FIFA ka vendosur të mos zbatojë, të paktën për momentin, ndryshimin e planifikuar në procedurën e hedhjes së shortit për goditjet e penalltive. Sipas raportimeve të BBC-së, ideja ishte që të përdorej vetëm një short në vend të dy, por ndryshimi nuk u miratua në kohë dhe rregulli aktual mbeti në fuqi.
Ndeshja mes Kanadasë dhe Afrikës së Jugut, e vlefshme për fazën e 1/16-ave të Kupës së Botës 2026, ishte e para ku mund të ishte zbatuar sistemi i ri, por FIFA vendosi të mos ndryshonte rregullat gjatë turneut.
Sipas gazetës britanike ‘The Times’, FIFA kishte zhvilluar bisedime me International Football Association Board, organ përgjegjës për rregullat e futbollit, madje ishte shqyrtuar mundësia që ndryshimi të hynte në fuqi gjatë zhvillimit të Botërorit.
Arsyeja kryesore e propozimit lidhet me dëshirën e FIFA-s për të shmangur një avantazh të mundshëm për njërën skuadër. Aktualisht zhvillohen dy hedhje shorti: njëra për të përcaktuar portën ku do të ekzekutohen penalltitë dhe tjetra për të vendosur se cila skuadër do të godasë e para. Nëse një kapiten fiton të dy shortet, ai mund të zgjedhë si anën e fushës, shpesh pranë tifozëve të vet, ashtu edhe rendin e goditjeve, gjë që FIFA e konsideron një avantazh të panevojshëm.
Sipas modelit të propozuar, do të zhvillohej vetëm një short. Skuadra fituese do të zgjidhte ose portën ku do të ekzekutoheshin penalltitë, ose të drejtën për të goditur e para. Nëse do të zgjidhte portën, atëherë kundërshtari do të vendoste rendin e ekzekutimit. Ky është i njëjti parim që zbatohet edhe në shortin para fillimit të ndeshjes, ku skuadra që zgjedh anën e fushës ia lë topin kundërshtarit.
Për momentin, procedura e penalltive mbetet e pandryshuar. Megjithatë, burime pranë FIFA-s bëjnë të ditur se organizata pritet ta rikthejë këtë propozim në diskutim në të ardhmen.
Kupa e Botës 2026 ka sjellë tashmë një sërë risish në rregullore, mes tyre zgjerimin e numrit të skuadrave pjesëmarrëse, zhvillimin e turneut në tri vende organizatore, ndryshime në kohën e lejuar për rivëniet anësore dhe goditjet nga porta, rregulla të reja për ndërhyrjen e VAR-it, si edhe procedura të reja për ndërhyrjen e stafit mjekësor gjatë ndeshjeve.
© SYRI.net