Pakistan/ 44 persona të vrarë, momenti kur kamikazi hidhet në erë gjatë mitingut zgjedhor

Pakistan/ 44 persona të vrarë, momenti kur kamikazi hidhet në erë gjatë mitingut zgjedhor

07:39, 31/07/2023
A+ Aa A-

Të paktën 44 persona janë vrarë dhe dhjetëra janë plagosur në një sulm vetëvrasës në veriperëndim të Pakistanit , gjatë një mitingu zgjedhor të një partie radikale islamike.

Sulmi kishte në shënjestër partinë konservatore, fetare Jamia Ulema-e-Islam (JUI-F). Më shumë se 400 anëtarë dhe ndjekës të saj ishin mbledhur nën një tendë në fshatin Khar, afër kufirit me Afganistanin.

"Ndërsa ne prisnim që të vinin liderët, pati një shpërthim të fortë," tha Sabih Ullah, një mbështetës 24-vjeçar i partisë që theu krahun e tij pas shpërthimit. 

“E gjeta veten të shtrirë pranë dikujt që ishte amputuar. Ajri mbante erë mishi të djegur”, shtoi ai me telefon për AFP.

Një zëdhënës i ministrisë së shëndetësisë në provincën Khyber Pakhtunkhwa tha se të paktën 44 njerëz u vranë dhe më shumë se 130 u plagosën. “Ishte një sulm vetëvrasës, sulmuesi hodhi veten në erë shumë afër zonës së prapaskenës”, tha ai.

Fotot e postuara në mediat sociale treguan trupa dhe vullnetarë që ndihmonin viktimat e gjakosura në ambulanca.

Qeveria e Pakistanit pritet të shpërndahet brenda disa javëve të ardhshme, përpara zgjedhjeve që do të mbahen në tetor ose nëntor dhe partitë politike tashmë po përgatiten për fushatën e tyre zgjedhore.

Asnjë organizatë nuk ka marrë përgjegjësinë deri më tani. 

Dega lokale e Shtetit Islamik ka marrë më parë përgjegjësinë për sulmet kundër JUI-F. Partia ka një rrjet të gjerë xhamish dhe shkollash kuranore në Pakistanin verior dhe perëndimor. Xhihadistët akuzojnë JUI-F për hipokrizi sepse partia fetare ka mbështetur më parë qeveritë e njëpasnjëshme dhe ushtrinë e vendit.

 Udhëheqësi i JUI-F, Fazlur Rehman, një anti-amerikan dhe ish-islamist i linjës së ashpër, i cili bëri thirrje për zbatimin e sheriatit, vitet e fundit është përpjekur të ndryshojë imazhin e tij duke adoptuar qëndrime më të moderuara.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco