Lionel Messi ka hyrë edhe një herë në historinë e Kupës së Botës, duke u bërë lojtari më i vjetër që shënon “hat-trick” në këtë kompeticion. ‘Ylli’ argjentinas realizoi tre gola në fitoren 3-0 të Argjentinës ndaj Algjerisë në ndeshjen e parë të Grupit në Botërorin 2026.
Me këtë paraqitje, Messi theu rekordin që më parë i përkiste Cristiano Ronaldos, i cili kishte shënuar tre gola në Botërorin 2018 ndaj Spanjës në moshën 33 vjeç e 130 ditë. Messi e arriti këtë sukses në moshën 38 vjeç e 359 ditë, duke treguar edhe një herë jetëgjatësinë e jashtëzakonshme në nivelet më të larta të futbollit.
Me ‘tripletën’ e realizuar, kapiteni argjentinas ka arritur në kuotën e 16 golave në Botëror, duke barazuar rekordin historik të Miroslav Kloses në krye të listës së golashënuesve më të mirë të të gjitha kohërave në Kupën e Botës. Megjithatë, konkurrenca vazhdon të jetë e fortë, pasi Kylian Mbappé po afrohet gjithnjë e më shumë pas paraqitjeve të fundit.
Ky rekord e ka futur Messin gjithashtu në listën elitare të lojtarëve më të vjetër që kanë luajtur në Botëror, duke konfirmuar edhe një herë statusin e tij si një nga figurat më të mëdha në historinë e futbollit botëror.

© SYRI.net