Aliyev zbulon bisedime të fshehta gjermano-ruse në Baku: Territori ynë u përdor pa dijeninë tonë

Aliyev zbulon bisedime të fshehta gjermano-ruse në Baku: Territori ynë u përdor pa dijeninë tonë

23:15, 21/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, deklaroi të martën se të dhënat e fluturimeve tregojnë se zyrtarë dhe ish-zyrtarë gjermanë e rusë kanë zhvilluar një takim të fshehtë në Baku gjatë këtij muaji. Kjo është hera e parë që Azerbajxhani konfirmon vizitat e përmendura në raportimet mediatike.

Sipas një hulumtimi të përbashkët të mediumeve gjermane “Die Zeit” dhe ARD, ish-zyrtarët e lartë gjermanë Ronald Pofalla dhe Matthias Platzeck kanë zhvilluar takime të fshehta me figura të afërta me presidentin rus Vladimir Putin, përfshirë drejtues të lartë të kompanisë “Gazprom”, ish-kryeministrin rus Viktor Zubkov dhe persona të sanksionuar nga Bashkimi Evropian. Takimet thuhet se janë zhvilluar në Baku që nga viti 2024.

Sipas mediave gjermane, agjencitë e inteligjencës së Gjermanisë dyshojnë se këto kontakte mund të jenë pjesë e një operacioni rus ndikimi, me synim ndikimin në politikën gjermane. Raportohet gjithashtu se pala ruse po përpiqet të përcjellë mesazhin se lufta në Ukrainë mund të përfundojë vetëm sipas kushteve të Moskës dhe po shqyrton mundësinë e normalizimit të marrëdhënieve me Gjermaninë pas përfundimit të konfliktit.

Duke folur pas një takimi në Berlin me kancelarin gjerman Friedrich Merz, Aliyev tha se autoritetet azerbajxhanase nisën hetimet pasi mësuan për këto vizita nga raportimet e mediave.

“Ne nuk morëm informata për këtë as nga Gjermania, as nga Rusia. Me fjalë të tjera, territori ynë thjesht u përdor pa dijeninë tonë”, tha Aliyev.

Sipas presidentit azer, të dhënat e fluturimeve tregojnë se Pofalla, ish-drejtues i zyrës së kancelares Angela Merkel, dhe Platzeck, ish-kryetar i Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë (SPD), udhëtuan nga Berlini drejt Bakus më 12 korrik dhe u kthyen më 14 korrik.

Ministria e Jashtme e Gjermanisë nuk dha menjëherë koment për këtë çështje, ndërsa agjencia “Reuters” raportoi se nuk arriti t’i kontaktonte menjëherë Pofallën dhe Platzeckun për një reagim.

Që nga fillimi i luftës në Ukrainë në vitin 2022, Azerbajxhani është përpjekur të ruajë marrëdhënie me Moskën dhe Kievin. Baku i ka ofruar ndihmë humanitare Ukrainës, por nuk i është bashkuar sanksioneve perëndimore ndaj Rusisë.

Megjithatë, marrëdhëniet mes Azerbajxhanit dhe Rusisë janë tensionuar vitet e fundit, veçanërisht pas rrëzimit aksidental nga mbrojtja ajrore ruse të një avioni pasagjerësh azer në dhjetor të vitit 2024, ku humbën jetën të paktën 38 persona.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco