3 ditë liri në Milenium

3 ditë liri në Milenium

21:39, 20/09/2023
A+ Aa A-

Nga Edi Lesi

Ata që po hyjnë këtë të mërkurën pasdite në sallën e Kinema Milenium në Tiranë, nuk ngjajnë shumë me gjindjen rreth e rrotull që është lëshuar për qef të vet në tavolinat e bollshme në atë zonë të bukur të metropolit. Një grusht me burra e gra janë ende të interesuar për krimet e komunizmit, e kjo nuk është pak në një shoqëri vanitoze që shkel e rrumbullakos me të pasmet e saj shumëçka para të cilës duhej të ndalej për një hop.

E të reflektonte, jo në kuptimin e thellë metafizik ndoshta, po qoftë dhe për brengat e ditës që kemi nëpër gishta. Sigurisht s'do të qe aspak e tepërt të sillte në mendje edhe gjëmat që i ndodhen vendit jo në një kohë e botë tjetër, por bash pak vite më parë.

Luli Progni është nga ato gazetare e aktiviste që e mban ende ndezur llambën në dramat e barbaritë e regjimit të shkuar.
Na ka ftuar në publikimin e një dokumentari për Revoltën e Spaçit. Dëshmi tronditëse dhe realizim mahnitës. Ylber Merdanin me siguri pak vetë e njohin, por nëse ky material do transmetohej në media, siç do të ishte e udhës, patjetër që ai e shumë të tjerë të dënuar të ferrit të Spaçit, do ta bënin audiencën më humane dhe më të mirë të pakten për një ditë, pasi të dëgjonin rrëfimin e tyre.

3 ditë liri pati Shqipëria dhe ajo hapsanë mes maleve, në Spaç, atëbotë, në majin e vitit 1973. Ato 72 orë të dënuarit me një kurajo të çmendur arritën të merrnin burgun e të rrëzonin sistemin e torturave, e hekurave shtrënguar në kyçe.

Ato 3 ditë lirie, ku këndohej me kitarë e mbaheshin fjalime për Shqipërinë që e duam si gjithë Europa, u paguan me 4 ekzekutime, ende pa varre.
Ata që mbijetuan, ja dolën kryesisht duke dorëzuar anën njerëzore. Siç thotë Primo Levi, që pohon se mbeti gjallë prej kampit nazist, pasi xhelatët u hoqën shtresen humane, duke i shpëtuar padashur. Po të kishin ruajtur ndjenjat, brengat e merzitë, shpall ai, do të kishin plasur.

Shumë studiues e mendje të pakompromis janë marrë këto vite me krimet e komunizmit e kanë punuar jo pak. Por indiferenca ka qënë prore më e madhe.
Përpjekjet e Luli Prognit apo Admirina Peçit si milingona të pandalshme, me iniciativën e Agron Shehajt përmes fondacionit ‘Kujto’, ja kanë dalë të ngrenë një institucion përballë murit arrogant të harresës. Modest, por të gjallë.
Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco