Ron DeSantis-modeli për një qeverisje konservatore të aftë dhe efikase

Ron DeSantis-modeli për një qeverisje konservatore të aftë dhe efikase

15:44, 26/05/2023
A+ Aa A-

Nga Nikola Kedhi për Daily Wire

Guvernatori i Floridës Ron DeSantis njoftoi se do të kërkojë nominimin për të qenë kandidati republikan për Presidencën e Shteteve të Bashkuara. SHBA është fuqi superiore në botë, si në aspektin ekonomik ashtu edhe në atë ushtarak, me interesa gjeopolitike nëpër kontinente dhe ndikim ekonomik në shumë shtete. Për rrjedhojë, zgjedhjet amerikane tërheqin vëmendje të konsiderueshme, veçanërisht në Evropë.

Për shumë arsye, Guvernatori DeSantis është bërë simbol i një qeverisje konservatore efektive dhe të aftë, ndërsa Florida është një model për shumë qeveri të qendrës së djathtë në shtetet amerikane dhe vendet evropiane. Mbështetja amerikane për kandidaturën e tij do të tregonte se konservatorët refuzojnë kultin e individit, siç kanë bërë shpesh në të kaluarën, duke pranuar në vend të tyre mendimin e shëndoshë dhe politika të mirëfillta konservatore. Për europianët, zgjedhja e tij do të sillte një partner të besueshëm që do të forconte SHBA-në dhe aleancën perëndimore përballë agresionit dhe aspiratave hegjemonike të kundërshtarëve gjeopolitikë dhe do të paraqiste një model që funksionon për rimëkëmbjen e forcimin e ekonomisë.

DeSantis fitoi garën për në Dhomën e Përfaqësuesve në vitin 2012 kundër të gjitha parashikimeve, duke shkuar derë më derë, pa fonde e pa mbështetjen e drejtimit të Partisë, së bashku me bashkëshorten e tij, Casey, dhe duke bindur njerëzit që të zgjedhin një idealist të aftë për të bërë ato që thotë. Më pas ai u bë një nga themeluesit e Grupit të Lirisë në Dhomën e Përfaqësuesve, një nga grupet më konservatore në Kongresin e Shteteve të Bashkuara, të pakënaqur me moçalin e Uashingtonit, duke dalë në mbrojtje të përgjegjësisë fiskale, qeverisjes së kufizuar, lirive individuale, e duke kërkuar më pak burokraci dhe mbrojtje më të fortë kombëtare. Gjithashtu, ashtu siç arriti të hyjë në Harvard dhe Yale dhe të dalë më konservator se sa ishte kur nisi rrugën e tij akademike, në Kongres ai arriti jo vetëm të mos bëhej pjesë e moçalit, por edhe t’i bënte ballë. Po ashtu, ai i rezistoi me sukses Fauçizmit dhe shkeljeve botërore të të drejtave të njeriut dhe arriti të dalë fitimtar.

Në vitin 2018, DeSantis fitoi me një diferencë prej 0.4% kundër kandidatit të majtë Andrew Gillum. Katër vjet më vonë, me një rekord të suksesshëm qeverisës, ai shndërroi diferencën e fitores në afërsisht 20% me rivalin e tij Charlie Crist, duke treguar se zgjedhësit vlerësojnë aftësinë, politikanët që u qëndrojnë vlerave dhe parimeve të tyre, si dhe politikat që forcojnë lirinë dhe prosperitetin.

Ky ishte diferenca më e madhe e fitores së një Guvernatori të Floridës në dyzet vitet e fundit, duke fituar me lehtësi votën e burrave (64%), grave (53%), hispanikëve (58%), të bardhëve (65%), të pavarurve (53%) dhe republikanëve (97%), dhe duke arritur 13% me njerëzit me ngjyrë dhe 5% me të majtët. Ai fitoi Miami Dade, një bastion të majtë, për herë të parë në dy dekada, dhe nxori fitimtar Republikanët në Palm Beach për herë të parë që nga viti 1986. Nën udhëheqjen e tij, republikanët fituan shumicat absolute në të dy dhomat e Legjislaturës së Floridës dhe DeSantis përdori këto fitore për të shtyrë dhe nënshkruar ligje të bazuara në atë që ai faktikisht kishte premtuar gjatë fushatës për rizgjedhje. Z. DeSantis tregoi se ai mund të fitojë edhe aty ku demokratët mendojnë se kanë avantazhin. Në thelb, ai shndërroi një shtet që votonte herë majtas e herë djathtas në një bastion të besueshëm republikan, duke garantuar praktikisht zhdukjen e të majtës nga të gjitha pozitat e pushtetit. Më e rëndësishmja, ai mund të fitojë kundër Presidentit Biden, sepse ai mund të fitojë shtete si Arizona, Xhorxhia, Nevada dhe shumë të tjera që konkurrentët e tjerë nuk mund. Zgjedhshmëria është një nga avantazhet e tij më të mëdha.

Guvernatori, mjaft popullor brenda shtetit të tij, siguroi një "Dallgë Republikane" në Florida në një vit që pati rezultate të dobëta për republikanët në rang kombëtar dhe ndihmoi të sigurojë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA.

Si shembull i efikasitetit të qeverisjes së tij, së bashku me Dhomën dhe Senatin e shtetit, gjatë legjislaturës së fundit ata kanë krijuar programin më të madh për zgjedhjen e arsimimit në historinë amerikane, kanë ndaluar abortin pas gjashtë javësh, kanë aprovuar një ulje të tatimit prej 2 miliardë dollarësh, kanë përforcuar të drejtat e armëve, kanë ndaluar operacionet e ndryshimit të gjinisë që kryhen në minorenë, kanë ndaluar iniciativat woke në universitete, kanë luftuar kundër emigracionit të paligjshëm, kanë zgjeruar të drejtat prindërore në arsim, kanë mbrojtur të drejtat e individëve kundër shkeljeve të shtetit në bashkëpunim me korporatat e mëdha.

Për më tepër, ai ka nënshkruar një ligj për të drejtat digjitale, për të mbrojtur qytetarët e tij nga shkeljet e korporatave të mëdha teknologjike, ka rritur dënimet për tregtimin e drogave, ka ndëshkuar kompanitë e kartave të kreditit për kontrollin që i bëjnë klientëve të tyre, ka bërë më të lehtë blerjen e një shtëpie, ka ndaluar kreditimin social të individëve, duke ndaluar qeverinë të diskriminojë në bazë të besimeve sociale, politike ose ideologjike, ka ndaluar zbatimin e monedhës digjitale nga bankat qendrore dhe ka aprovuar ligje që luftojnë antisemitizmin dhe çdo lloj diskriminimi. Të gjitha këto ide të shëndosha dhe të pranuara gjerësisht, e që veçanërisht të djathtët i kanë për zemër, transformohen në ligje në një mënyrë që e bën të vështirë për Guvernatorin e ardhshëm t'i anulojë ato.

Kjo është pikërisht veçoria më e mirë e Guvernatorit DeSantis. Ai është një strateg që vepron me një disiplinë dhe saktësi shpesh të munguar te politikanët e tjerë. Ai ka siguruar që qeverisja e tij të jetë me efekte të qëndrueshme e të gjata që politikat e tij të vazhdojnë të përmirësojnë dhe mbrojnë liritë dhe jetët e qytetarëve të tij edhe pas largimit. E gjithë kjo është bërë pa rritur masën apo shkallën e ndërhyrjes së qeverisë, duke zgjeruar e forcuar nga ana tjetër liritë e qytetarëve.

Përveç kësaj, ai ka mbledhur një ekip që punon me kompetencë drejt qëllimit të tyre të përbashkët, pa rrjedhje informacione dhe drama të vazhdueshme e të panevojshme. Si President i Shteteve të Bashkuara, rekordi i tij tregon se do të udhëhiqte një qeverisje që zvogëlon burokracinë, punon në mënyrë efikase dhe nuk saboton veten, duke lejuar individët dhe familjet të prosperojnë dhe të çlirojnë potencialin e tyre ekonomik. Më tepër se kaq, ai ka treguar njohuri të admirueshme të filozofisë dhe politikave konservatore dhe një dëshirë për të studiuar dhe kuptuar ligjet dhe propozimet në mënyrë të thellë përpara se t’i firmosë.

Nën udhëheqjen e tij, Florida u bë shtëpia dhe feneri i lirisë në të gjithë globin, duke inkurajuar qytetarët dhe bizneset të shpërngulen atje nga shtetet socialiste që janë me tepricë në krim dhe mangësi në prosperitet. Florida është numri një në migrimin neto, në krijimin e bizneseve të reja, në arsim dhe lirinë ekonomike. Kriminaliteti u ul në nivelin më të ulët të 50 viteve.

Në përgjithësi, ai ka ndjekur politika të anës së ofertës, si uljet e taksave, zvogëlimi i rregullave, stimulimi i investimeve në industritë dhe teknologjinë kyçe, duke mbajtur shpenzimet e qeverisë të ulëta. Në fakt, Florida ka një sufiçit buxhetor, edhe pse ka një buxhet më të ulët se New York-u, i cili nëpërmjet taksave të larta dhe shpenzimeve masive shpesh shkon në prag të falimentimit. Këto politika kanë rezultuar në një normë papunësie prej 2.6 për qind në mars 2023, një normë rritjeje të produktit të brendshëm bruto për tremujorin e katërt të vitit 2022 prej 3.7 për qind, një deficit buxhetor për vitin fiskal 2021-2022 prej 21.8 miliardë dollarësh, më të lartën në historinë e shtetit, dhe një rritje vjetore të punësimit në sektorin privat prej 4.7 për qind, në mars 2023, të gjitha metrika më të larta krahasuar me ato kombëtare. Si konservator, ai kupton nevojën për të ulur deficitin buxhetor, mbajtur disiplinën fiskale dhe inkurajuar sipërmarrjen dhe tregun e vërtetë të lirë.

DeSantis ka kombinuar këto politika të tregut të lirë dhe të anës së ofertës me një fokus më të lartë në kulturë, traditë dhe liritë individuale. Ky është fuzionizmi i shekullit të 21-të që i gjithë Perëndimi ka nevojë të zbatojë për të forcuar Shtetet e Bashkuara dhe Evropën si dy shtylla që do të mbajnë balancën e fuqisë në Perëndim, ashtu si Presidenti Reagan dhe Kryeministrja Thatcher bënë në vitet '80. Wokeizmi dhe Kultura e Anulimit, ndërhyrja më e madhe e qeverisë dhe bashkëpunimi i tyre me korporatat që në fakt nuk u shërbejnë aksionareve ose konsumatorëve, por agjendave të imponuara nga segmente ekstreme, janë shfaqja moderne e komunizmit dhe fashizmit. DeSantis, nëpërmjet politikave të tij, po lufton pikërisht këtë.

Si studiues i mendimit të djathtë, e shoh atë si të vetmin që mund të bashkojë në një koalicion të fortë, bazuar në vlera, spektrin e së djathtës, nga konservatorët socialë, konservatorët fiskalë, liberalët klasikë, të moderuarit, konservatorët kombëtarë, libertarianët dhe avokatët e politikës së jashtme realiste. Të gjithë këto rrjedha të ndryshme të së djathtës, të cilat janë konfliktuar shpesh njëra me tjetrën në shumë aspekte, kanë shumë gjëra të përbashkëta. Për të fituar dhe për të përballur me efektivitet sfidat e kohës sonë, është nevoja për një aleancë bazuar në ato që bashkojnë të djathtën. Unë kam parë këtë fuzionizëm Reganist gjatë qeverisjes së Guvernatorit DeSantis dhe ky do të jetë çelësi për të fituar Presidencën dhe për të qeverisur me sukses.

Individët amerikanë të qendrës së djathtë të të gjitha rrjedhave dhe filozofive duhet të përkrahin dhe të bashkohen me DeSantisin, si alternativa e vetme më konservatore në garë dhe fituese, për të perifrazuar Bill Buckley-n, dhe nëse duan që zërat e tyre të dëgjohen, shqetësimet të adresohen dhe vendi i tyre të jetë më i sigurt, më i fortë dhe më i pasur. Zgjedhja e tij mund të shërbejë si një stimul për homologët e tij europianë dhe të ndihmojë në forcimin e lidhjes midis vendeve të lira para sfidave dhe kërcënimeve të konsiderueshme që ka Perëndimi.

 Nikola Kedhi është një ekspert ekonomik, këshilltar financiar dhe bashkëpunëtor në media të ndryshme si Fox News, Newsweek, Daily Wire, Daily Signal, Atlantico, Newsmax dhe Mises Institute. Kedhi gjithashtu është bashkëautor i Kushtetutës së Vlerave të Qendrës-Djathtë të Partisë Demokratike të Shqipërisë. Artikulli, i botuar në platformën e njohur konservatore amerikane Daily Wire, shpreh vetëm mendimet e autorit, i cili mund të kontaktohet përmes llogarisë së tij në Twitter në https://twitter.com/nikedhi95 dhe Substack në https://nikolakedhi.substack.com.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco