Xhaferri: Refugjatët, temë diskutimi në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë!

Xhaferri: Refugjatët, temë diskutimi në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë!

15:08, 16/11/2023
A+ Aa A-

Në kuadër të turit të vizitave zyrtare që po realizoj në Gjermani, ndalesa e radhës ishte Ministria e Jashtme, ku u takova me zyrtarë të lartë të këtij institucioni, mes të cilëve zotin Niels Von Redecker, Drejtori i Departamentit të Ballkanit Perëndimor.
 
Kryefjalë e këtyre takimeve ishte marrëveshja Rama-Meloni për çështjen e refugjatëve dhe shndërrimin e Shqipërisë në vend parkimi, ku ashtu si në takimin me Ministrin e Jashtëm të Italisë Antionio Tajani, shpreha shqetësimin se veç propogandës së Edi Ramës, Shqipëria nuk ofron garancitë e duhura në raport me çështjet e sigurisë për mbarëvajtjen e këtij pakti.

Zyrtarët gjermanë më komunikuan se po e studiojnë këtë pakt mes dy vendeve për të parë ecurinë e tij dhe përpuethshmërinë në raport me ligjet në fuqi si në Itali dhe në Shqipëri dhe pajtueshmërinë me ligjet e BE.

Zotin Redecker e informova se  kjo marrëveshje ka të bëjë me rikthimin, një praktikë e cila është e ndaluar sipas ligjit ndërkombëtar dhe evropian dhe për të cilën Italia është dënuar tashmë nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut.

Çështja tjetër ku ndala lidhet me sigurinë, ku i argumentova se vendi ynë nuk ofron garancitë e duhura, pasi rajoni në të cilin do ndërtohet kampi dekadën e fundit ka pasur një nivel të lartë kriminaliteti, ku evidentohet kultivimi masiv i kanabisit dhe trafiqet e paligjshme, kryesisht në rrugë detare drejt Italisë.

Theksova faktin së në Gjadër ku pritet ndërtimi i kampit të refugjatëve, ka qënë një ish bazë ajrore ushtarake, që sipas SHISH është përdorur nga trafikantët për të nisur ngarkesa kanabisi në drejtim të Italisë me avionë të vegjël, ndaj për këtë arsye prej vitesh pista është mbushur me blloqe betoni për të ndaluar këtë fenomen.

Zotin Redecker e informova se këta emigrantë mund të përfundojnë në rrjetën e trafikantëve të qënieve njerëzore, që në Shqipëri vijojnë aktivitetin lirisht, ku preja e tyre kryesore janë emigrantët e luftës nga lindja, çështje të cilën Shteti Shqiptar dështoi t'a menaxhonte pavarësisht ndihmës së Frontex.

Zyrtarët e Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë shprehën interes dhe për çështjen Beleri, ku i informova se në raport me këtë hetim SPAK i ndikuar nga qeveria Rama po vepron me një standard të dyfishtë pasi Belerin e mban në burg duke e penguar të kryejë betimin, teksa Kryebashkiakun e Rrogozhinës, Edison Memolla, për të njëjtën akuzë e heton në gjendje të lirë.

Zyrtarëve gjermanë u shpreha shqetësimin se drejtësia e re po keqpërdoret nga mazhoranca për të goditur opozitën dhe asgjësuar pluralizmin, ku theksova se logoja dhe vula e PD mbahen peng në gjykatë me urdhër qeveritar. 

Në kuadër të kësaj vizite folëm dhe për Kosovën ku kërkova mbështetje për Prishtinën Zyrtare në dialogun me Serbinë, teksa denoncova qëndrimet e Kryeministrit, Edi Rama, pro Beogradit që dekadën e fundit dëmtuan rëndë interesat e Kosovës. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco