Lajmi i fundit

PIRANJAT/ Me Florian Binaj dhe Dojna Mema

Krijimtaria në stil popullor si zhvilllim i pavarur i muzikës së kultivuar

Krijimtaria në stil popullor si zhvilllim i pavarur i muzikës së kultivuar

13:26, 06/07/2023
A+ Aa A-

Dr Armira Kapxhiu , pedagoge ne Universitetin e Arteve

Krahas procesit të përpunimit dhe harmonizimit të këngëve popullore, veçanërisht për formacione të ndryshme korale, si formë, ku gjen shprehje orientimi i krijimtarisë muzikore të kultivuar prej folklorit, është dhe mënyra e krijimeve muzikore në stil popullor. Ky proces shfaqet më dendur në lëvrimin e formave të vogëla të muzikës vokale të kultivuar, sidomos në gjininë e këngës për solistë, apo krijimeve vokale për formacione të ndryshme vokale. Karakteristikë e këtyre krijimeve është se ato, pavarësisht se nuk mbështeten në ndonjë krijim popullor autentik për ta cituar atë dhe për ta zhvilluar më tej, shumica prej tyre vinë të orientuara nga karakteristika përgjithësuese të këngëve popullore dhe, më shpesh, të frymëzuara nga muzika popullore krahinore e origjinës së autorit.

Këto krijime në dëgjim të tyre sjellin në vëmendje variante stilesh burimore të këngëve popullore. Ato në shumicë përcjellin frymën popullore, duke ruajtur karakteristikat dalluese sintaksore, tonalo-modale, metro-ritmike krahinore, si në përmbajtjen melodike, ashtu dhe në strukturë. Ajo çka i bën që këto krijime të jenë vërtetësisht popullore, është karakteri, struktura melo-ritmike, modaliteti, vokacioni emocional etj.

Në praktikën krijuese të kompozitorëve shqiptarë ka me dhjetëra shembuj krijimesh për solist apo për formacione të ndryshme vokale, të cilat, krahas frymës së theksuar popullore krahinore, përfaqësojnë dhe arritje të cilësishme artistiko-emocionale. Shumë prej këtyre krijimeve, përmes frymës thellësisht popullore e thjeshtësisë së shprehjes, kanë marrë përhapje të madhe dhe, në shumë raste, kanë ngelur anonime e nuk u njihet edhe autorësia, ndaj shpesh anoncohen thjesht si këngë popullore. Në argumentim të këtij arsyetimi sjellim si shembull disa nga këngët qytetare të Shkodrës, Elbasanit, Beratit, Tiranës, Korçës etj., të cilat, pavarësisht se kanë autorë, në ditët e sotme shfaqin anonimat dhe në popull njihen si këngë thjesht popullore. Janë të shumtë shembujt, por mes tyre veçohen këngët qytetare: “Turtulleshë”, ”Delja rudë”, “Zanusha“, “Lulja me erë“, të R. Sokolit ; ”Luleborë”, e S. Gjonit, “Kënga e krushqve, e “T. Dajisë88; „Kur më vjen burri nga stani“, e K. Konos etj . Edhe përgjatë periudhës së Luftës Antifashiste Ncl.çl. u kompozuan shunë këngë me karakter patriotik në stil popullor, si: “Dëshmorët e Shkodrës“, me tekst e muzikë të Kolë Jakovës, „Doli nana në çardak“, me tekst të Vehbi Balës e muzikë të Ç. Zadesë etj., të cilat luajtën rol të rëndësishëm për zgjimin e thellimin e frymës patriotike e mobilizimin e çlirimtarëve.

Gjatë gjysmës së dytë të shekullit të kaluar krijimet muzikore në stil popullor morën zhvillim e fituan përhapje të madhe. Nga krijimet e kësaj periudhe mund që të veçohen këngët: “Margjelo”, ”Syrin si qershija”, nga P. Jakova;” Kur perëndon dielli”, nga L. Deda; ”Kur bjen fyelli e çiftelia”, ”Ky marak”, ”Gryka e Kaçanikut”, nga P. Gaci; ”Oj zoge”, nga Ç. Zadeja; ”Grurë e këngë”, nga A. Lalo; ”Gajdexhiu”, nga T. Daija; ”Zambaku i Prizrenit”, nga A. Koci; ”Xhamadani vija-vija”, nga Z. Çoba; ”Elbasan i bukur Elbasan”, nga R. Ismaili; ”Lule t’bukra ka Tirana”, nga M. Gurra etj.

Krahas sa më sipër, në periudhat e më vonëshme janë krijuar një numur i pafund këngësh e vallesh, pjesësh të ndryshme instrumentale e instrumantalo-orkestrale në stil popullor, të cilat zenë vend të rëndësishëm në skenën muzikore shqiptare dhe që, ndërkohë, janë dhe shprehje e drejtimit krijues të shumë prej kompozitorëve tanë. Drejtimi krijues në stil popullor në muzikën shqiptare të kultivuar, erdhi si zhvillim i ri e i pavarur. Ai i dha zhvillim të mëtejshëm e impulse të reja krijimtarisë muzikore të kultivuar në stil popullor dhe faktorizoi cilësisht rritjen emocionale e përhapjen e prodhimtarisë muzikore të kultivuar. Krijimi në stil popullor, si një aspekt i rëndësishëm i marrëdhënieve të kompozitorit me folklorin, luajti rol të dorës së parë për thellimin e frymës popullore e karakterit kombëtar, si dhe në lëvrimin e gjinive dhe formave të mëdha të muzikës artistike simfonike, skenike, vokale, instrumentale e asaj të dhomës.

Si drejtim, krijimi në stil popullor gjeti shprehje e realizim më të gjerë në muzikën e vogël vokale, sidomos në gjininë e këngës, të spektrit qytetar, dhe në muzikën e krijuar për instrumente përfaqësuese të muzikës popullore, si: klarineta, violina, llahuta, çiftelia, fyejt e biblbilat e temperuar etj.

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco