Lajmi i fundit

PIRANJAT/ Me Florian Binaj dhe Dojna Mema

VIDEO-SYRI TV/ 'Gadjo' kundër racizmit e dhunës, Reshitaj: Teatri, zëri që ngremë për shoqërinë

20:25, 13/05/2023
A+ Aa A-

Nga Egla Xhemalaj

Një lajm i rremë i ‘një burri me pamje gruaje, që vidhte fëmijë në Kosovë’ përgjatë vitit 2019 ngacmoi dramaturgun Jeton Neziraj, për të shkruar veprën ‘Gadjo’. Shfaqja që u ngjit në skenën e Eksperimentalit nën konceptimin regjisorial të Blerta Nezirajt, në bashkëpunim me aktorët e këtij teatri dhe aktorët e Qendrës Multimedia, nxit e konfronton shoqërinë shqiptare mbi romët, mbi çorganizimin e shtetit e të shoqërisë,  ku racizmi, përbuzja dhe dhuna mbeten të ngulura në vetëdije e të pandreqshme ndër shekuj.

Aktorja Edona Reshitaj tregon se si ka qenë periudha përgatitore, e disa prej tematikave qendrore që ngre vepra.

Mbi dy shtylla kryesore që ngrihet shfaqja zgjatohen një varg problemesh, nisur me ato që marrin jetë brenda strukturave qeveritare, menaxhimi i keq i pasurive, resurseve, korrupsioni që vrapon prej vitesh me hapa të shpejt, e një sistem i çorganizuar, ku njerëzit nuk kanë prej kohësh besim.

Aktori Rafael Hoxhaj thotë se çdo gjë shqetësuese sot, paraqitet përmes të rinjve, të cilët kanë rënë pre e informacioneve të gabuara, e sidomos të rrjeteve sociale.

Një shfaqje brenda shfaqjes, ‘Gaxho’ ka një lloj dinamizmi që rrjedh mrekullisht në vepër, ndërsa gjithçka ndryshon nga momenti në moment. Publiku qëndron në suspancë për atë që do të ndodhi, për skenat pasardhëse, dhe për temat që do të trajtohen. Një pikë mjaft e rëndësishme në shfaqje është edhe prekja kohore. Që nga periudha e errët e komunizmit Shqipëria pat jetuar në terr: njerëz të internuar, të vrarë, mundësi të padhëna, ëndrra të shkërmoqura, ndërsa nga ana tjetër Kosova e larë me gjak, që kërkonte një dritë shprese, njerëz të braktisur, pafuqi për ringritje.

Reshtitaj thotë se e kaluara duhet kujtuar, bashkë me gjurmët që ka lënë te njerëzit. Në këtë mënyrë sipas saj i paraprihet asaj që mund të rezervojë e nesërmja.

Retrospektiva e shpeshtë në shfaqje, e kthen shpesh publikun në kohën famëkeqe, kur regjimi diktatorial, kishte gjithçka në duar e me hapa të përshpejtuar nga rikthen në bashkëkohësi. Përmes një analize të hollë, aktori thekson se mbyllja e gjatë në komunizëm përkon me atë që njerëzit janë sot.

Fjalët e zhargonit të përditshëm, shpesh edhe sharjet, shkujdesja në mënyrë e  sjelljes me tjetrin dëgjohen që prej fillimit të shfaqjes. Në një formë këto elementë vijnë si katalizatorë për të bërtitur të vërtetat, sidomos në ditët e sotme, në bashkëkohësi.

Aktorëve u është dashur të transferohen për tri javë në Prishtinë, të mësohen me të jetuarin atje e të kuptojnë e të prekin nga afër shumëngjyrësinë e Kosovës, që nga çështjet që shqetësojnë përditë qytetarët, deri te batutat që u sjellin humorin.

Në rolin e vajzës që ndodhet në një situatë të ngatërruar, pa i përkitur fare asaj, Edona thotë se në të përditshmen e saj, përtej teatrit, përpiqet t’u tregojë njerëzve jetën e thjeshtë, se si mund të jetohet në lumturi të pakufishme, kur rrethohesh nga njerëzit që do më tepër.

Të duam e të pranojmë tjetrin është një prej mesazheve qendrore të dramës. Aktorët do të vijojnë të përcjellin dhjetëra të tilla në Teatrin Eksperimental.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco