'Një nga grupet terroriste më të pasura në botë’/ Armë dhe logjistikë, nga vinin paratë për Hamasin? Si ndihmoi kriptovaluta në financimin e tyre

'Një nga grupet terroriste më të pasura në botë’/ Armë dhe logjistikë, nga vinin paratë për Hamasin? Si ndihmoi kriptovaluta në financimin e tyre

09:16, 26/10/2023
A+ Aa A-

Armë, logjistikë, luftëtarë – Hamasi ishte përgatitur mirë për sulmin terrorist ndaj Izraelit. Por nga vinin paratë?

Izraeli është një nga nëntë fuqitë bërthamore globale dhe krenohet me një nga sistemet më të avancuara dhe të ndërlidhura të mbrojtjes ajrore në botë. “Iron Dome” i Izraelit ka qenë mjaft i suksesshëm për vite me radhë në zmbrapsjen e sulmeve ajrore të Hamasit. Por më 7 tetor, Hamasi – një grup militant islamik dhe autoritet qeverisës de fakto në Rripin e Gazës që është klasifikuar si një organizatë terroriste nga BE, SHBA, Gjermania dhe qeveri të tjera – arriti t’i anashkalonte këto sisteme, duke lëshuar mbi

2000 raketa në Izrael nga brenda Rripit të Gazës. Si i mblodhi Hamasi të ardhurat për një sulm kaq të sofistikuar kundër një prej ushtrive më të përgatitura në botë? Sipas analistëve, një rol shumë të rëndësishëm luajtën kriptovalutat.

Financime disamilionëshe me kriptovaluta

Hamasi është shpallur organizatë terroriste, e për rrjedhojë përballet me sanksione dhe përjashtohet nga sistemi bankar ndërkombëtar. Por hulumtimet tregojnë se Hamasi ka marrë një sasi të konsiderueshme fondesh në formën e kriptovalutave: 41 milionë dollarë (39 milionë euro) midis gushtit 2021 dhe qershorit 2023, siç bën të ditur kompania kriptoanalitike BitOK, me qendër në Tel Aviv.

Xhihadi Islamik Palestinez (PIJ), militantët e të cilit iu bashkuan Hamasit në kryerjen e sulmit, ka marrë donacione të tjera në kriptovaluta në shumën prej rreth 93 milionë dollarësh, sipas Institutit të hulumtimit të kriptovalutave, Elliptic.

 Brigadat al-Qassam, krahu ushtarak i Hamasit, kanë marrë gjithashtu miliona dollarë transferta në kriptovaluta, sipas një analize të Elliptic. Këto transferta janë bërë me bitcoin dhe kripto-valuta të tjera, ndër to edhe dogecoin, një kriptovalutë e nxjerrë nga Elon Musk, e cila fillimisht u shpik si një shaka. Disa nga këto grupe janë aktive edhe në të ashtuquajturat miniera të kriptovalutave, thotë Elliptic, gjë që u lejon atyre të fitojnë më shumë para nga mirëmbajtja e rrjeteve të kriptomonedhave.

Hamas: “Një nga grupet terroriste më të pasura të botës” 

Edhe pse pati kaq kufizime, revista amerikane Forbes, në vitin 2014 e shpalli Hamasin një nga grupet terroriste më të pasura në botë. Në ato vite xhiroja vjetore e organizatës përllogaritej me rreth 1 miliardë dollarë. Në maj 2023 Ministria e Financave e SHBA-ve do ta përllogariste xhiron vjetore të organizatës me së paku 500 miliionë dollarë. Pjesa më e madhe e financimit të Hamasit vjen nga emigrantët ose donatorë privatë nga Rajoni i Gjirit Persik.

Irani konsiderohet si një nga mbështetësit më të spikatur financiarë të Hamasit. Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, fuqia e Lindjes së Mesme i furnizon Hamasin dhe grupet e tjera terroriste palestineze me rreth 100 milionë dollarë në vit. Edhe Katari dhe Turqia e mbështesin financiarisht Hamasin.

Kriptovalutat ua kanë bërë më të lehtë mbështetësve të Hamasit që të anashkalojnë sanksionet. Që nga viti 2019, Brigadat al-Qassam bëjnë thirrje për mbështetje në kanalet e tyre të mediave sociale Telegram që të dërgonin bitcoin. “Realiteti i xhihadit është mundi dhe energjia, por paratë janë shtylla kurrizore e luftës”, shkroi Hamasi në një postim, duke bashkangjitur një adresë portofoli virtual (Wallet), ku brenda vitit u mblodhën rreth 30,000 dollarë në bitcoin.

Në fokus të autoriteteve izraelite

Megjithatë, në prill 2023, grupi tha se do të ndalonte mbledhjen e fondeve me bitcoin, për shkak të një “dyfishimi të përpjekjeve të armikut kundër kujtdo që përpiqet të mbështesë qëndresën përmes kësaj monedhe”, shkroi Hamas në një mesazh në Telegram. Kriptomonedhat nuk janë burimi kryesor i i financimit të Hamas-it, por ka një fokus në rritje në ndërprerjen e këtij kanali ndaj Hamasit.

Pas sulmit të 7 tetorit 2023, Hamas bëri sërish thirrje për donacione me kritpo valuta, por autoritetet izraelite njoftuan se kishin ngrirë disa llogari të kriptomonedhave të lidhura me Hamasin. Njësia Kibernetike e Policisë dhe Ministria e Mbrojtjes morën menjëherë masa për të lokalizuar dhe ngrirë këto llogari: me ndihmën e Binance-it ato i kaluan fondet në thesarin e shtetit”, thuhet në një deklaratë të policisë.

Binance është tregu më i madh virtual i kriptomonedhave në botë. Ai bashkëpunon me autoritetet izraelite, por ndodhet vetë nën vëzhgim për rolin indirekt, por domethënës që ka luajtur në financimin e terrorizmit. Në vitet e fundit, autoritetet janë përpjekur të kapin kriptovalutat e mbajtura në dhjetëra llogari të Binance të lidhura me Hamasin, bën të ditur gazeta amerikane Wall Street Journal. Edhe Departamenti Amerikan i Drejtësisë po e heton tregun e kriptovalutave për mosparandalimin e pastrimit të parave.

Hetimi i Binance nxjerr në pah aktivitetet kriminale

Komunikimet e brendshme në Binance të zbuluara në procedurat gjyqësore tregojnë se edhe pse Binance mund të mos lejojë zyrtarisht klientë kriminelë, ajo është në dijeni dhe e toleron këtë bazë klientësh. Në një shkëmbim të brendshëm, ish-shefi i pajtueshmërisë Samuel Lim shkroi se terroristët zakonisht dërgojnë shuma të vogla, pasi shumat e mëdha konsiderohen si pastrim parash. “Nuk mund të blesh një AK 47 [pushkë sulmi] për 600 dollarë,” përgjigjet një koleg. Deutsche Welle (DW) e pyeti Binance për këtë komunikim, por deri tani nuk ka marrë përgjigje.

Organizata e Kombeve të Bashkuara vlerësojnë se kriptovalutat përbëjnë 20% të financimit të terrorit në botë. Sekuestrimi i fundit i llogarive të Hamasit ka hapur sërish debatin për kontrollin e kriptomonedhave. Kritikët thonë se kriptomonedhat janë mjeti më i përsosur i financimit për kriminelët, sepse pagesat mund të jenë të vështira për t’u gjurmuar dhe mund të shmangin rregulloret financiare. /DW/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco