Një grup prej 42 kongresmenësh amerikanë kanë kërkuar që Sesioni Vjetor i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së të mos zhvillohet në Serbi, duke propozuar që aktiviteti të mbahet në Karolinën e Jugut, në Shtetet e Bashkuara.
Reagimi është bërë i ditur nga kongresmeni amerikan Joe Wilson, Bashkëkryetar i Komisionit të Helsinkit, i cili deklaroi se 41 kolegë të tij nga të dyja partitë i janë bashkuar kërkesës për ndryshimin e vendit pritës.
“Jam mirënjohës që më janë bashkuar 41 nga kolegët e mi të të dyja partive për të kërkuar që Sesioni Vjetor i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së të mbahet në Karolinën e Jugut dhe jo në Serbi”, u shpreh Wilson.
Në deklaratën e tij, kongresmeni amerikan ka kritikuar lidhjet e Beogradit me Rusinë, Kinën dhe Iranin, duke argumentuar se Serbia nuk është një vend i përshtatshëm për organizimin e një aktiviteti të rëndësishëm ndërkombëtar.
Reagimi i Kongresmenit Joe Wilson:
Jam mirënjohës që më janë bashkuar 41 nga kolegët e mi të të dyja partive për të kërkuar që Sesioni Vjetor i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së të mbahet në Karolinën e Jugut dhe JO në Serbi. Serbia ka ndikim të tepërt rus, kinez dhe iranian.
Serbia mori pjesë në funeralin shtetëror të liderit terrorist Khamenei, ku u shfaqën pankarta që kërcënonin jetën e Presidentit Trump; ajo ka ruajtur marrëdhënie të thella me Rusinë për gjithçka, nga energjia te siguria, si dhe ka blerë e përdor sisteme kineze të mbrojtjes ajrore, dronë dhe teknologji të avancuar ushtarake.
Serbia është plotësisht irredentiste dhe ministrat e saj rregullisht e arsyetojnë apo mohojnë gjenocidin që ka kryer, ose kërcënojnë ta kryejnë sërish. Vuçiç është në xhepin e kundërshtarëve të SHBA-së. Ky nuk është vend për ASNJË aktivitet ndërkombëtar!
I’m grateful to be joined by 41 of my bipartisan colleagues to demand that the OSCE PA Annual Session be held in South Carolina and NOT Serbia. Serbia has undue Russian, Chinese, and Iranian influence. Serbia attended the state funeral for terrorist leader Khamenei where banners…
© SYRI.net