Rudi Xhuliani: Si e kam njohur Presidentin Trump, miqësia 30 vjeçare dhe takimet...

Rudi Xhuliani: Si e kam njohur Presidentin Trump, miqësia 30 vjeçare dhe takimet...

22:25, 21/03/2018
A+ Aa A-

Ish-Kryebashkiaku i Nju Jork, Rudi Xhuliani, ka rrëfyer nw emisionin Opinion se ka njw miqësi prej 30 vitesh me Presidentin Donald Trump. Ai u shpreh se e ka takuar Trump pwr herw tw parw , kur ai po riparonte parkun Wollman Rink.

Ai ishte një nga mbështetësit e mi më të fortë, më besnikë dhe më të qëndrueshëm. Edhe pse në atë kohë ai i mbështeste si republikanët ashtu dhe demokratët. Por ne kishim një këndvështrim të ngjashëm. Ai më mbështeti kur unë garova për president. Sigurisht që dhe unë e mbështeta atë. Dhe ai pati sukses”, u shpreh Xhuliani.

Si është presidenti Trump? Ka shumë komente për të. Media e sulmon çdo ditë. Thonë se ai është ndryshe nga gjithë presidentët e tjerë. Ai ka edhe vete një qëndrim të ashpër me mediat. Po flet për lajme false dhe problemet me median. Ky nuk është një president tipik i Shteteve të Bashkuara. Çfarë lloj presidenti është Donald Trumpi?

Si fillim dua të them që ai është një mik shumë i ngushtë. Për 30 vjet.

Keni 30 vjet që e njihni?

30 vjet. Nga Nju Jorku. Dhe mund të them se tani kemi zhvilluar një miqësi shumë të ngushtë.

Kur e keni takuar për herë të parë?

E kam takuar kur, besoje ose jo, kur ai po riparonte parkun Ëollman Rink. Parkun për të bërë ski. Ai dhe kryebashkiaku Ed Kaç u grindën për emrin e parkut. Dhe ai vendosi të më mbështeste mua për kryebashkiak.

 Ai ishte një nga mbështetësit e tu?

 Ai ishte një nga mbështetësit e mi më të fortë, më besnikë dhe më të qëndrueshëm. Edhe pse në atë kohë ai i mbështeste si republikanët ashtu dhe demokratët. Por ne kishim një këndvështrim të ngjashëm. Ai më mbështeti kur unë garova për president. Sigurisht që dhe unë e mbështeta atë. Dhe ai pati sukses.

Ti ishe mbështetësi i tij më i rëndësishëm brenda partisë republikane?

Nuk do thoja tamam brenda partisë republikane por unë kisha garuar njëherë për president dhe mund ta ndihmoja atë me eksperiencën time.

Dhe ju ishit popullor kudo në Amerikë?

Po. Dhe e përdora këtë popullaritet sepse besoja se ai do të ishte një president i mirë. Ai i tejkaloi parashikimet e mia. Ai është treguar një president më i mirë nga sa unë mendova se do ishte.

Je i sigurt për këtë?

Gjithë çka duhet të shoh është gjendja ku ndodhet vendi im. Nuk më intereson çfarë mendojnë njerëzit. Njerëzit do kenë gjithmonë kundërshtime. Ekonomia po rritet, vendet e punës po ashtu, klasa e mesme dhe të varfrit po përmirësohen, të pasurit po paguajnë pak më tepër.

A është ai një kërcënim për demokracinë?

Ai është një mbështetës i madh i demokracisë brenda dhe jashtë shteteve të bashkuara sepse vetëm kështu mund të mbijetojë. Po të kishim një situatë më autoritare, ai nuk do ia kishte dalë kurrë dhe partia republikane do e kishte larguar direkt.

Si është ai personalisht, si një mik?

Ai është një njeri i këndshëm. Ai është gazmor.

Gazmor?

Ka një sens të mrekullueshëm humori. Adhuron të luajë golf, i adhuron sportet, i adhuron njerëzit dhe ka një familje të madhe.

Ka pasur më përpara interesa në politikë ai?

Ai ka qenë gjithmonë i interesuar në politikë. Si një mbështetës i njerëzve të tjerë.

Ai ka qenë një shoumen më përpara.

Po. Por kjo erdhi më vonë. Në fillim ai është marrë me pasuri të patundshme. Kështu ai bëri shumë para, humbi shumë para dhe më pas bëri prapë shumë para. Më pas emisioni i tij, “The Apprentice”, u bë emisioni më i vlerësuar në Shtetet e Bashkuara për shumë vjet. Dhe kjo i solli atij më shumë se thjesht para. Ai kishte para. i solli atij shumë popullaritet dhe njohje të emrit, gjë e cila është shumë e çmuar kur garon për president. Dhe i dha atij një njohje të mirë të televizionit, gjë të cilën ai e përdor në mënyrë shumë efektive. Dhe për momentin, askush tjetër nuk ka aftësi aq të mira në lidhje me televizionin sa ai.

Ai ka edhe shumë probleme me gratë.

Ai nuk ka probleme. Ato mundohen t’i hapin probleme. Për shkak të gjërave që ato i ekzagjerojnë apo thjesht i thonë. Janë thashetheme që janë përhapur kudo në Amerikë dhe nuk ke nga ta dish cilat janë të vërteta dhe cilat jo. Këtë duhet ta zgjidhin në gjykatë.

Ai nuk ishte një biznesmen tipik, siç thatë, as një politikan tipik, por ai është shumë i suksesshëm në të gjitha këto fusha.

Mendoj se kjo është pjesë e asaj që njerëzit nënvlerësojnë për të. Askush nuk i tha atij të kandidonte. Të gjithë kanditatët republikanë e nënvlerësuan, ai i mposhti të gjithë. Hilari Klinton po bëhej gati për të shkuar në Shtëpinë e Bardhë dhe ai e mposhti edhe atë.

Çfarë po ndodh me administratën e tij? Ai i ka ndryshuar të gjithë në fare pak kohë.

Ai ka shumë probleme të tilla sepse shtypi i sulmon ata më shumë nga sa duhet. Gjithashtu është tipike në një presidencë amerikane që të bëhen ndryshime. Unë e kuptoj këtë si kryebashkiak. Ai filloi ta kuptojë pas gati një viti. Ai është shumë i lumtur me sekretarin e tij të mbrojtjes dhe me sekretarin e thesarit. Ata kaluan paketën e taksave si dhe paketën e ushtrisë. Nuk është sekret që ai nuk ishte i kënaqur me Tillersonin.

E takoni shpesh?

Po. Në kohë të caktuara.

Jeni një këshilltar joformal i tij por edhe takoheni me të?

Po, sigurisht. Unë flas me të në telefon dhe takohem me të. Si në Uashington ashtu edhe në Florida. Kam një shtëpi gati një milje nga rezidenca e tij ku ai qëndron në dimër.

Në Florida?

Herë pas here. Ndoshta këtë fundjavë për shembull.

T’i kthehemi karrierës tuaj. Ju keni qenë shumë i famshëm si kryebashkiak i Nju Jorkut. Ndihmuat në ndryshimin e qytetit gjithashtu edhe për imazhin e 11 shtatorit. Por unë dua të kthehem pak më herët në jetën tuaj. Është e vërtetë që në shkollë të mesme kishit ëndërr të bëheshit prift?

Po.

Po? Pse?

Doja t’i ndihmoja njerëzit.

Jeni katolik?

Po, jam katolik. U rrita në një familje katolike. Në një familje italiane.

Nga cila pjesë e Italisë?

Firencja.

Firencja?

Firencja dhe Napoli. Babai nga Firencja, mamaja nga Napoli.

Kombinim i vështirë.

Sepse secili mendonte se ishte më i mirë. Unë mendoja se ishin të dy fantastikë. Familja ime ishte shumë besimtare dhe unë shkova në një shkollë katolike. Ishte pak a shumë e natyrshme që unë të doja të bëhesha prift dhe më pas zbulova që kishte gjëra që quheshin gra dhe vajza.

Dhe pse ndryshuat mendje?

Kjo është pikërisht arsyeja. Po të kisha qenë ortodoks mund të isha bërë prift pasi ata mund të martohen. Por nuk isha dhe kjo më drejtoi për t’u bërë avokat. Karriera ime në politikë vjen si pasojë e karrierës sime si avokat.

Ju keni qenë demokrat në fillim.

Po, kam qenë demokrat.

Keni marrë pjesë në fushatën e...

Xhon Kenedit dhe Robert Kenedit.

Edhe në atë të Xhon Kenedit?

Dhe në atë të Robert Kenedit. Kam qenë një djalë i ri atëherë.

Çfarë bëre në atë kohë në fushatë?

Organizoja njerëzit në lagjen time kur Robert Kenedi garoi për senator.

Si ishte Xhon Kenedi?

Ai ishte i vështirë për t’u njohur sepse ishte kaq larg nesh. Në atë kohë presidenti ishte shumë lart. Ai ishte si një idhull. Nuk mund ta vlerësoj në mënyrë korrekte atë apo Robertin. Që nga Niksoni, unë kam takuar çdo president.

Që nga Niksoni keni takuar çdo president. Cili ka qenë më i miri?

I treti të cilin takova dhe për të cilin punova. Ronald Regan. Presidenti më i mirë i shekullit të 20-të. Deri tani.

Presidenti më i mirë deri tani?

Jo, do më duhej të konsideroja Uashingtonin, Linkolnin.

Pse ndryshuat nga demokrat në republikan?

Ndryshova pjesërisht për shkak të politikave sovjetike. Fillova të mendoj se demokratët po rehatoheshin shumë me Rusinë Sovjetike.

Xhimi Karter ishte një katastrofë në atë kohë.

Xhimi Karter, gjëja më e mirë që ndodhi nga ai, ishte Obama. Sepse Obama ishte më keq se ai. Unë ndryshova për shkak të kësaj dhe për shkak të faktit që nuk më pëlqenin politikat e demokratëve. Të cilat po varfëronin njerëzit në qytetin tim. Gjë e cila më motivoi të garoja për kryetar bashkie. Unë kuptova se partia demokratike dhe jo vetëm unë, edhe Trumpi kështu mendon, partia demokratike bëri shumë lëshime. U bë shumë liberale. Shumë majtiste. Ndërsa partia republikane qëndroi një parti e djathtë. Dhe një pjesë e saj është shumë djathtiste për mua por në këndvështrimin tim, unë do e konsideroja veten midis një republikani konservativ dhe të moderuar.

Kur e takuat Ronald Reganin?

E takova Ronald Reganin kur shkova të punoj për të dhe u intervistova nga ai për t’u bërë një ndihmës prokuror i përgjithshëm. Gjë e cila është pozicioni i tretë në sistemin gjyqësor. Kjo ndodhi në vitin 1981. Unë e mbështeta atë në garën presidenciale.

Ai ishte një njeri shumë karizmatik, apo jo?

Ai ishte si Xhon Kenedi, por...

Më i moshuar.

Më i vjetër, më i zgjuar dhe më i fortë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Ladi21/03/2018 22:41

Doni me per Belulin ? ....Po Rudin nuk e Vetingut ? Trump ka kane akuzuar shume here per evazion fiskal, rrjedhimisht sipas Prokuroreve Shqiptare edhe per Pastrimin te Produkteve te Vepres Penale. Si ka mundesi Prokurori te kete miqesi te ngushte me evazionistin fiskal ? Perse nuk e kapi vettingu edhe Dolf Xhulianin ? Po Dolfi mos ka ardhur per ndonje koncesion ?......

Shto koment

Denonco