Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) po bën thirrje për rritje të vigjilencës pas disa rasteve të etheve të Nilit Perëndimor në Evropën Jugore.
Zyra Rajonale e OBSH-së për Evropën, me seli në Kopenhagë, ka raportuar se numri i rasteve të shkaktuara nga virusi që transmetohet nga mushkonjat është rritur javët e fundit, veçanërisht në Greqi dhe Itali. Sezoni i kësaj sëmundjeje sapo ka filluar.
Sipas OBSH-së, vetëm javën e kaluar në Greqi u konfirmuan 14 raste. Kjo e çon në 21 numrin total të rasteve që nga fillimi i vitit. Trembëdhjetë prej të prekurve ishin ende të shtruar në spital, tre prej tyre në njësitë e kujdesit intensiv, sipas Autoritetit Kombëtar Grek të Shëndetit Publik.
Sipas OBSH-së, Italia raportoi 21 raste në 17 rajone. Nga dy raste u regjistruan në Spanjë, Rumani dhe Maqedoninë e Veriut.
Deri tani këtë vit janë regjistruar dy raste në Gjermani
OBSH-ja thotë se virusi i Nilit Perëndimor zakonisht transmetohet midis mushkonjave dhe shpendëve. Megjithatë, mushkonjat e infektuara mund të pickojnë edhe njerëzit dhe t’i infektojnë ata, më së shpeshti në periudhën nga korriku deri në shtator.
Sipas Institutit Robert Koch (RKI), instituti gjerman për kontrollin dhe parandalimin e sëmundjeve, shumica e personave të infektuar nuk e kuptojnë se janë bartës të virusit. Prandaj, studiuesit supozojnë se ekziston një numër i lartë rastesh të paregjistruara.
Në Gjermani, deri në fund të javës së kaluar ishin regjistruar dy raste të etheve të Nilit Perëndimor këtë vit, sipas RKI-së. Instituti bëri të ditur se të dy infeksionet ishin marrë gjatë udhëtimeve jashtë vendit.
Këshilla për t’u mbrojtur nga pickimet e mushkonjave
Sipas RKI-së, rreth një e pesta e personave të infektuar zhvillojnë simptoma të ngjashme me gripin, të cilat shfaqen dy deri në 14 ditë pas infektimit. Në rastet e rënda, sëmundja mund të prekë sistemin nervor, duke shkaktuar gjendje të tilla si encefaliti dhe meningjiti. Nuk ekziston as vaksinë dhe as një ilaç specifik kundër virusit. Mjekët mund të trajtojnë vetëm simptomat.
OBSH-ja theksoi se rreziku për zhvillimin e një forme të rëndë të sëmundjes është i ulët për shumicën e njerëzve, por se mundësia e infektimit po rritet për shkak të verave më të gjata dhe më të nxehta.
“Çdo person që zhvillon temperaturë të lartë, skuqje të lëkurës ose ngurtësim të qafës pas një pickimi nga mushkonja duhet të konsultohet me një mjek pa vonesë,” paralajmëroi drejtori rajonal i OBSH-së, Hans Henri Kluge.
OBSH-ja u rekomandon udhëtarëve të zvogëlojnë rrezikun e pickimeve nga mushkonjat duke veshur rroba të përshtatshme dhe duke përdorur preparate kundër mushkonjave (repelentë)./DPA News
© SYRI.net