Kush është dhe çfarë mendon Xi Jinping, njeriu që dëshiron ta bëjë Republikën popullore qendrën e botës

Kush është dhe çfarë mendon Xi Jinping, njeriu që dëshiron ta bëjë Republikën popullore qendrën e botës

19:34, 07/05/2024
A+ Aa A-

Nga Federico Rampini, Corriere della Sera

Xi Jinping nuk e sheh versionin amerikan të serialit televiziv “Problemi i tre trupave” (në Netflix). E megjithatë aty ka një skenë që flet edhe për të. Ajo është njëherazi më e bukura dhe më e tmerrshmja. Skena e fillimit të filmit, zhvillohet më mesin e Revolucionit Kulturor Maoist.

Një Gardist i Kuq, torturon për vdekje një profesor të fizikës. Presidenti aktual kinez i ka vuajtur nën shpinën e tij marrëzitë e asaj dekade (1966-1976), kur Mao Ce Duni e zhyti vendin në dhunë dhe kaos për të pasur një pushtet absolut.

Shkollat dhe universitetet u mbyllën, dhe Xi si shumë nga brezi i tij u dërgua në fshat për të punuar tokën, duke humbur vite të çmuara për arsimimin e tij, dhe pa sjellë asnjë përfitim domethënës për bujqësinë. Punët shkuan akoma më keq për babain e tij, një nga udhëheqësit e Partisë Komuniste.

Një ish-bashkëpunëtor i ngushtë i Maos gjatë luftës kundër nacionalistëve, ai ishte ndër udhëheqësit që u poshtëruan publikisht dhe persekutuan. Megjithatë, Xi e trajton me respekt atë periudhë famëkeqe të historisë kombëtare, duke shfaqur gati-gati një lloj nostalgjie.
Image

Ai ndalon përmendjen e të paktën një milionë gjysmë të vdekurve gjatë luftës civile. Të rinjve të sotëm u thotë: “Mësoni që ta përtypni hidhërimin!”. Kjo duket thuajse si një qortim i nënkuptuar për mirëqenien që gëzon Gjenerata Z dhe pritshmërive të tyre të larta. Por apeli i tij duket se bie në vesh të shurdhër, pasi shumë të rinj preferojnë të qëndrojnë në shtëpinë e prindërve të tyre të papunë, në vend se të pranojnë një punë në fabrikë apo në bujqësi.

Gjatë vizitës time të fundit në Kinë – kthimi im i parë pas pandemisë – pata përshtypjen se Xi po bën një lloj numërimi mbrapsht. Pra po llogarit edhe për sa kohë do të ketë nevojë për ne perëndimorët, përpara se të çlirohet nga të gjitha varësitë. Sigurisht, atij nuk i intereson turizmi i huaj, duke qenë se tashmë Republika Popullore është një “flluskë dixhitale” gati e padepërtueshme.

Ata që vijnë nga jashtë, pa një aplikacion kinez dhe një kartë krediti apo llogari bankare lokale të lidhur me Weixin ose Alipay (platformat e pagesave celulare), nuk janë në gjendje që të bëjnë praktikisht asgjë: të rezervojnë biletën për një udhëtim me tren, të vizitojnë një muze, të paguajnë taksinë apo një biletë avioni.

Nga ana tjetër, gjithçka funksionon në mënyrë të përsosur për ata që jetojnë atje. Dixhitalizimi i jetës së përditshme, është shumë më i përparuar se sa në Perëndim, por s’ka asnjë ndërveprim me botën e jashtme. Të vetmit të huaj që i interesojnë ende Xi-së, janë menaxherët e nivelit të lartë që sjellin kapital dhe teknologji.

Por edhe këta jo për shumë kohë. Nga një konsumatore e madhe e teknologjisë gjermane për 30 vite me radhë, sot Republika Popullore po e pushton Gjermaninë me makinat e saj elektrike dhe panelet diellore. Xi i mirëpret vetëm ata që i sjellin teknologji, të cilat Pekini nuk ka arritur ende t’i kopjojë.

Ai është i zemëruar me Amerikën për shkak të embargos të kësaj të fundit mbi furnizimet me mikroçipa të sofistikuar, një sanksion i vendosur nga Bajden. Por ai po punon tashmë për t’i prodhuar ato në vend, dhe ndoshta një ditë kompania e madhe kineze Huawei do të ketë sukses.

Ndërkohë, komuniteti i menaxherëve të huaj në Shangai, është përgjysmuar në krahasim me nivelet para pandemisë. Meqë Pekini mbyllet edhe ndaj shtypit të huaj dhe po i redukton vizat për gazetarët, cilësia e informacionit tonë mbi superfuqinë e dytë në botë, dobësohet në mënyrë të pashmangshme.

Por kjo gjë nuk e shqetëson aspak X, përkundrazi. Në Perëndim, dhe sidomos në SHBA, flitet shumë për krizën e modelit kinez. Fraza më në modë: Superfuqia aziatike e ka arritur tashmë “kulmin”, majën e ngritjes së saj, dhe tanimë ka nisur rënia, e cila nuk dihet se ku dhe kur do të përfundojë.

Në fakt, shenjat e vështirësive janë reale: papunësia e të rinjve është në nivelin 20 për qind, dhe ka një krizë serioze në sektorin e pasurive të paluajtshme. Megjithatë, që nga fillimi i këtij viti, ka pasur një rimëkëmbje të rritje ekonomike, 6.6 për qind të PBB-së.

Natyrisht, është larg epokës së artë, kur në periudhën 1999-2008, pati rritje vjetore prej 10 për qind ose edhe më shumë. Dihet edhe natyra e kësaj rimëkëmbje:e udhëhequr nga eksportet. Dhe jemi ne perëndimorët, ata që po e nxjerrim Xi nga telashet. Tregjet tona përballen me një pushtim të ri të produkteve “made in China”.

Ndërsa udhëheqja komuniste planifikon kalimin drejt një varësie gjithnjë e më të vogël nga Perëndim, është e bindur se ne nuk do të mund të çlirohemi dot prej tyre. Ka nga ata që thonë se gjithçka që po ndodh, bazohet në vizionin e Xi.

Kriza e konsumit të brendshëm, e ka origjinën kryesisht brenda vendit dhe është e shkaktuar nga politikat e qeverisë. Duke u rikthyer tek rrënjët e tij maoiste, Xi ka shprehur për vite me radhë përbuzjen ndaj “konsumerizmit perëndimor”, duke e cilësuar si një nga shenjat kalbëzimit.

Image

Dhe si për çudi për një superfuqi që emeton më shumë CO2 (dyoksid karboni) në atmosferë sesa Evropa dhe Amerika të marra së bashku, dhe që mirëqenien e saj materiale ia detyron rolit të saj si ‘fabrika kryesore’ e Perëndimit, Kina e Xi ndan një armiqësi moraliste me disa ambientalistë ndaj shoqërisë konsumatore.

Le të shpërdorojnë perëndimorët, kombi i tij duhet të shtrëngojë rripin, të miratojë masa shtrënguese të nënkuptuara, për t’i kanalizuar investimet drejt sektorëve strategjikë: teknologjitë e avancuara, bateritë dhe automjetet elektrike, armatimet.

Nëse bota po shkon drejt de-karbonizimit, Republika Popullore ka tashmë nën kontroll nxjerrjen, rafinimin dhe përpunimin e mineraleve të rralla dhe përbërësve thelbësorë. Se çfarë mendojnë për ne, Xi dhe bashkëpunëtorët e tij më të afërt, na e kanë thënë disa herë. Shefi i shërbimit sekret kinez Çen Jixin, ka deklaruar se “Lindja po rritet, Perëndimi po bie”.

Në dokumentin zyrtar të miratuar nga Partia Komuniste me rastin e 100-vjetorit të saj, thuhet se “Kina është më afër se kurrë shndërrimit në qendrën e botës”. Vetë Xi e akuzon plot zell Amerikën se dëshiron ta “perëndimorizojë Kinën”.

Pasi takoi Putinin së fundmi në Moskë, presidenti kinez i përshkroi kështu trazirat në balancën e fuqisë midis blloqeve:”Ndryshimet që po shohim tani, ndodhin zakonisht njëherë në një shekull, dhe jemi ne që po i udhëheqim ato”.

Në çdo konflikt, Pekini nuk ka asnjë lloj ngurrimi. Ai mban gjithnjë anën e forcave anti-perëndimore:Rusisë, Iranit, Koresë së Veriut. Duke mos e ndjerë veten në rënie, udhëheqja komuniste po punon për të ndërtuar një arkitekturë alternative të rendit ndërkombëtar, me synim zëvendësimin e asaj që Xi e konsideron si një rend që është ende shumë “amerikano-centrist”.

Që në dekadën e parë të pushtetit të tij, ai nisi zbatimin e tre projekteve globale, të cilat janë gurët e themelit të rendit të ri. Në vitin 2013, Nisma e Brezit dhe Rrugës, zëvendësoi dhe zgjeroi Rrugët e Reja të Mëndafshit: një plan gjigant për të ndërtuar infrastruktura të mëdha në të gjithë botën, për të eksportuar “modelin kinez” në vendet në zhvillim, për të lidhur vendet e përparuara me Pekinin, dhe për të zgjidhur problemin e mbi-kapacitetit prodhues të industrisë kombëtare.

Në vitin 2021 ishte radha e Nismës së Zhvillimit Global, e pasuar një vit më vonë nga Nisma e Sigurisë Globale. E para synon nevojat e vendeve në zhvillim; ndërsa e dyta synon ndërtimin e një NATO-je aziatike me qendër në Kinë, një rrjet marrëveshjesh sigurie për t’iu kundërvënë sistemeve të aleancës së Perëndimit./voxnews

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco