Lef Nosi, botuesi i parë i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë

Lef Nosi, botuesi i parë i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë

09:15, 15/02/2023
A+ Aa A-

Historia përkujton sot firmëtarin, arkivistin, filatelistin, etnografin, politikanin shqiptar Lef Nosi (9 prill 1877 - 15 shkurt 1946)

Lef Nosi lindi në qytetin e Elbasanit më 9 prill të vitit 1877 në një familje ortodokse të lagjes së vjetër të quajtur “Kala”. Vitet e para të shkollës i kreu në qytetin e lindjes dhe më pas vazhdoi studimet e larta për farmaci në Athinë.

Pa mbyllur ende studimet, ai kthehet në Shqipëri duke u angazhuar thellësisht në drejtim të çështjeve rreth historisë e kulturës kombëtare. Që në moshë të re, Lef Nosi kishte në zotërim bibliotekën e dytë më të madhe në Shqipëri, pas asaj të Mid’hat Frashërit. Në vitin 1908 ai merr pjesë në punimet e Kongresit të Manastirit (14-22 nëntor 1908). Në vitin 1909 u zgjodh kryetar i klubit “Vëllazëria” të Elbasanit dhe po atë vit themeloi shoqërinë kulturore “Afërdita”.

Një vit më vonë, Lef Nosi themeloi në Elbasan gazetën “Tomorri”, e para gazetë në historinë e qytetit. Artikujt e botuar në këtë gazetë që karakterizoheshin nga fryma kombëtare, nxitën reagimin e autoriteteve xhonturke, të ciët arrestuan Lef Nosin dhe e dënuan me vdekje. Për shkak të protestave të patriotëve shqiptarë, dënimi me vdekje iu kthye në internim.

Në vitin 1909 ndihmoi në hapjen e Shkollës Normale të Elbasanit. Më 28 nëntor 1912, Lef Nosi ishte një prej delegatëve të Elbasanit në Kuvendin e Vlorës dhe është një nga nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë. Në kabinetin e Qeverisë së Vlorës me në krye Ismail Qemalin, Lef Nosi do të emërohej si Ministër i Postë-Telegrafëve, ku firmosi disa nga aktet e rëndësishme të kësaj qeverie.

Shumë i rëndësishëm konsiderohet fakti se Lef Nosi ishte botuesi i parë i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë. Mendohet që origjinali të ketë qenë pjesë e koleksioneve të Lef Nosit, fati i të cilave mbetet ende dhe sot i pasqaruar.

Në mars të vitit 1914, Lef Nosi ishte pjesë e delegacionit që priti ardhjen e princ Vidit në Shqipëri.

Në vitin 1918 ai merr pjesë në qeverinë e Durrësit dhe jep një ndihmesë të posaçme në përbërje të delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris. Merr pjesë në jetën politike të fillim viteve 20’ në kuadrin e Federatës “Atdheu”. Gjatë qeverisjes së Fan Nolit në vitin 1924, Lef Nosi u caktua kryetar bashkie i Elbasanit. Me largimin e Nolit, Lef Nosi tërhiqet nga politika dhe i dedikohet botimit të dokumentave me vlerë historike, studimeve gjuhësore, mbledhjes së objekteve arkeologjike, folklorike, numizmatike dhe filatelike.

Me pushtimin italian, Lef Nosi u internua në Itali dhe u kthye në Shqipëri në vitin 1942, ku fillon të angazhohet në rradhët e Ballit Kombëtar. Me pushtimin nazist të Shqipërisë, Lef Nosi u zgjodh anëtar i Regjencës. Gjatë kësaj kohe, ai ndihmoi në shpëtimin e hebrenjve të cilët përndiqeshin nga autoritetet naziste.

Me ardhjen e komunistëve në pushtet, Lef Nosi arrestohet në veri të Shqipërisë nën akuzën për bashkëpunim me pushtuesit.

Gjyqi u zhvillua në sallën e kinema “Kosova”, i cilësuar si “gjyq ushtarak i Tiranës”, ndonëse i akuzuari nuk kishte qenë ndonjëherë ushtarak. Gjatë gjyqit do të deklaronte që: “Regjenca nuk ka patur lidhje me gjermanët”. Dënohet me pushkatim më 15 shkurt të vitit 1946.

Megjithëse Nosi ishte një nga nënshkruesit e Deklaratës Shqiptare të Pavarësisë në 1912, komunistët, pasi morën pushtetin në 1945, e fshinë emrin e tij nga dokumentet zyrtare.

Përgjatë viteve të demokracisë u nderua me titujt “Qytetar Nderi i Elbasanit”në vitin 2004 dhe me urdhrin “Gjergj Kastrioti” në vitin 2007.

ImageImage

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco