Lajmi i fundit

ÇIM PEKA LIVE/ Veliaj takon shokët në SPAK

VIDEO/ ‘Shpallja’e vitit zero, Kaceli: Fatkeqësi pretendimi se para ardhjes sate në pushtet s’kishte art

21:38, 13/04/2024
A+ Aa A-

Mjeshtri i pikturës shqiptare, me një veprimtari të ndritur në artin pamor, Buron Kaceli i ftuar në emisionin ‘Odeon’ në Syri Tv ka rrëfyer rrugëtimin e dykohshëm të krijimtarisë së tij, punimet dedikuar natyrës së shumëdashur, Tiranës qytetit të lindjes që s’u rezistoj shndërrimeve, portreteve që flasin gëzueshëm dhe ndikimit të të atit në pikturën e tij.

Artisti i mirënjohur sapo ka çelur ekspozitën e fundit të titulluar ‘Dhoma e pasme’ në ambientet e Galerisë së Artit Tiranë, muret e së cilës na paraqesin copëza ndjeshmërishë mbartur nga grimëçaste të ndryshme, që sot na tregojnë shumë për të kaluarën, po aq edhe për bashkëkohësinë. Nga njëra anë soditjet në natyrën e bukur shqiptare, nga ana tjetër rrugë e gjurmë të Tiranës së vjetër, e sy që shohin me ëndërritje e presin t’i kundrojnë vizitorët.

I njohur si piktori, që e do traditën sa vetë jeta, Buron Kaceli u shpreh në ‘Odeon’ në SYRI TV se është fatkeqësi e madhe të pretendohet se mund të zhduket e shkuara, e se është fatkeqësi që partia fuqiplotë në drejtimin e vendit të shpallë vitin zero, sikur e djeshmja të mos ketë ekzistuar asfare.

Pjesë nga intervista

Egla Xhemalaj: Ju jeni dashamirës i traditës. Në çdo lloj rasti gjeni një mënyrë që atë arratisjen tuaj në veprimtarinë artistike, në telajo ta bëni përmes atyre elementëve që janë të dallueshëm në pikturën tuaj dhe që dimë, kur shohim veprat tuaja, pikturat në këtë rast identifikohet që ajo është dora e piktorit të madh Buron Kaceli. Tradita patjetër që jeton bashkë me ne e megjithatë duket sikur brezat e rinj, vendi gjithçka që ndodh, me kohën që kalon, e ne ecim me vrullin e kohës. Duket sikur ngandonjëherë e shkuara, tradita, kjo identitarja mënjanohet pak për të jetuar të tashmen. Ndodh ndonjëherë që në politikë ngatërrohen këto koncepte. Kur vjen një parti në pushtet ngatërrohet pak ky termi i traditës, identitares. Çdonjëra nga partitë politike duket sikur sapo vjen në pushtet fillon numërimin nga viti zero. Do të krijojë përmasat e kohës së vetë, e epokës së vetë. Të jetë në një farë mënyre dirigjent i shtetit, i ambientit ku ne frymojmë. Si i keni parë ju kapërcimet e traditës, si kanë ardhur ato të transfiguruara  në artin tuaj nga dje dhe sot, për të bashkëjetuar me notat e moderniteti.

Buron Kaceli: Për mendimin tim partitë shkojnë e vinë. Secila kontribuon aq sa kontribuon. Është shumë gabim ajo, që po fillojmë në vitin zero. Është fatkeqësi të pretendosh që para se të vije ti në pushtet apo para se të lindje, para se të merrje penelin mos të ketë pasur jetë. Është një mohim shumë dashakeqës i asaj që kemi jetuar. Çdokush vendos një tullë. Ne kemi një traditë të mrekullueshme kulturore, së cilës i jemi shumë borxhli, edhe kemi nevojë të studiojmë, të thellohemi edhe ta evidentojmë atë. Mendoj që jemi një nga popujt më të kulturuar, me kontribute të mëdhaja në kulturën europiane dhe botërore. Kam bindjen për këto. Nuk i them vetëm unë. Më bëhet qejfi që po zbulohen fakte, po evidentohen periudha historike me shumë vlerë, për kontributet e popullit tonë. Viti zero është shumë dashakeqës, shumë gabim. Në qoftë se pikturojmë traditën, kisha për të thënë që tradita na ndërton ne. Jemi pjesë e traditës, formulimi i saj, i një kulture të gjatë e të madhe, vetëm kur s’ke nivel për ta vlerësuar e për ta kuptuar. Tradita për mua ka shumë vlerë. Duket ndonjëherë sikur të rinjtë nuk kanë një vëmendje të madhe, edhe kanë qenë edhe momente historike sidomos hapja e Shqipërisë. Nga mbyllja e madhe, hapja direkt me Europën u duk sikur s’kemi gjë duhet të bëjmë vetëm diçka që ka bërë bota. Ata sigurisht që kanë bërë shumë e kanë ecur përpara, ndërsa ne kemi ndaluar në vend për arsye që ne i dimë. Ne nuk duhet të rreshtim pa evidentuar ato vlera që kemi. Në rast se do të paraqitemi mirë në Europë, nuk ka mënyrë tjetër veçse me identitetin tonë.

Piktori e ka fituar sfidën me shijuesit e artit, që në moshë të re, atëherë kur ishte e vështirë të shkoje përtej dogmave të kohës. Buron Kaceli diti të krijonte portretin e tij artistik, figurë që do të identifikohej lehtësisht përmes krijimtarisë e përmes ndërveprimit të ngrohtë të vizitorit që e ka ndjekur në çdo kohë pikturën e tij.

EMISIONI I PLOTE: 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco