Lajmi i fundit

LIVE/ Protesta para bashkisë së Tiranës, qytetarët kërkojnë largimin e Veliajt

Fitorja e Bashës e përçan PD-në si kurrë më parë

Fitorja e Bashës e përçan PD-në si kurrë më parë

Nga Zëri i Amerikës - 21/07/2017

Në Shqipëri drejtuesi i Partisë Demokratike Lulzim Basha po kërkon një mandat të dytë në krye të forcës kryesore opozitare në votimet që do të mbahen nesër. Pas humbjes së thellë në zgjedhjet e 25 Qershorit dhe kritikave të forta nga brenda, që e bëjnë atë përgjegjësin kryesor, zoti Basha gjatë gjithë fushatës i është përmbajtur qëndrimit se rezultati ishte diktuar nga shitblerja e votës. Ai nuk i është përgjigjur akuzave të shumta për mënyrën se si ka drejtuar partinë apo dhe organizimin e garës për kryetarin, ndërsa premton se në të ardhmen vendimmarrja do t’i kalojë anëtarëve të thjeshtë

E vetmja dalje publike e zotit Basha është ajo pas zgjedhjeve të 25 qershorit kur përfundoi procesi i numërimit. Pasi nuk pranoi të jepte dorëheqjen por zgjodhi formulën e “ngrirjes” nga detyrat e tij organizative, ai shpalli rikandidimin për të mbrojtur projektin e tij të “Republikës së Re”. Përballë furisë së kritikave të ashpra nga shumë eksponentë të partisë të cilët sipas tij nuk punuan asnjë ditë për fitoren, zoti Basha zgjodhi heshtjen duke refuzuar komentet publike. Në garë, përballë tij pati vetëm një rival, zotin Eduard Selami, ndërsa Astrit Patozi nuk pranoi të futej, pasi një sërë garancisë që ai kishte kërkuar u refuzuan.

Fushata e zotit Basha u zhvillua e mbyllur, dhe për publikun u servirën vetëm pamjet dhe deklaratat e përzgjedhura nga stafi i tij. Mediat asnjëherë nuk u pranuan të ndiqnin takimet dhe as ato pak raste debati që zhvilloi me rivalin tjetër në garë Selami, pas kërkesës së këtij të fundit.

Në takimet e para të fushatës së tij zoti Basha deklaroi se “Marr përgjegjësitë e mia dhe pranoj përgjegjësitë e mia në këtë proces. Gabimet e mia janë të gjitha politike, sepse prej minutës së parë asgjë se kam bërë për veten time, për pushtetin tim, apo për karrigen time, por gjithçka e kam vënë në funksion të Partisë Demokratike dhe demokratëve të thjeshtë".

Por edhe gjatë vazhdimit të fushatës nuk u mësua se cilat ishin këto përgjegjësi dhe gabime. Opozita pësoi një nga humbjet e saj më të thella, por për zotin Basha rezultati ishte ndikuar nga shitblerja e votës: “Maxhoranca e dalë nga këto zgjedhje është një maxhorancë fiktive sepse nuk reflekton vullnetin e qytetarëve, por reflekton shtrembërimin e këtij vullneti përmes shit-blerjes së votës që tashmë është provuar katërçipërisht si varrmihësja e demokracisë tonë të brishtë”

Krahasuar me zgjedhjet e vitit 2013, opozita ka humbur mbi 200 mijë vota. Megjithatë sipas zotit Basha, edhe demokratët nuk kishin dalë për të votuar në këmbim të parave: “Në Tiranë, vetëm për të mos dalë në votime, plani ka qenë 5 deri 15 familje opozitare për qendër votimi, pagesa 200 mijë lekë për familjar, jo për votues”.

Pas tre muajsh protesta opozita vendosi të hyjë në zgjedhje pas marrëveshjes së zotit Basha me kryeministrin Rama, një marrëveshje që sipas tij ishte bërë nën trysninë ndërkombëtare, por që nuk mund të përsëritet: “Marrëveshja e 18 majit na diktoi provën nën presionin ndërkombëtar, me Edi Rama Kryeministër, prova dështoi. Ajo që ne kishim thënë u provua, nuk ka zgjedhje me Edi Ramën kryeministër, është armik i zgjedhjeve të lira e të ndershme. Kur flas për përballje totale, për zgjedhje të lira e të ndershme, sigurisht që s’ka asnjë shans lloj bashkëpunimi politik apo koalicioni me Edi Ramën. I vetmi shans është përballja dhe fitorja përmes përballjes”

Ndonëse rrallë, të paktën në atë pjesë të bërë publike të fushatës së tij, zoti Basha ka sulmuar dhe kundërshtarët e tij të shumtë në parti, figura që u lanë jashtë listës së kandidatëve. “Çelësi është shpirti i pastër i demokratit. i atij që nuk pyet se kur me vjen radha për t'u bërë deputet por vjen në betejë sa herë ka betejë për vlerat për të cilat kemi lindur dhe luftojmë”.

Zoti Basha ka mbrojtur projektin e tij të Republikës së Re e cila sipas tij nënkupton që fuqia e vendimmarrjes t’i kalojë anëtarëve të partisë: “Republika e Re është një raport i ri midis shtetit dhe qytetarit, se që këtej e tutje jo thjesht rekomandimet, por përcaktimet e përfaqësuesve për deputetë, për bashki dhe për këshilltarë bashkiakë, dhe çdo zyrë të zgjedhur publike apo brenda Partisë Demokratike duhet të vijnë me një anëtar-një votë nga anëtarët e PD”.

Rivali në garë Selami është shprehur për një garë me kushte të pabarabarta. Kundërshtarët e zotit Basha kanë ndërmarrë një tur në disa qytete ndërsa flasin për një garë farsë me një rezultat të paracaktuar. Vetë zoti Basha i ka mëshuar shpesh idesë së bashkimit, por në rast fitoreje, ai rrezikon të ketë frenat e një partie të përçarë si kurrë më parë.  

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Ardian22/07/2017 09:40

Kur perzihet edhe Zeri Amerikes ne kete pune, nuk kuptohet me se ku eshte halli. Natyrisht Zeri Amerikes nuk e ka hallin tek demokracia e brendshme ne PD.sepse po ta kishte hallin aty, do kish shprehur sadopak shqetesim per blerjen masive te votave, per instalimin e mafias ne pushtet.

krasasi tp21/07/2017 20:54

Percahet e rrudhet PD, por kjo nuk eshte fatkeqesi globale.Ne historine e zhvillimeve politike ka shembuj te shumte se si parti politike historike jane zhduk pa pritur dhe gjithmone behet dikush apo dicka sebep."Nderi" per ta zvogeluar PD ne nivelin kritik i qelloji z.Basha.Pas zgjedhjeve farse , PD me kohe do filloj te quhet RV(Rilindja e vogel) per ta dalluar nga Rilindja e PS.Qe eshte mulli me ere ,nuk ka dyshim, por uji nga i vjene nuk po e kuptoj.Kush eshte kumbari?.Me kohe do qartesohen te gjitha.Njohja e fraksioneve dhe nji lider i ri do ta sjell ne pushtet PD shume shpejt.

Shto koment

Denonco