejtësi, në fakt nuk duket se ka integritetin e gjithëpranuar publik dhe politik, që të jetë i pakontestueshëm në vendimmarrjen e tij.

KLP e “sigurimsave”

Në Këshillin e Lartë të Prokurorisë janë dy anëtarë, për të cilët Autoriteti i Dosjeve ka konstatuar se kanë pasur lidhje me ish-Sigurimin e Shtetit famëkeq të periudhës së komunizmit.

Anëtari i KLP, Bujar Sheshi (Shesha), është konsideruar si bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, me një vendim të posaçëm të Autoritetit të Dosjeve. Pas këtij konstatimi, prokurori Sheshi e kundërshtoi këtë vendim në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë, e cila i dha të drejtë anëtarit të KLP. Gjithësesi, vendimi i gjykatës nuk është i formës së prerë, përsa kohë që Autoriteti i Dosjeve i qëndron versionit të tij dhe ka njoftuar ankimimin e rastit në Gjykatën Adminsitrative të Apelit.

Anëtarja Nurihan Seiti rezulton në dokumentat e ish-Sigurimit të Shtetit, sipas konstatimeve të Autoritetit të Dosjeve. Seiti, e cila është në radhët e KLP-së si avokate, ka qenë prokurore në periudhën e fundit të komunizmit dhe ka hetuar persona të ndryshëm për krimet politike, si agjitacion e propagandë dhe tradhëti e lartë ndaj atdheut në formën e arratisjes nga vendi.

KLP e baxhanakëve

Në Këshillin e Lartë të Prokurorisë janë dy anëtarë, me lidhje të afërta me njëri-tjetrin. Prokurorët Besnik Cani dhe Vatë Staka janë baxhanakë, të dy kanë punuar së bashku në Shkodër dhe të dy njihen për lidhjet e ngushta me Kryeprokuroren e Përkohshme, Arta Marku.

Prokurori Besnik Cani, i cili ishte këshilltari më i afërt i Arta Markut në Prokurorinë e Përgjithshme, u zgjodh anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë në raundin e parë, në Dhjetor 2018.

Baxhanaku i tij, Vatë Staka u zgjodh rreth dy javë më parë, duke zënë vendin e lënë vakant nga ish-prokurorja Antoneta Sevdari.

Procesi i zgjedhjes së prokurorit Vatë Staka u kundërshtua nga rreth 45 prokurorë, të cilët e konsideronin procesin e përzgjedhjes së tij anti-ligjor. Por kjo kërkesë nuk u konsiderua aspak nga Arta Marku, e cila drejtonte Mbledhjen e Përgjithshme të Prokurorëve.

Me kandidimin e saj të pritshëm, Arta Marku ka, më së paku dy vota në favorin e saj, ato të baxhanakëve Cani-Staka.

KLP “qeveritare”

Pesë anëtarët jo-prokurorë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë me 11 vende janë zgjedhur vetëm me votat e Partisë Socialiste. Madje, disa prej tyre, janë emëruar në atë institucion edhe në kundërshtim me kriteret ligjore.

Kryetari Gent Ibrahimi, konstitucionalist, njihet më shumë si “kunati i Mimi Kodhelit”, deputete socialiste dhe një prej bashkëpunëtoreve më të afërta të kryeministrit Edi Rama. Sipas Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM), Gent Ibrahimi nuk plotësonte kriteret formale për të qenë anëtar i KLP. Megjithatë, konstatimi i garantëve ndërkombëtarë u rrëzua me votën e socialistëve.

Nënkryetari Alfred Balla, gjithashtu i zgjedhur vetëm me votat e socialistëve, nuk plotësonte kriteret formale për të qenë pjesë e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Vëzhguesit ndërkombëtarë të ONM-së kishin dhënë rekomandim negative për Ballën. Por, gjithësesi, ai u zgjodh vetëm me votat e maxorancës politike.

Prokurori i Krimeve të Rënda, Gentian Osmani, u zgjodh anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë me votat e kolegëve të tij, menjëherë sapo i kishte “shërbyer” ministrit të Brendshëm të asaj kohe, Fatmir Xhafaj, që të shpëtonte nga telashet e krijuara prej akuzave për vijimin e përfshirjes së vëllait të tij, Agron (Geron) Xhafaj në trafikun e narkotikëve.

KLP “nën presionin e Vetingut”

Dy nga anëtarët prokurorë të KLP-së, të sipërcituar, Besnik Cani dhe Gentian Osmani, së bashku me kolegun e tyre Arben Dollapaj, vijojnë të kenë llogari të pambyllura me procesin e Vetingut.

Vëzhguesit e ONM rekomanduan shkarkimin e prokurorit Gentian Osmani në datë 9 Gusht 2019. Po ashtu, në 25 janar 2019, ONM rekomandoi edhe shkarkimin e prokurorit tjetër, Besnik Cani. Ndërkohë, Komisioneri Publik ka ankimuar vendimin e konfirmimit në detyrë edhe për anëtarin e KLP-së, prokurorin e Apelit të Shkodrës, Arben Dollapaj. /Boldnews.al/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

krasasi tp29/04/2019 16:44

KLP nuk duhet te jete as e "sigurimseve" as e "qeverise" as e "baxhanakeve"as e Arta Markut si kordinatore e dy "regjimeve"te para e pas Reformes ne Drejtesi.ONM nuk duhet te pajtohet me kapjen e organeve te reja te sistemit te drejtesise dhe opozita duhet te shprehet nominalisht per kedo.Publiku duhet te njifet me kontenstimet e opozites.Pjese e marreveshjes midis mazhorances dhe opozites, qe une mendoj se do arrihet me ndermjetesim nderkombetar, duhet te jete edhe permbyllja sa me shpejt e R.D.

Shto koment

Denonco