A do të ndërhyjë Rusia edhe në zgjedhjet në Gjermani?

A do të ndërhyjë Rusia edhe në zgjedhjet në Gjermani?

Nga Anna Sauerbrey - 21/07/2017

Edhe nëntë javë kanë mbetur nga zgjedhjet e 24 shtatorit në Gjermani, prej nga do të dalë edhe kancelari i ri. Deri tani, sytë janë te kancelarja në detyrë, Angela Merkel, dhe Martin Schulz, sfiduesi i saj nga krahu i majtë. Por po shohim edhe një tjetër lojtar në fushatë, dikush që po mban një heshtje të dyshimtë deri tani: Rusia.

Prej kohësh është supozuar se hackerët rusë do të sulmojnë edhe zgjedhjet në Gjermani, siç bënë me ato në dy prej aleatëve më të ngushtë, në SHBA e Francë. Dhe nuk do të ishte hera e parë që Gjermania hakohet: Në maj 2015 një hacker vodhi të dhëna nga 16 anëtarë të Bundestagut, përfshirë zonjën Merkel.

Shërbimit e zbulimit gjerman ia atribuan sulmin Fancy Bear, një grup hackerësh që fshihet edhe pas sulmeve kundrejt Komitetit Demokratik Kombëtar dhe lëvizjes “La République en Marche” të presidentit francez Emmanuel Macron. Besohet gjerësisht se Fancy Bear është krah i agjencive shtetërore ruse të zbulimit.

Por a do të materializohen të dhënat e vjedhura si “kompromat”? Ka gjasa. Por a do të ketë rëndësi? Ndoshta jo.

Ndërsa liderët e Rusisë nuk kanë ndonjë afeksion për zonjën Merkel, Kremlini ka pak për të fituar nga përzierja me votën gjermane. Në Francë, një kandidat i krahut të djathtë me pozicion të fortë anti-BE ia arriti të shkonte në raundin final. Ndërsa në SHBA, e dini vetë historinë. Në sistemi proporcional të përfaqësimit në Gjermani, megjithatë, koalicionet qeveritare janë rregull. Nëse hackerët nxjerrin informacion që lëvizin votën me disa pikë përqindjeje më shumë apo më pak, nuk do të ndodhte ndonjë gjë e madhe. I dizenjuar pas Luftës II Botërore për të imunizuar vendin nga totalitarizmi, sistemi politik gjerman tani shërben edhe si një firewall kundër luftës informative.

Nga këndvështrimi rus, diferencat midis dy partive kryesore, Social Demokratët e qendrës së majtë dhe Kristian Demokratët e qendrës së djathtë, janë të vogla. E vërtetë, disa Social Demokratë favorizojnë zbutjen me Rusinë dhe disa liderë të tyre kanë kritikuar rritjen e shpenzimeve ushtarake të NATO-s. Por partia është e palëkundur pro-evropiana dhe pro-NATO. Dhe sido që të jetë, zonja Merkel pa një kryesim dominues me 15 pikë.

Të përpiqesh të fuqizosh populistët e krahut të djathtë në Gjermani, si në Francë, nuk duket shumë premtuese: Alternativea për Gjermaninë, partia kryesore e ekstremit të djathtë, është tepër e vogël për të pasur rëndësi më vete dhe asnjë parti tjetër nuk është e prirur të bëjë koalicion me të.

Për më tepër, në Gjermani shumica e njerëzve ende lexojnë gazetat lokale me cilësi të lartë ose i shohin lajmet e mbrëmjes në televizor. Në janar 2016, organet e medias ruse me bazë në Gjermani përhapën lajmin e një minoreni ruso-gjerman që ishte rrëmbyer dhe përdhunuar nga tre persona me origjinë arabe.

Kjo çështje përmendet shpesh si një shembull se si lufta informative ruse mund të funksionojë në Gjermani, por në të vërtetë, nga këndvështrimi rus, ishte një dështim. Gjendja shpirtërore e publikut nuk mund të kishte qenë më e favorshme: Fushata nisi pak pasi publiku mësoi lajmin e sulmeve të panumërt seksualë në Këln, natën e vitit të ri, kryer nga burra me origjinë nga Afrika Veriore. E megjithatë, për shkak se media tradicionale është e fortë dhe e respektuar gjerësisht, lajmi i rremë nuk shkoi larg. Dhe kostoja për Rusinë ishte e lartë: Ministri i Jashtëm, Sergei Lavrov, e mbështeti fushatën disinformuese, çka i thartoi edhe më tepër marrdhëniet ruso-gjermane.

Një tjetër avantazh gjerman në epokën e luftës informative është klasa jonë politike, krejtësisht josimpatike, por praktikisht e pakapur nga skandalet. E vërtetë, më 1999 doli që Kristian Demokratët kishin pranuar miliona në fonde ilegale dhe i kishin fshehur paratë në llogari sekrete; kohët e fundit u zbulua që një deputet ishte përdorues droge, ndërsa një tjetër kishte shkarkuar foto minorenesh nudo në laptopin e tij. Por kaq është e gjitha. Për shumicën e gjermanëve, politikanët janë kuaj të mërzitshëm që shohin vetëm përpara, çka në fakt është ajo se si i duam.

Kjo nuk do të thotë që Rusia nuk do të përpiqet të bëjë diçka. Kohët e fundit duket se është në ADN-në e hackerëve për të gjuajtur zgjedhjet e profilit të lartë, sidomos kur përfshihen liderë që kanë qëndrim të fortë kundër Vladimir Putin. Edhe nëse do t’i bënte zgjedhjet më të mbyllura, një hack që mund ta sikletoste disi zonjën Merkel do t’ia vlente.

Në fund të fundit, një pjesë thelbësore e politikës së jashtme të zotit Putin është “ekspozimi dhe tallja e hipokrizisë dhe paqëndrueshmërisë së Perëndimit”, siç shkruanin studiuesit rusë Aleksei Miller e Fjodor Lukjanov në një raport për Fondacionin Robert Bosch Foundation në Berlin. Constanze Stelzenmüller, partnere gjermane e Brookings Institution, e përshkroi kështu në dëshminë para Komitetit të Inteligjencës në Senatin e SHBA: “Për Putinin, poshtërimi i Merkelit do të ishte fitore personale në Evropë dhe Perëndim”.

Kështu që edhe pse duket e pavlerë dhe e kushtueshme t’i bësh zgjedhjet në Gjermani një shënjestër të Rusisë, nuk është aspak e çuditshme që të ndodhë. Gjermani ka filluar të marra masa, duke forcuar mbrojtjen kibernetike ndërsa Bundestagu sapo ka miratuar ligje për ndalimin e lajmeve të rremë në median sociale.

Kundërmasa më e mirë megjithatë nuk është novacioni teknik e ligjor, por ruajtja e kulturës së shëndetshme politike të Gjermanisë. Nëse arrijmë ta bëjmë, ariu le të bëjë ç’të dojë. Nuk do ta kemi problem.

Marrë nga New York Times - Përgatiti: SYRI.net

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Arber23/07/2017 06:55

Gjermania nderhyn ne menyre flagrante per te rrezuar nje ne Ukraine nje President (ndoshta i keq) por i zgjedhur me vota te lira, perse Rusia nuk u dashka te influencoje per interesat e veta? Perendimi nderhyn kodo duke imponuar.

Shto koment

Denonco