VIDEO/ Nikolin Gurakuqi në ‘Odeon’: Regjimi e ndaloi repertorin e huaj në Opera, kurrë s’e mohova muzikën klasike

21:10, 03/02/2024
A+ Aa A-

Regjisori Nikolin Gurakuqi i ftuar në emisionin ‘Odeon’ në Syri Tv foli për veprimtarinë e një jete në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, institucion që më herët kishte gdhendur në faqet e historisë vulën  e suksesit të të atit Luigj Gurakuqit. Regjisori e filloi rrëfimin me paraqitjet e para në institucionin që më vonë do të bëhej si shtëpiza e tij e dytë. Asokohe, një fëmijë me shumë ëndrra, Nikolin Gurakuqi shihte në paskeni gjithçka që ndodhte teksa i ati ngjiste në Opera veprat më të rëndëishme të repertorit shqiptar e botëror.     

Gurakuqi: U rrita me këngë nga nëna, me Opera nga babai. Kjo ishte atmosfera në të cilën Nikolini u rrit, po që kishte vesh muzike sepse edhe unë kisha qejf të këndoja. Këndoja që fëmijë.

Egla Xhemalaj: Ju e mëkuat atëherë pasionin tuaj, për ta përvijuar e për të marrë në një farë forme edhe drejtimin.

Gurakuqi: Ajo ishte instiktive, ishte e kënduar instiktive, por që ishte e intonuar, ishte me vesh të mirë muzike’, tha regjisori.

Një prej çasteve më të rëndësishme, që veçon nga vitet e trazuara, në të cilat jetonte Shqipëria e zhytur në terrin e regjimit diktatorial ishte ajo e ndalimit të repertorit të huaj

 ‘Në Opera erdhi një moment, që u ndalua repertori i huaj dhe u dha si direktivë që të viheshin në skenë vetëm vepra shqiptare në mënyrë që kompozitorët shqiptarë t’i shkruanin veprat shqiptare e t’i vinin në skenë. Kështu ndodhi, shumë kompozitorë shkruajtën shumë vepra në ato vite, të cilat u vunë në skenë. Unë i kam ndjekur, i kam parë pothuajse të gjitha shfaqjet e asaj kohe, pra nuk e mohova muzikën klasike’, tregoi Nikolin Gurakuqi.

Më tej, regjisori foli gjerësisht për veprat e kolosëve që kanë shkruar veprat më të rëndësishme operistike në Shqipëri dhe në botë, e se si brenda pesë dekadave, ai kishte përqafuar sukseset për konceptimet e shumta regjisoriale. I njohur si një nga regjisorët më të guximshëm për risitë që iu mvishte veprave, Nikolin Gurakuqi ka qenë i pari që theu vijën e deriatëhershme, censurat në veprat operistike, për t’i sjell në skenë, me origjinalitet e me elemente që u kishin munguar deri atë kohë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco