Lajmi i fundit

SYRI DIGJITAL/ Pse po sulmohen mediat nga mazhoranca socialiste?

Në tetor 1990, shkrimtari Ismail Kadare kërkoi strehim politik në Francë

Në tetor 1990, shkrimtari Ismail Kadare kërkoi strehim politik në Francë

14:47, 18/10/2023
A+ Aa A-

Në tetor të vitit 1990, shkrimtari Ismail Kadare kërkoi strehim politik në Francë.

Buja që pasoi vendimin e tij për të lënë vendin i dha shteg një debati publik me theks linçues. Megjithatë, largimi i tij nga Shqipëria nuk qe një thagmë, pasi sikurse shpjegonte Kadare në një korrespondencë me kryetarin e Presidiumit të Kuvendit Popullor, Ramiz Alia, ky akt ishte në koherencë të plotë me korpusin e veprës së tij, shkruan Drejtoria e Arkivave.

“Demokratizimi i plotë i jetës, heqje dorë nga dhuna, lirimi i të burgosurve politikë, heqja dorë nga izolimi i vendit, nga mbrojtja e Stalinit, lejimi i fesë dhe i lirisë së të shprehurit e të tjera si këto, kanë qenë disa nga kërkesat që ju a kam paraqitur të formuluara në mënyrë krejtësisht të saktë në pranverë të këtij viti. Ato kanë qenë vazhdimi logjik i asaj që kam shprehur e kam mbrojtur në veprën time gjatë shumë viteve, ashtu siç është i tillë edhe vendimi për të lënë vendin tim.”- arsyetonte Kadareja.

Vokacioni për letërsinë zuri fill që në moshë të hershme, kohë kur djalosharit Kadare do t’i linte mbresë të pashlyeshme leximi i tragjedisë “Makbethi” të autorit anglez, William Shekspir. Në vargun e publikimeve të pandërpera, romani alegorik “Nëpunësi i Pallatit të ëndrrave” (1981), veçohet si më i lakuari në tërësinë e veprës së tij. Që prej vitit 1996, shkrimtari shqiptar është anëtar i asociuar (përjetësisht) i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike të Francës. Ai është vlërësuar me një sërë çmimesh ndërkombëtare (“Man Booker Prize”, “Princi i Asturias” etj), si i përzgjedhur në radhët e shkrimtarëve botërisht të njohur, sikurse janë: Gabriel Garcia Marquez, Günter Grass dhe Milan Kundera. Deri më tani, veprat e tij janë përkthyer në rreth 45 gjuhë të botës.

Krahas dekorimeve të shumta, brenda dhe jashtë vendit, Kadaresë iu akordua së fundmi prej presidentit Emmanuel Macron titulli më sipëror i Republikës Franceze, “Oficer i Madh i Legjionit të Nderit”.
 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco