Një kujtesë për atdhedashurinë

Një kujtesë për atdhedashurinë

09:37, 28/01/2024
A+ Aa A-

Ndriçim Kulla

De Tokëvil, duke shpjeguar themelet e atdhedashurisë, thotë: “Është një dashuri e cila buron nga ajo ndjesi e pashprehshme dhe e painteresuar që lidh zemrën e njeriut me vendin ku lind. Kjo dashuri instiktive lidhet me ëndjen e dokeve të vjetra, me nderimin e të parëve dhe kujtimin e kohëve të shkuara, ndaj e bën njeriun që ta dojë atdheun si shtëpinë e tij”.

Ç’fat do të kish qenë për vendin tonë nëse të gjithë shqiptarët do ta shihnin veten si vëllezërit e një shtëpie e të udhëhiqeshin në bazë të këtij parimi? Është një parim të cilin e lëvdonte dhe zhvillonte gjerësisht në shumë prej artikujve të vet, sidomos At Giuiseppe Valentini, duke e zgjeruar akoma dhe më shumë këtë ide duke thënë: “Të duash atdheun do të thotë me e pa atë si një lulishtë të trashëguar prej të parëve, me e ruejt atë si një pasuri të përbashkët, dhe me e mbajtë Bashkinë si nanë dhe Prefekturën si babë”.

Është ky ndoshta përkufizimi më i mirë i parimit drejtues, mbi bazë të të cilit do të duhet të themelohet e gjithë perspektiva e Idealit tonë patriotik. Vetëm nëse vendosim si prizëm këtë lloj ideali, atëherë do të jetë shumë më e lehtë të vendosim edhe pengesat që mund t’i pengojnë rrugën përparimit të shqiptarizmës drejt këtij ideali.

Së pari, snobizmi dhe diletantizmi i dëmshëm, i cili na shpie shpesh në një optimizëm të zbrazët e të pakuptimtë. Një optimizëm, që të lë përshtypjen sikur individi ynë është në gjendje të bëjë mrekullira, që ai zotëron fuqinë e fshehtë që të zgjedhë edhe problemet më të vështira brenda 24 orëve, probleme për të cilat popujt e tjerë janë përpjekur për breza me radhë! Është pikërisht mungesa e durimit dhe sistematicitetit pengesa kryesore e gatimit të një qëndrimi aktiv dhe të përditshëm, që do të shërbente si baza e atij patriotizmi të shëndetshëm që na nevojitet aq shumë edhe në formimin e ndërgjegjes kombëtare.

Së dyti, patriotizmi përgjithësisht mund të kuptohet dhe si një egoizëm. Është një ndjenjë që na shtyn të kërkojmë madhështinë dhe nderin e kombit, pasi tek ajo madhështi dhe nder do të gjejmë edhe vetë madhështinë, lumturinë dhe nderin tonë. Jemi patriotë, sepse e dimë që pa një vend dhe një shtet të fortë, pa një komb të përparuar, vihet në rrezik edhe vetë jeta jonë. Ky gjykim na shtyn dhe duhet të na shtyjë të bëjmë sakrifica për të mirën e përgjithshme, në mënyrë që të mos mendojmë vetëm interesin vetjak, por edhe interesin e përbashkët, të nesërm, sepse është ky interes ai që do të na ruajë edhe interesin tonë të veçantë. Është shndërrimi i këtij egoizmi të patriotizmit në një altruizëm të vërtetë e njëherësh në një burim sakrificash, pengesa tjetër kryesore e edukimit të një ideali pozitiv të atdhedashurisë.

“Statujën e një njeriu të madh”, do të shkruante Midhat Frashëri, “nuk e shtien brenda në një gropë, por e ngrenë në një piedestal të lartë, mbi një themel të shëndoshë. Në doni, pra, që të jini të mëdhenj e të nderuar, bëni më parë Shqipërinë e kombin shqiptar të nderuar e të lartuar!” Mirëpo, diçka e tillë ka nevojë për punë të gjatë e të palodhur, e cila kërkon kohë. Është kjo pengesa e tretë e madhe e shqiptarëve, ende të pamësuar për ta shndërruar në vlerë të shtuar këtë faktor zhvillimi, pasi ende nuk janë edukuar ta kursejnë e ta çmojnë kohën, duke e mirëpërdorur atë sistematikisht.

Po cili është burimi ku duhet të pijë ujë për t’u forcuar, karakteri i të sotmes të trtazuar shqiptare, për të qenë i sigurt dhe i denjë për të ardhmen? Përmbushja e detyrës së çdo individi në cilëndo punë që ai kryen, qoftë ky student, punonjës administrate, mësues, pedagog, intelektual, e kështu me radhë. Duhet ngulitur fort në mendje parimin se “detyra është qëllimi i një jete fisnike dhe përmbushja e saj shpërblimi më i madh për njeriun”. Kjo është konstantja karakteriale që dalëngadalë mund dhe duhet të na i rrëzojë të gjitha ato pengesa të trashëguara që historia e deritanishme i ka mveshur identitetit tonë.

Nuk mjafton që të bluajmë në mendje vepra të mëdha e të jashtëzakonshme për ta kryer këtë mision, pse praktikisht kjo mund të na pengojë. Nuk mund ta mbajmë veten atdhetarë, vetëm sepse mbajmë në gojë orë e çast Shqipërinë, apo pse kemi ndër mend ta bëjmë këtë vend një “Amerikë në pak kohë”. Një mendjelartësi e tillë mund të kurthojë kryesisht rininë, së cilës i mungon përvoja dhe i është i lehtë-kapshëm pasioni pas çdo lloj ideali. Për këtë arsye realiteti i “botëve të vogla” të individëve është pikërisht ai që duhet të normalizojë politikën tonë aktualisht të çakërdisur për të qeverisur dhe drejtuar mirë dhe drejt.

Më pas, do të jetë kjo botë “e vlertë” ajo që praktikisht do të na “bëjë edhe Shqipërinë”. Në këtë “administrim” do të na vinte në ndihmë një parim i madh i theksuar aq bukur nga Lumo Skëndo: “Meqë jeta dhe siguria e secilit është e lidhur me fatin e të gjithë atyre që, së bashku, formojnë kombin, do të na donte shpirti që çdokush të sakrifikojë 5 minuta në çdo 24 orë dhe të “hetojë” nga thellësia e vetes se ç’shërbim ka bërë sot për shoqërinë dhe ç’të mirë mund t’i bëjë kësaj shoqërie që e quajmë komb. Do të ish një ushtrim shpirtëror me rezultate të mëdha për ne dhe të tjerët”.

Është pikërisht ky ushtrim shpirtëror praktika bazë e asaj konstanteje të përbashkët që individi shqiptar duhet ta bëjë në çdo moment të jetës së tij.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco