Si dje, sytë nga e djathta, e cila këtij vendi në çdo kohë vetëm i dha

Si dje, sytë nga e djathta, e cila këtij vendi në çdo kohë vetëm i dha

16:47, 13/11/2022
A+ Aa A-

Nga Pranvera Shehaj*/

“Në këtë cmenduri të përgjithshme të këtij populli të përdhunuem, rrijshëm tue mendue me vedi, zemërplasun: si asht e mundun të cmendet krejt nji popull e mos të dalë kush që me i thanë: ndal! … Shka kishte me thanë bota kur të shofin se gjithë jeta e këtij populli paskësh kalue tue u shkrrye barkas, rrshanë, pa mujtë kurrë me u cue në kambë?” (At Zef Pllumi)

A muj me than se ky popull asht sot në kambë?

Në këmbë ishte dje, në këmbë do të jetë sërish nesër, në këmbë rri një popull që kurrgjë për të humbur më nuk ka. Në këmbë ishin prindërit e djemve të gomoneve, të rinjtë që diellin e atij vendi prej atdheut ende e presin, në këmbë ishin artistë, profesorë, mjekë. Vec atyre që në bulevard kërkuan ta ritakojnë shpresën, ndër telefona të ngritur lart shihje te tjerë në face time, të cilët nga dritarja e telefonit ashtu në pafuqinë që largësia i pështjellon individit, e ndiqnin nga larg. A thua telefonat e filtronin urrejtjen e shqiptarëve përtej kufirit njësoj si maturia njerëzore filtronte e luftonte me instiktet e dëshpëruara të qindra mijëra shqiptarëve dje në bulevard?

Në këmbë pak shqipëtarë nuk ishin dje. Nuk ishin ata që këtë tokë, ndër breza peng e morën në skllavëri. Nuk ishin ata që traditë familjare e kanë uljen e të mbathurave kur partia dhe kryetari e kërkon, nuk ishin ata që në rehati gogësijnë tejngopjen nga benefitet e një pushteti që ushqehet me grahmat e vuajtjeve, e sytë i kanë qorruar për të mos parë lëngimin përreth. Nuk ishin ata që janë trashur nga dhjami i parazitizmit, i cili buron herë nga frika e herë nga rehatia e punës në shtet që mbahet mbi spiunazhin, votëshitjen e idealpërdhosjen, apo nga rehatia e punës në privat në shumë sektorë që lan mëkatet e pronarit e u jep fitime që sfidojnë hapur balancat e tregut, e turpërojnë edhe standardet e pagave në perëndim. Në fund, në këmbë nuk ishin dje, ata të cilët në ciklin ditor nuk u nevojitet asgjë më shumë përvec lëndës së parë e një strehe për riprodhim. Vetëm këta shqipëtarë nuk ishin dje në shenjë demonstrative në atë bulevard, këta që vec i marrin, i rrjepin, i shqyejnë në një formë a në një tjetër, njësoj si dikur, gjithcka kësaj Shqipërie. Aty, nga të ndenjurat gropë, gërthasin neverinë e parazituesit: E cfarë ndryshuan?

Falë ZOTIT, jeni pak, gërthisni shumë, por ndoshta sepse jeni pak. E sepse pak jeni, jeni kthyer në bisha të papërmbajtura që nuk frenojnë dot instiktet shtazore duke nisur prej parlamentit, tek klubi i lagjjes prej ku zgjatnit pak të ndenjurat të shihnit deri ku arrinin shqipëtarët dje, e deri në Paris ku u fshehët ashtu si vetë shpesh gerthisni, si të pafe, si të pa nder, si të paemër, si të pa iman. Gërthet në parlament i panderi, sic nuk gërthiste i ati kur vëllavrasja prej veriut në jug përdhunonte këtë komb. Gërthet se qëndron më lart se i ati, sot në kupolën e pas 32 viteve post-komunizëm, rrënjët e të cilit frikmërisht s’paskan fund. Gërthet e lincon si pakkush i marrë i lënë rrugëve në pakujdes, si bishë që s‘të afrohet e cirret nga vetëpërmbajtja e mosafrimit.

E dimë, shumë na kanë prishur neve të ardhmen, gërthitësit rehatinë, e atyre shqiptarëve të sipërpërmendur përditshmërinë e parazitizmit: prej inflacionit që i ka hequr cdo shpresë efektit imagjinar të ndonjë rritjeje pagash në të ardhmen, prej mungesës së shtetit si intermediar mes cmendurive të tregut e konsumatorit (e mos harroni sa i cmuar na paskesh qenë shteti majtist në këtë rol, se fundja mbi këtë bazë ngrihet, saktë?), prej vrajseve shtetërore tek korrupsioni i uniformëmbajtësve, prej inceneratorëve e simotrave të tyre, tek tjetërsimi i pronave, gogësia e aferave të porteve, lincimi i medias dhe shtrëngimi i dhëmbëve ndaj të vobektëve, të cilët si infantilë i dorëzohen bullizimit të gërthitësit. Janë shumë, vallë më shumë se ne?

E drejtë kur pyesin, c’bëmë dje? E drejtë se gërthitësin zvarrë prej zyrës dot nuk e nxjerr kush, e shqipëtarët në fustanin e ylberianëve në Paris dot nuk shkojnë. S’ka nënë e as babë që birin e hedh në dhëmbët e uniformëmbajtësve të tij, që shqyejnë e shkapërdhyejnë me një urrejtje që ringjall kohën kur shteti shqyente disidentët. E dimë, edhe ai e di, se biri vetë hidhet, por sec e frenon një bindje se s’paska më vlerë vëllavrasja. E drejtë se do gërthasë sërish, a thua i shfrenuar se një nga bambolat e haremit nuk i është përgjigjur. Do gërthasë e do lincojë derisa ne të kuptojmë se me të panderin nuk flitet vec me lincim e votë, votë e lincim.

Manifestimi, mitingu apo tubimi janë për definicion forma demokratike demonstrimi. Demonstroi cfarë pjesëmarrja dje? Në demokraci nuk flitet me shkopinj, as me goma, as me gjak e viktima trotuaresh. Në demokraci bilanci bëhet me frymë dhe manifestim besimi mbi alternativën e monizimit. A mjaftoi? Nuk mjaftoi për dy arsye. Sepse kurrë s’do të mjaftojë derisa ai masivitet të shkruhet në fletët e votimit. Së dyti, të djathtët shpesh lodhen jo sepse bëjnë shumë, por sepse bëjnë pak prej asaj që u duhet për t’u mjaftuar, prej asaj që ndez një dritë tek ta. Andaj, mos u lodhni së kërkuari prej të djathtës shqipëtare gjithcka ju bën të besoni se demokracia ndonëse është utopi, grimca të saj janë edhe realitet. Ne kërkojmë, ju kërkoni, media e ekzaltuar për mbulim ngjarjesh kërkon, e partia demokratike, njëlloj si dje, nuk resht së sjelluri në vend për të parën herë gjithcka që reflekton pjekuri politike: prej mendimit ndryshe, garës, primareve, zgjedhjeve të lira, vetëkorrigjimit, e deri demonstrime të atyre që pamë dje. Ndoshta ndaj nuk reshtni së kërkuari prej saj, e egërsisht e pyesni: A mjaftoi? Pa merak e ligështim, as të djathtëve vetë nuk u mjafton, ndaj në cdo kohë, vend a turbullirë, të udhëhequr nga filozofia e meritokracisë dhe garës, vetëm rriten.

S'di në kërkoni kaq shumë prej të djathtës se kurrgjë s’mund të merrni nga i biri i babës (besoj ia ka arritur ta zhdukë terminologjinë “parti socialiste”, e s’di a iu dhemb kjo idealistëve të majtë), apo se sytë prej kudo jeni i keni vec aty. Kërkoni, më shumë kërkoni, se përherë ka më shumë për të dhënë e djathta, edhe ditën kur të jetë në pushtet, gjithmonë, këtij vendi ka ditur t’i japë! Nën sakrifica e përndjekje, këtij vendi ka ditur t’i japë duke ia lënë gjykimin historisë dhe kohës.

*Politologe, Ekonomiste

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco