Më 11 prill 1872 lindi Aleksandër Stavre Drenova, autori i Himnit

Më 11 prill 1872 lindi Aleksandër Stavre Drenova, autori i Himnit

08:48, 11/04/2022
A+ Aa A-

Më 11 prill 1872 lindi Aleksandër Stavre Drenova - Asdreni

Ka qenë poet, publicist, patriot shqiptar. Është autori i Himnit të Flamurit.

Asdreni lindi në Drenovë në një familje të varfër. I mbetur jetim, u detyrua të braktiste shkollën e mesme dhe të mërgonte në Rumani ku jetoi deri ditët e fundit kur mbylli sytë në Bukuresht.

Shpejt u aktivizua në përpjekjet e kolonisë së Bukureshtit në luftën për çlirim kombëtar dhe u bë një nga veprimtarët dhe figurat qendrore të asaj kolonie. Nisi të shkruante poezi e artikuj publicistikë në fillim të shek. XX. Vjershat e para i botoi në faqet e shtypit shqiptar.

Ato i përmblodhi në librin “Rreze dielli” (1904). Poezia e Asdrenit ndiqte traditën e Naimit e të Çajupit, lartësonte traditat liridashëse të shqiptarëve dhe të kaluarën e tyre, himnizonte dashurinë për atdhe dhe i grishte bashkatdhetarët të rreshtoheshin në luftën për çlirim kombëtar.

Vend me rëndësi në publicistikën e Asdrenit zënë edhe shkrimet që denoncojnë synimet e shteteve shoviniste fqinje dhe pohojnë besimin e forcave të vërteta kombëtare për fitoren e lirisë.

Asdreni ka hyrë në historinë e letërsisë shqiptare si një poet atdhetar e demokrat, që me veprën e tij ndikoi për zgjimin e ndërgjegjes kombëtare e shoqërore dhe për pasurimin e poezisë shqipe me forma e mjete të reja shprehëse.
 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco