VIDEO/ Djali i mjeshtrit të pikturimit, Buron Kaceli: ‘Ti Sadiku, po jo Sadiku’, nga im atë trashëgova...

21:42, 13/04/2024
A+ Aa A-

Biri i një prej piktorëve më gjurmëlënës në artin shqiptar, djali i Sadik Kacelit tha në ‘Odeon’ në SYRI TV se ka krijuar staturën e vet si artist, ndonëse në veprat e tij ka prezencën e frymës artistike të të atit. Buron Kaceli pohoi se ka trashëguar prej tij notat poetike në piktura.

Pjesë nga intervista

Egla Xhemalaj: Biri i një artisti të jashtëzakonshëm që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në artin pamor, në pikturë. Më vonë pastaj përmes gjithë këtij rrugëtimi plotë me suksese njëkohësisht edhe me sfida ju jeni pozicionuar mirë do ta quaja kështu për të kontribuuar e për të lënë në kapitujt e artit pamor e në pikturën shqiptare një kontribut të vyer duke ushqyer shpirtrat njerëzor me një shije shumë të veçantë estetike përmes pikturës suaj, përmes veprave tuaja, krijimtarisë së shtrirë në dy kohë por që ka triumfuar në gjithëkohësi. Zoti Kaceli, jeni ndjerë ndonjëherë nën hijen e atit tuaj, ngase ndodh që artisti të identifikohet me emrin e paraardhësit të tij, me emrin e prindit. A keni krijuar ju unitetin, origjinalitetin tuaj?

Unë shoh nga pikturat, nga ato që paraqiten në galeri, por edhe duke i njohur më herët krijimtarinë tuaj shoh që keni nota të atit tuaj, megjithatë keni dhe ju gjurmë të dallueshme qartë në pikturat tuaja.  

Buron Kaceli: Unë ju falënderoj për gjithë vlerësimin që më bëtë. Nuk e di nëse i meritoj të gjithë atë vlerësim që bëtë për krijimtarinë time. Unë jam rritur pranë tim eti. Një piktor i formuar, i konsoliduar, i niveleve të larta edhe nuk ka si të mos kem influenca prej babait tim. Shpresoj, besoj që kam edhe personalitetin tim krijues. Arti dhe krijimtaria janë vetë njeriu, po ashtu stili në pikturë është vetë njeriu. Piktura është si puna e shkrimit, që dallohet shkrimi i çdokujt. Edhe shkrimi im me shkrimin e tim eti ka një farë ngjashmërie, por prapë është ndryshe. Temperamenti, ndërtimi shpirtëror i njeriut sado të jetë i ngjashëm me prindin prapë gjithçka ndryshe është. Kjo ndodh të dallohet edhe përmes pikturës. Unë kam edhe jam i kënaqur që trashëgoj nga im atë një sens poetik, që ai e kishte shumë të theksuar në pikturë. Diçka më ndryshe. Shpëtim Zajmi një piktor i njohur i kohës, profesor që e kishim në Akademinë e Arteve po më shihte një herë kur po pikturoja. Kur u ktheva, u largova për të parë pikturën më ra supeve dhe më tha: Ti Sadiku, po jo Sadiku. Ndryshe ecën ai, ndryshe ti.

Lidhet shumë me njeriu, gjithashtu edhe me ndërtimin gjenetik të njeriut. Kështu që unë jam i kënaqur që kam nga im atë dhe nuk përjashtohet. Kur shoh pikturat e tim eti është tjetër botë, ndryshon edhe koha, ndryshojnë shumë gjëra.

Buron Kaceli radhitet mes artistëve më të rëndësishëm të artit pamor, që kontribuojnë vazhdimisht. Piktori është autor i 12 ekspozitave personale, të cilat janë vlerësuar brenda e jashtë kufijve.

EMISIONI I PLOTE: 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco