Aferë spiunazhi në Poloni, zbulohen pajisje përgjimi në sallën e mbledhjes së ministrave, dyshime te…

Aferë spiunazhi në Poloni, zbulohen pajisje përgjimi në sallën e mbledhjes së ministrave, dyshime te…

18:16, 07/05/2024
A+ Aa A-

Shërbimet speciale në Poloni kanë zbuluar disa pajisje përgjimi në një sallë ku do të mblidheshin ministrat e kabinetit.

Takimi i përjavshëm i ministrave polakë zhvillohet normalisht në zyrën e kryeministrit në Varshavë.

Megjithatë seanca e së martës u zhvendos në qytetin jugor të Katowice sepse disa ministra, përfshirë kryeministrin Donald Tusk, do të merrnin pjesë në një konferencë ekonomike atje.

Polonia ka parë aktivitet të shtuar spiunazhi që kur u bë një qendër ndërkombëtare për ndihmën ushtarake dhe humanitare për Ukrainën pas pushtimit të Rusisë në vitin 2022 raporton BBC.

 

“Shërbimi Shtetëror i Mbrojtjes, në bashkëpunim me Agjencinë e Sigurisë së Brendshme, zbuloi dhe çmontoi pajisje që mund të përdoreshin për përgjim,” shkroi zëdhënësi i shërbimeve të sigurisë Jacek Dobrzynski në X.

Dobrzynski tha se pajisjet u gjetën gjatë një kontrolli rutinë të sigurisë në dhomë. Agjencia e Sigurisë së Brendshme të Polonisë tani po heton se cilat ishin pajisjet dhe kush mund t’i kishte instaluar ato.

Zbulimi vjen pas lajmit të së hënës se një gjykatës polak po kërkon azil në Bjellorusinë fqinje. Tomasz Szmydt, një gjyqtar në Gjykatën Administrative në Varshavë, tha në një konferencë shtypi në Minsk se veprimet e tij ishin në shenjë proteste kundër politikës “së dëmshme” të Polonisë ndaj Bjellorusisë dhe Rusisë që mund të rezultojë në konflikt të armatosur midis vendeve. Hetuesit po kontrollojnë nëse gjyqtari kishte spiunuar për llogari të Bjellorusisë ose Rusisë.

Duke komentuar këtë aferë, ministri i Jashtëm polak Radoslaw Sikorski shkroi në X: “Një tradhtar. Pyetja e vetme është, që kur.”

Donald Tusk ka thirrur një takim të Kolegjit të Shërbimeve Sekrete për të mërkurën për të diskutuar ndikimin e mundshëm rus dhe bjellorus në politikën polake në vitet e fundit.

“Ne duhet të jemi të vetëdijshëm se shërbimet, në këtë rast ato bjelloruse, kanë punuar me një person që kishte akses të drejtpërdrejtë me ministrin e drejtësisë, i cili kishte akses në dokumente të ndryshme të klasifikuara në të cilat asnjë shërbim inteligjent nuk duhej të kishte akses,” tha kryeministri.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco