Vjedhja në Pashaliman, ushtarakët e akuzuar mohojnë akuzat

Vjedhja në Pashaliman, ushtarakët e akuzuar mohojnë akuzat

16:24, 12/01/2019
A+ Aa A-

Ushtarakët e akuzuar mohojnë përfshirjen në skandalin e vjedhjes së armëve në bazën e Pashalimanit në Vlorë. Skandali i grabitjes së armëve në Bazën Detare të Pashalimanit vijon të thellohet me zbulimin e detajeve të reja.

Ndërkohë burimet thanë se numri i armëve të vjedhura mund të jetë më i lartë nga sa u raportua fillimisht. Burime të besueshme thonë se nga baza ushtarake janë vjedhur mitralozë, automatikë kallashnikovë, granata e armatime.

Ndërkohë katër nga pesë personat e vënë në akuzë për skandalin e vjedhjes së armëve janë arrestuar mbi bazë të ligjit Ushtarak, ndërsa i pesti që sipas burimeve është komandanti i bazës, hetohet nën gjendje të lirë. Ata janë marrë në pyetje nga Policia Ushtarake ku sipas burimeve kanë mohuar përfshirjen në këtë ngjarje të paprecedentë.

Prokurori i Vlorës, Ardian Ylli i konfirmoi se materialet janë dorëzuar pranë akuzës nga Policia Ushtarake e cila çdo procedurë po e ndjek sipas rregullave të ligjit ushtarak.

Palët tregohen të rezervuara në detaje për këtë ngjarje, por burimet thonë se dyshimet kryesore bien mbi dy përgjegjësit e depos së armatimeve. Ndaj tyre është ngritur akuza e Shpërdorimit të Detyrës dhe Dëmtimit të Pronës ushtarake. Ndërkaq dy të ndaluarit e tjerë në hierarki më të lartë dhe vetë drejtuesi i bazës, akuzohen vetëm për shpërdorim detyre.

Prej mbrëmjes së të premtes 4 të ndaluarit me gradë ushtarake mbahen në ambientet e paraburgimit të Policisë së Vlorës për shkak se Policia Ushtarake nuk ka qeli izolimi, ndërsa të dielën në mëngjes është parashikuar që ata të dalin para gjykatës për masë sigurie.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco