Banka Botërore: Tërmetet në Venezuelë shkaktuan dëme prej 19.6 miliardë dollarë

Banka Botërore: Tërmetet në Venezuelë shkaktuan dëme prej 19.6 miliardë dollarë

22:39, 24/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Grupi i Bankës Botërore ka vlerësuar se dy tërmetet e fuqishme që goditën Venezuelën më 24 qershor kanë shkaktuar dëme të drejtpërdrejta fizike me vlerë rreth 19.6 miliardë dollarë.

Sipas vlerësimit të shpejtë të institucionit, ndërtesat e banimit kanë pësuar goditjen më të madhe, duke përbërë 47 për qind të dëmeve totale. Ndërkohë, 27 për qind e humbjeve lidhen me infrastrukturën, ndërsa 26 për qind me ndërtesat jo-rezidenciale.

Dy lëkundjet sizmike, me magnitudë 7.2 dhe 7.5, goditën vendin e Amerikës së Jugut më 24 qershor, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme, veçanërisht në shtetin La Guaira dhe Distriktin e Kryeqytetit, të cilat përfaqësojnë rreth gjysmën e humbjeve totale financiare.

Zv.presidentja e Bankës Botërore për Amerikën Latine dhe Karaibet, Susana Cordeiro Guerra, theksoi rëndësinë e disponimit të të dhënave të besueshme për të ndërtuar një proces efektiv rimëkëmbjeje. Ajo deklaroi se institucioni i ka ofruar qeverisë venezuelase një bazë objektive për planifikimin e rindërtimit të zonave të prekura.

Raporti paralajmëron se, nëse investimet për rindërtimin mbeten në nivelet aktuale, procesi nuk do të mund të përfundojë brenda një periudhe 10-vjeçare.

Për të mbështetur përpjekjet e rimëkëmbjes, Grupi i Bankës Botërore ka nisur operacione të përbashkëta me partnerë të tjerë zhvillimorë, me synimin për të siguruar mbështetje shtesë teknike dhe financiare për Venezuelën.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco