Lord Byron-i ishte njeri 'pervers', thotë artistja që lexoi kujtimet e tij

Lord Byron-i ishte njeri 'pervers', thotë artistja që lexoi kujtimet e tij

16:31, 19/04/2024
A+ Aa A-

Lord Byron-i ishte një njeri "pervers" dhe "me mendime të mbrapshta", sipas letrës së një artisteje që lexoi kujtimet e tij para se ato të shkatërroheshin. Poeti romantik regjistroi detaje të jetës së tij në ditarë që do të botoheshin pas vdekjes së tij, por miqtë e tij shkatërruan dokumentet për të mbajtur të fshehtë jetën e tij private. Një letër e zbuluar rishtazi ka hedhur tani dritë mbi përmbajtjen e tyre misterioze.

Letra, e gjetur në një bibliotekë të Universitetit të Kembrixhit, u shkrua nga Elizabeth Palgrave, një zonjë dhe artiste e shekullit të 19-të, e cila pati mundësi t'u hidhte një sy të shkurtër kujtimeve të Byron-it para se ato të shkatërroheshin.

Ajo u trondit aq shumë nga përmbajtja e tyre, saqë i shkroi babait të saj për të përshkruar të metat morale të poetit të famshëm, i cili vdiq 200 vjet më parë, më 19 prill 1824, në moshën 36-vjeçare.

Në letrën e saj, Palgrave shkruan se "Lord Byron-i me sa duket ka mendime të mbrapshta - ai gjen kënaqësi duke regjistruar ligësitë dhe perversitetet e tij".

Image

Ajo shton se "e gjithë fuqia e mendjes së tij duket se përdoret vetëm për të bërë keq" dhe se duke shkruar për të këqijat e tij, "ai duhet të jetë nxitur nga motive aq perverse sa duhet të jetë vërtet i papërgjegjshëm".

Palgrave lexoi kujtimet në vitin 1823, vetëm një vit para se Byron-i të vdiste dhe ditarët të digjeshin. Shqetësimi i saj kryesor ishte trajtimi i gruas së tij Anne Milbanke.

Ajo shkruan se Byron-i shfrytëzoi çdo mundësi për ta fyer atë dhe familjen e saj dhe shprehu "indiferencën" e tij ndaj gruas së tij, me të cilën u martua vetëm sepse, gjatë një stuhie bore në të cilën ata të dy ishin bllokuar, ai ishte "pa një krijesë tjetër me të cilën ai mund të bënte dashuri në mënyrën e tij".

Palgrave arrin në përfundimin se Byron-i merrte "kënaqësi të jashtëzakonshme... duke shkatërruar, aq sa mundej, ata që janë të shquar për virtyt në standardin e tij".

Letra, e gjetur nga kuratorë në Bibliotekën Wren të Trinity College në fillim të këtij viti, ofron një vështrim të paparë në përmbajtjen e kujtimeve që kanë humbur në histori.

Byron-i kishte arritur famë ndërkombëtare me vepra si Pelegrinazhi i Çajld Haroldit dhe Don Zhuani, dhe thashethemet skandaloze për homoseksualitetin dhe incestin në jetën e tij private iu shtuan reputacionit tij.

Lady Caroline Lamb, ish e dashura e tij, e quajti atë "të marrë, të keq dhe të rrezikshëm".

Image

Ai filloi të shkruante një kujtim në vitin 1818 dhe ia dorëzoi mikut të tij të ngushtë Thomas Moore-it, i cili ia dha botuesit të Byron-it, John Murray, me kusht që të bëhej publik vetëm pas vdekjes së tij.

Kur ai vdiq në Luftën e Pavarësisë Greke në vitin 1824, miqtë e tij debatuan nëse do ta bënin dokumentin publik apo jo, dhe përfundimisht zgjodhën ta digjnin për ta mbajtur sekret përmbajtjen e tij.

Por tani është zbuluar se gjatë një vizite në zyrën botuese të Murray në 1823, Palgrave-it iu lejua të lexonte pjesë të dorëshkrimit.

Letra e saj e sapozbuluar e ka intriguar studiuesen e Kembrixhit, dr Corin Throsby, e cila tha: "Për shekuj me radhë njerëzit kanë pyetur veten se çfarë mund të kenë pasur kujtimet e humbura të Byron-it, kështu që është vërtet emocionuese të kesh një tjetër rrëfim të dorës së parë nga dikush që i ka lexuar ato.

"Byron-i kërkonte gjithmonë të trondiste dhe nuk do të ishte i befasuar dhe ndoshta i kënaqur nga reagimi ekstrem i Elizabeth-ës ndaj punës së tij.

Letra e saj tregon suksesin e personalitetit të 'djalit të keq' të Byron-it, pasi ajo jo vetëm që është e shqetësuar, por edhe e mahnitur prej tij, duke imagjinuar vazhdimisht se si ndihej ai ndërsa shkruante./The Telegraph-Syri.net

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco