Nuk është e Skënderbeut, maska është e jona!

Nuk është e Skënderbeut, maska është e jona!

Nga Enver Bytyçi - 01/09/2017

Sot në mëngjes Gjergj Kastrioti Skënderbeu i gdhi i maskuar, jo i mbuluar. Kalit i dukeshin të gjitha, Skënderbeut jo, as trupi as përkrenarja. Kjo ndodhi tërheqi vëmendjen e gjithë opinionit, deri në kufijtë e linçimit të një feste tradicionale të Zotit, sepse shihet si një ngjarje e rrallë, si ato ngjarjet e rralla që ne i përjetojmë si askush tjetër e jemi njëjtësuar me to po ashtu si askush tjetër. Ne vetë prodhojmë histori specifike, të jashtëzakonshme, të papërsëritshme, të padëgjuara për kombet e tjera, përfshirë dhe kombet e prapammbetura! Ne vrasim me gjakftohtësi nënën e fëmijës tonë! Dhe heshtim edhe kur shteti përgjegjës për këto ngjarje makabre e kërkon përgjegjësinë te unë, të ti, te ai që flet e shkruan?!

Skënderbeu u gdhi sot me maskë, sepse prej kohës së tij e deri më sot ne shqiptarët jetojmë me maska. Maska është karakteristika jonë më e përhapur, më e dukshme, më prezentative. Kur jemi në hall, bëhemi urë, zhapinj dhe me ato lutjet tona dukemi si viktimat e xhunglës. Kur jemi në kalë, i shkelim të gjitha qeniet e gjalla e këmbë, njerëzit na duken milingona. Prandaj kur duhet të mburremi me Nënë Terezën e kthejmë në një lolo, çfarë nuk shpikim dhe ta denigruar. Kur duhet të krenohemi me Skënderbeun e maskojmë, madje e shajmë, ia bëjmë nënën shkinë dhe motrën, gruan e shkjaut.

Fantazitë tona shkojnë përtej imagjinatës. Kujt i shkoi mendja që ta maskojë Skënderbeun ditën e Kurban Bajramit?! Kush u angazhua, kush e urdhëroi këtë akt, kush e bëri, kush e pa e nuk bëzani?! Eshtë një rrjet i madh njerëzish kryesisht me pushtet ligjor e shpirtëror, i cili është marrë me këtë akt të shëmtuar. Pse i shëmtuar? Sepse nuk është puna që monumenti i Skënderbeut u maskua në një procesi rinovimi, rikualifikimi, restaurimi. U maskua për një rit islam fetar, shpirtëror, u maskua “për të mbrojtur fenë islame nga Krishti”! Dhe më plas shpirti ta di, pse qenka fyese prania e Skënderbeut të pamaskuar në këtë rit?! Kujt ia lëndoi shpirtin kjo prani?! Po këta ateistët tanë në krye të Bashkisë së Tiranës e të qeverisë shqiptare, pse lejuan “heqjen” e heroit kombëtar nga sheshi i vet?! Sheshi është i yni dhe i Skënderbeut, sepse mban emrin e tij. Dhe më së fundi: - A do ta maskonin monumentin e diktatorit këta monstra, nëse ai do të gjendej ende në lindje të sheshit, si dikur?!

Ne shqiptarët duhet t’ia heqim maskën vetës, kolegut në krah, komshiut, e deri lidershipit tonë që me tam - tame shpall vitin e Skënderbeut e ndërkohë në një ditë të shenjtë si kjo jep leje që të dhunohet, poshtërohet dhe diskriminohet figura emblematike e përbashkuese e kombit shqiptar! Ky është akt terrorist, me të cilin bashkia e Tiranës dhe qeveria e Shqipërisë kanë bashkëpunuar! Ky është një turp kombëtar, që nuk mund ta zhbëjë lapsi i asnjë akademiku, përfshirë dhe kreun e Akadaemisë, Prof. Korkuti!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

altin04/09/2017 15:39

Neo-osmanllinjve, edhe 550 vjet pas ndarjes nga jeta, Gjergj Kastrioti Skenderbeu dhe perkrenarja e tij u kallin daten.

Ervin02/09/2017 12:12

Mua më duket një provokim i menduar nga pushteti (mender rilindja). Cili është synimi nuk e kuptoj dhe as nuk mundohem ta kuptoj.
Thjesht më ka kapur një trishtim për këta njerëz të djallëzuar që ç'nuk shpikin për të krijuar pështjellim.
Turp! Këtu hyjnë fjalë të tjera por për respekt të gazetës dhe lexuesve nuk po i shkruaj.

Shto koment

Denonco