Sanna Marin, gëzimi juaj i jetës është një leksion politik

Sanna Marin, gëzimi juaj i jetës është një leksion politik

00:31, 21/08/2022
A+ Aa A-

Nga Massimo Recalcati - La Repubblica

Përktheu Beti Njuma

Sanna Marin - kryeministrja e guximshme finlandeze - është në qendër të stuhisë sociale dhe mediatike sepse një video që është bërë publike e shfaq teksa kërcen dhe argëtohet në një festë me miqtë.

Akuza nuk është thjesht moraliste – pse një figurë me përgjegjësi politike nuk do të kishte të drejtë të argëtohej? - por meriton të konsiderohet me kujdes. Në qendër është para së gjithash, edhe një herë, pasioni i pamëshirshëm i zilisë. Tommaso d’Aquino e përkufizonte si trishtimin e shkaktuar nga e mira e të tjerëve që pengon afirmimin e përsosmërisë personale. Më shkurt, Lacan pohonte se zilia është gjithmonë zilia për jetën. Në vështrimin e zemëruar të ziliqarit, ajo që në fakt është e patolerueshme, është pikërisht shfaqja e gëzimit të jetës. Nuk është rastësi që subjektet mbi të cilët zakonisht shkarkohet shiu acid i zilisë janë subjekte që dinë, në mënyra të ndryshme, të mishërojnë fuqinë e atij gëzimi. Është një mësim i psikanalizës: nuk është kurrë zili për të huajin, por është gjithmonë zili për jetën që do të doje të ishte dhe nuk mund të jetë. Domethënë, i lakmuari është gjithmonë ideali i pavetëdijshëm i ziliqarit.

Stili zakonisht anemik i politikës me të drejtë tronditet nga forca jetësore e imazheve që na rikthejnë një grua të re - me përgjegjësi të mëdha politike, kombëtare dhe ndërkombëtare - që di të jetojë një festë. Uniforma e politikanit borgjez nuk zbulon aspak – siç ka ndodhur fatkeqësisht në raste të tjera të njohura – imoralitetin dhe papërgjegjshmërinë e sjelljeve të fshehta që mund të kenë pasoja të rënda publike. Sanna Marin nuk u propozon miqve me të cilët zbavitet të bëhen përfaqësues të punëve publike, nuk i emëron nënsekretarë, nuk i punëson as në qeveri, as në parlament. Asnjë nga sjelljet e saj si një grua e re e lirë nuk mund ta bëjë të shantazhueshme

Urrejtja ziliqare për rininë është një tipar që përsëritet në çdo qëndrim moralist apo paternalist. Në të njëjtën mënyre edhe ajo që sulet kundër grave. Në veçanti ndaj atyre që merren me politikë, ndoshta duke marrë rezultate domethënëse dhe që me të drejtë mund të mburren se kanë një imazh të bukur. Më kujtohet se si Kryetarja e atëhershme e Dhomës Boldrini ose ministrja Boschi - për të përmendur vetëm dy nga shembujt e shumtë të mundshëm - u vunë në shënjestër të komenteve të ndyra maskiliste nga kundërshtarët e tyre politikë.

Në fakt, feminiteti dhe rinia kanë diçka të përbashkët që ideologjia patriarkale dhe maskiliste nuk mund ta tolerojë. Të dyja janë shprehje e vitalitetit të jetës, e jetës që është më e gjallë, e jetës që di të jetë e gjallë. Të hedhësh baltë mbi këtë forcë do të thotë të duash ta nënshtrosh. Është një modus operandi tipik i moralizmit të çdo lloji: të njollosësh imazhin e bukur duke e treguar të korruptuar dhe imoral. A mund të jetë droguar? A ka bërë seks? A ka abuzuar me alkoolin? A i ka harruar përgjegjësitë e saj të mëdha?

Një kryeministre e re, e bukur dhe inteligjente janë një tërësi cilësish të padurueshme për ideologun maskilist që jeton në zilinë e dëshirës për të qenë në vendin e saj. Në ideologjinë patriarkale dhe në moralizmin e saj në themel ka, në fakt, diçka të padurueshme në imazhin e vetë festës, sepse çdo festë thyen një rregull, thyen skema, nxjerr në pah fuqinë e gëzueshme të lojës. Këtë e dinë mirë fëmijët, të cilët mund ta kthejnë çdo gjë në festë dhe pikërisht për këtë arsye u premtohet Mbretëria: ata dinë ta bëjnë jetën një festë pafund. E pra, kjo grua që mori vendime të vështira në një kohë krize të madhe (pandemi, luftë në Ukrainë), që e udhëhoqi vendin drejt NATO-s, që pretendoi autonominë e popullit të saj përballë arrogancës ushtarake të Rusisë, di gjithashtu ta shijojë jetën, di të bëjë një festë.

A është ndoshta ky mëkati që duhet shlyer? Po çfarë do të ishte vetë politika pa ndjenjën e thellë të festës? A nuk është kjo ajo që do të duhej me të vërtetë? Jo zilia e verbër për të marrë një karrige, por mbi të gjitha reforma e zemrave. A nuk do të ishte fjala për ngritjen e thinjave bajate të politikës së vogël në dinjitetin e festës dhe guximin e saj?

Të dish të marrësh vendime që dinë të thyejnë barrierat, të fusësh frymën e rinisë, të ndryshosh horizontet me të cilat ishim mësuar. A nuk duhet të jetë në qendër të politikës një ide e një partie e kuptuar në këtë mënyrë?

Ne e dimë nga përvoja, se dikush që nuk di të festojë vështirë se di të jetojë jetën. Përkundrazi, mund ta vëzhgojë atë vetëm nga një distancë, gjithmonë i gatshëm për gjykim të ashpër. Ndaj dhe Dante, në rrethin e populluar nga ziliqarët, i përfaqëson me sy të qepur me tela hekuri.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco