Eskalon përplasja, Polonia ndërpret furnizimin me armë për Ukrainën

Eskalon përplasja, Polonia ndërpret furnizimin me armë për Ukrainën

08:20, 21/09/2023
A+ Aa A-

Një nga aleatët më të ngushtë të Ukrainës, njëkohësisht dhe fqinji i saj, Polonia, ka vendosur të mos dërgojë më armatime në ndihmë të Kievi, për shkak të përshkallëzimit të debatit diplomatik mes dy vendeve në lidhje me çështjen e grurit.

Kryeministri polak, Mateusz Morawiecki ishte ai që vendosi të japë këtë lajm, duke shtuar se tashmë vendi është fokusuar në armatimin e vetes me pajisje më moderne.

Tensionet mes dy vendeve janë rritur ndjeshëm gjatë javëve të fundit. Ditën e martë, Polonia thirri për shpjegime ambasadorin ukrainas, në lidhje me komentet e bëra nga presidentit Zelensky.

Ai tha mes të tjerash se “disa vende tregojnë solidaritet të shtirur për Ukrainën”, deklaratë të cilën Varshava e cilësoi të pajustifikuar dhe fyese pasi Polonia ka qenë në krah të Kievit që në ditët e para të luftës.

“Ne nuk do të dërgojmë më armë në Ukrainë, pasi kemi vendosur të armatosim Poloninë me armë moderne”, tha Morawiecki në një intervistë televizive pas disa ditësh debat në lidhje me çështjen e grurit.

Mosmarrëveshja e grurit filloi pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia, e cila bllokoi rrugët kryesore të transportit të Detit të Zi dhe e detyroi Ukrainën të gjente rrugë alternative tokësore.

Kjo gjë nga ana tjetër çoi në sasi të mëdha drithi në Evropën Qendrore. Rrjedhimisht, Bashkimi Evropian ndaloi përkohësisht importet e grurit në pesë vende; Bullgari, Hungari, Poloni, Rumani dhe Sllovaki për të mbrojtur fermerët vendas, të cilët kishin frikë se drithi ukrainas do të ulte çmimet në vend.

Ndalimi përfundoi më 15 shtator dhe BE zgjodhi të mos e rinovojë atë, por Hungaria, Sllovakia dhe Polonia vendosën të vazhdojnë ta zbatojnë atë.

Në fillim të kësaj jave, Ukraina ngriti padi në Organizatën Botërore të Tregtisë kundër këtyre vendeve lidhur me ndalimet , të cilat sipas saj ishin një shkelje e detyrimeve ndërkombëtare.

Morawiecki tha se do të rrisë numrin e produkteve të ndaluara nga Kievi nëse Ukraina përshkallëzon mosmarrëveshjen për drithërat.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco