AKU - Ushqimi prishur në tepsi

AKU - Ushqimi prishur në tepsi

Nga Hysni Gurra - 10/10/2017
AKU - Rama u dha adresën e re biznemenëve të mëdhenj gjatë prezantimit të drejtorit të ri!

Fjalimi i Kryeministrit gjatë prezantimit të drejtorit të ri të AKU-së mund të përmblidhet si më poshtë:

- AKU institucion me problematika shumë serioze kombëtare.

- Institucion i mbushur me të paaftë, gjobaxhinj, dhe i politizuar.

- Institucion që terrorizon biznesin e madh dhe doganat.

Këto ishin disa nga pikat kryesore nga fjalimi i kryeministrit të vendit gjatë prezantimit te drejtorit te ri te AKU-së!

Dashamirësit, por edhe kundërshtarët e Ramës ia kanë pëlqyer gjithmonë fjalimet, sigurisht edhe unë për këtë pjesë nuk mund t’ia ha hakun! Shkëlqen!

E citova në mënyrë të përmbledhur pjesën kryesore të fjalimit për t’i ndejtur besnik asaj ç’do përpiqem të rendit më poshtë.

Kam qenë ndër të paktët që katër vitet e shkuara kam thënë, jo kaq bukur, por gjithsesi të gjitha këto që KM thotë pas katër vitesh për një institucion që ka qenë ekzistent edhe gjatë mandatit te kaluar te tij.

Në këtë prezantim që KM i vendit bën, për publikun e gjerë ka shumë shpresë në të, e para nga leximi i shpejtë i gjësë, e dyta nga mosnjohja mirë e çështjes, shtuar këtu edhe mjeshtërinë e paparë të KM për të dhënë mesazhet midis rreshtave dhe për të fshehur në fakt thelbin e gjësë.

Ky prezantim është një mesazh për biznesmenët e mëdhenj të cilët operojnë në këtë sektor.

Ata morën mesazhin se tashmë do të jenë të qetë, nuk do të kenë për të paguar më në zyrat e partive të tjera për t’i zënë gojën ligjit me paligjshmëritë e tyre, por do të paguajnë vetëm në një dorë të vetme.

AKU në vite ka qenë një institucion, brenda të cilit vegjetojnë njerëz të pakualifikuar, gjobaxhinj.

Por, a po bën sa duhet KM ta ndryshojë këtë gjë, apo thjeshtë po heq ca gjobaxhinj dhe po vendos ca të tjerë?

Kryeministri është mjeshtër i fjalës, por AKU është çështje serioze, nuk është çështje publicistike.

Për mua, edhe katër vitet e shkuara, fajin kryesor që ky institucion është në këtë gjendje ky KM e ka.

Pse i jepet një aleati të papërgjegjshëm një institucion i rëndësisë së veçantë, siç me të drejtë kryeministri e quan AKU-në?

Pse është trajtuar 4 vitet e shkuara si tepsi çështja e sigurisë ushqimore? Duhet, së pari të mbaj dikush përgjegjësi për këtë!

Kryeministri foli për paaftësi dhe e trajtoi këtë institucion si një institucion të kthyer në problem kombëtar.

Jam shumë dakord me të.

Por nuk mund t’i besoj dot sa kohë shoh që, nuk kam asgjë me personin, emëron në krye të këtij institucioni një person me diplomë kristali. Kryeministri ka artikuj e fjalime pafund për këtë diplomën, të cilën e mbylli me shumë bujë dhe me shumë të drejtë, mendoj.

Pra, mban një fjalim të shkëlqyer gjatë prezantimit të një joprofesionisti. Shan inspektorët e paaftë dhe jo profesionistë, me shumë të drejtë, dhe ndërkohë u jep mesazhin se në krye të tyre do të jetë serish një joprofesionist.

I dashur kryeministër, AKU është çështje serioze!

I ka akuzuar inspektorët e AKU-së si tmerrin e doganave dhe të bizneseve!

Kjo është qesharake.

Nuk ka patur dhe nuk do të ketë, mesa lexohet nëpër rreshtat e këtij fjalimi, inspektor AKU-je që ngjall frikë dhe tmerr në dogana apo biznese.

Inspektorët e AKU-së nuk munden, qofshin këta të aftë apo të paaftë, të bëjnë asgjë, asgjë fare, pa lejen e titullarit, ashtu siç ministrat e t’u i dashur kryeministër.

Nëse ka një problem me sigurinë ushqimore në këtë vend, burimi i këtij problem janë ata të cilëve ti u qave hallin gjoja në konferencën për shtyp, biznesmenët.

Është e ditur që ata 4-5 biznesmenët që tha edhe ambasadori para disa ditësh, kontrollojnë gjithçka në këtë vend, larg qoftë, ndoshta të kontrollojnë edhe ty vetë.

Ku pyesin ata për inspektor AKU-je! Në momentin e parë që një inspektor shkon diku jashtë Tirane për inspektim (me kokën e tij) dhe gjen shkelje në një biznes të tillë, inspektori nuk mund të kthehet dot as në zyrë të fikë kompjuterin, është shkarkuar rrugës.

Këta që KM thotë se janë bërë tmerri i biznesit!!!

Përsa i përket çështjes së këtyre inspektorëve në dogana. Mesazhi ishte i qartë për ata që duan traun e doganave ngritur, dhe ata janë biznesmenët që bezdisen nga kontrollet. Për konsumatorët ky nuk ka se si të jetë mesazh pozitiv.

Unë nuk pres që të ndryshojë gjë përsa i përket sigurisë ushqimore në vend. Dua shumë të zhgënjehem pozitivisht në këtë drejtim nga KM, por dyshoj se ka për të ndodhur.

Nuk ka akoma një plan të qartë masash ç’do të bëhet në këtë drejtim, thjesht 20 minuta fjalim, diletant nëse do quhet reformë, i pamjaftueshëm dhe jo produktiv nëse do ta quajnë plan për 4 vitet e ardhshme.

Siguria ushqimore është çështje tepër serioze siç edhe deklaroi kryeministri, por në çështje kaq serioze nuk mund të bëhen prova, rezultati i të cilave dihet.

Nuk mund të vendosësh drejtues në institucione kaq serioze pa një arsimim mesatar të paktën, në këtë fushë, dhe ta përdorësh këtë institucion si vend prove për të testuar diplomat e “kristalit”.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

I pashkolle10/10/2017 20:29

Hallall i kjofte KM, i bani telef ata te AKU-se dhe i shndriti me emrimin e ekonomistit ne krye te saj...Prsh. ne Shkoder e ka drejtuar nje ferkojse i thone ,inferniere masazhatore e cila eshte prape,Mira e therrasin dhe shkodranet per kater vjet kane qene shume te sigurte ,sidomos per lek ajo ishte mjeshtre; edhe leke nga rroga ju ka mbajte inspektoreve te shkrete per me ja cu femijeve te Ilir Metes dhe Mones ne Jale ose ndryshe LRI-se.... kesaj i thone me te tredhe nga trute...

Shto koment