Trajneri i Gjermanisë, Julian Nagelsmann, ka bërë të qartë se nuk ka ndër mend të largohet nga posti i tij pas eliminimit zhgënjyes nga Paraguai në Kupën e Botës 2026.
Tekniku gjerman deklaroi se dëshira e tij është të vazhdojë punën deri në përfundim të kontratës, e cila skadon më 30 qershor 2028, pas zhvillimit të Kampionatit Evropian.
"E ardhmja ime nuk varet vetëm nga unë. Dua të vazhdoj dhe jam gati. Por në futboll nuk ke gjithçka nën kontroll. Nëse Federata dëshiron që unë të vazhdoj, do të jem i lumtur të përgatis skuadrën për Kampionatin Evropian dhe për Ligën e Kombeve. Nëse nuk e dëshiron këtë, atëherë duhet të ma thotë", u shpreh Nagelsmann.
Megjithatë, vendimi përfundimtar do t'i takojë Federatës Gjermane të Futbollit, e cila do të vlerësojë të ardhmen e stolit pas dështimit në Botëror. Pavarësisht se kjo nuk konsiderohet një nga kombëtaret më të forta në historinë e Gjermanisë, pritshmëritë ishin shumë më të larta dhe eliminimi që në fazën e 1/16-ave u konsiderua një zhgënjim.
Një nga futbollistët që e pranoi këtë ishte edhe Kai Havertz, autor i golit të barazimit në ndeshjen ndaj Paraguait, i cili theksoi se kombëtarja nuk arriti të përmbushte objektivat e saj.
Ndërkohë, drejtori sportiv i DFB-së, Rudi Völler, i ka dhënë mbështetje publike Nagelsmannit.
"Të gjithë e dinë se çfarë mendoj për Julianin. Ai mbetet një trajner i nivelit më të lartë. Jam i bindur se është njeriu i duhur për të vazhduar. Ai është një luftëtar. Do të takohemi sërish brenda dy ditëve dhe më pas do të vendosim. Për mua, ai është njeriu i duhur në vendin e duhur", deklaroi Völler.
Takimi mes drejtuesve të Federatës Gjermane dhe Nagelsmannit pritet të jetë vendimtar për të ardhmen e pankinës së "Pancerave", edhe pse sinjalet e para tregojnë se trajneri vazhdon të gëzojë besimin e drejtuesve të futbollit gjerman.
© SYRI.net