Një natë me emocione të forta në Botërorin 2026 u kthye në një moment historik për Cristiano Ronaldon, i cili nuk i mbajti dot lotët pas fitores dramatike të Portugalisë 2-1 ndaj Kroacisë.
Kapiteni portugez u pa i përlotur në fushën e lojës në Toronto, duke veshur fanellën me numrin 21 të Diogo Jota-s, në një homazh prekës në përvjetorin e parë të ndarjes së tij nga jeta.
Ronaldo u fotografua duke fshirë lotët dhe duke ngritur shikimin drejt qiellit, ndërsa mbante veshur fanellën e shokut të tij të ndjerë të Kombëtares, me të cilin kishte pasur një marrëdhënie të ngushtë si brenda ashtu edhe jashtë fushës.
Pas vërshëllimës finale, 41-vjeçari vazhdoi të mbante fanellën e Jota-s edhe gjatë intervistës pas ndeshjes, ku u shpall gjithashtu lojtari më i mirë i takimit.
“E dinim çfarë do të thoshte kjo datë për ne. E dinim. Ne fituam për Diogo-n, për ne, për Portugalinë,” u shpreh Ronaldo me emocione.
“Ishim të vetëdijshëm përpara ndeshjes. Ishte një moment shumë i veçantë. Sot folëm si grup për rastësinë e kësaj dite, është e pabesueshme. Do të thotë shumë për ne, jo vetëm sepse fituam,” shtoi ai.

Gjatë ndeshjes, Ronaldo kishte shënuar golin e barazimit me penallti pas ndërhyrjes së VAR-it, përpara se të largohej nga loja pak minuta para fundit. Më pas, Gonçalo Ramos shënoi golin vendimtar në minutat shtesë.
Në fundin dramatik të sfidës, Kroacia mendoi se kishte barazuar në minutën e 103-të me Josko Gvardiol, por goli u anulua sërish pas një tjetër rishikimi nga VAR-i për pozicion jashtë loje në aksionin ndërtues.
Pas përfundimit të ndeshjes, Ronaldo dhe gjithë skuadra portugeze u bashkuan në mesfushë, duke mbajtur një fanellë të kuqe me emrin dhe numrin e Diogo Jota-s, ndërsa në ekranet e stadiumit u shfaq edhe fotografia e tij në një homazh të veçantë para ndeshjes.
Ronaldo e ngriti fanellën lart, e ktheu për të treguar numrin 21 dhe më pas tregoi me gisht drejt qiellit, në një gjest simbolik për mikun e tij të ndjerë.
Fitorja e Portugalisë i siguron asaj kualifikimin në fazën e radhës, ku do të përballet me Spanjën në një duel që pritet të jetë ndër më të fortët e turneut.

© SYRI.net