Teksa faza e grupeve të Kupës së Botës 2026 po shkon drejt fundit, tifozët në rrjetet sociale nuk po diskutojnë vetëm për ndeshjet dhe golat, por edhe për stadiumet që kanë pritur spektaklin më të madh të futbollit.
Sipas mendimeve të shumta të tifozëve, stadiumi BBVA në Monterrey të Meksikës është konsideruar si arena më e bukur e këtij Botërori.
Impianti modern, me një kapacitet prej rreth 53 mijë spektatorësh, ka tërhequr vëmendjen jo vetëm për infrastrukturën e tij, por edhe për peizazhin mahnitës që e rrethon. Në sfond të stadiumit ngrihet mali i njohur Cerro de la Silla, një nga simbolet më të famshme natyrore të Monterrey-t.

Pamja spektakolare e stadiumit me malin në horizont ka mahnitur tifozët nga e gjithë bota, ndërsa fotografitë dhe videot e publikuara gjatë ndeshjeve janë bërë virale në rrjetet sociale.
Shumë përdorues e kanë cilësuar BBVA-në si stadiumin me panoramën më mbresëlënëse të Botërorit 2026, duke theksuar se kombinimi i arkitekturës moderne me bukuritë natyrore krijon një atmosferë unike për futbollin.
Me fillimin e fazës me eliminim direkt, stadiumi në Monterrey pritet të vazhdojë të jetë një nga skenat më tërheqëse të turneut, duke ofruar jo vetëm emocione sportive, por edhe pamje që kanë fituar admirimin e tifozëve në mbarë botën.

© SYRI.net