Si nisi lufta Lu-Llalla për serverin e pasurive dhe Rama prapa skene

Si nisi lufta Lu-Llalla për serverin e pasurive dhe Rama prapa skene

Nga SYRI.net - 02/02/2017

Sot ka qenë një ditë shpërthyese për politikën dhe opinionin publik, pasi doli në shesh një përplasje e egër mes ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë Donald Lu dhe Prokurorit të Përgjithshëm të Republikës, Adriatik Llalla.

Që në orët e para të mëngjesit, ambasadori Lu nisi hapur një sulm ndaj kryeprokurorit, këtë herë duke ja specifikuar emrin; duke e quajtur si një nga njerëzit e rëndësishëm në Shqipëri, që ka qenë sistematikisht kundër Reformës në Drejtësi. E menjëhershme dhe e ashpër ka qenë kundërpërgjigjja e Llallës, duke e akuzuar kryediplomatin e SHBA-së, se e ka kërcënuar dhe shantazhuar disa herë, derisa arriti edhe që ti anulojë vizën diplomatike atij vetë dhe bashkëshortes.

Por nga buron gjithë ky konflikt i paprecedent, mes Prokurorit të Përgjithshëm dhe një ambasadori të fuqishëm?

Pavarësisht nga ato që janë deklaruar në periudha të ndryshme kohore nga të dyja palët, se shkaku është thjesht mënyra se si ata e kanë këndvështruar procesin e Reformës në Drejtësi, “lepuri” duket se fle tjetër kund.

Në vigjilje të ngritjes së institucioneve që do të merren me Vettingun, në fund të muajit Nëntor të vitit të shkuar, Adriatik Llalla urdhëroi bllokimin e arkivës së ILDKPKI (Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit) pasi kishte nisur një hetim me nismë të vet, kundër kreut të këtij institucioni Shkëlqim Ganaj. Ky hetim u iniciua me argumentin se organi i akuzës kishte dyshime të forta, se Ganaj ka shkelur ligjin, pasi nuk ka hetuar qëllimisht shumë raste të dyshuara të konfliktit të interesit të disa deputetëve, që kanë kryer biznesi me paratë e buxhetit të shtetit. Kjo lëvizje e beftë e kreut të akuzës shqiptare, alarmoi kryeministrin Rama, i cili e di shumë mirë që shumë nga deputetët dhe zyrtarët e lartë të tij janë deri në fyt me punën e pasurive që kanë vënë këto vite dhe si kanë bërë, edhe pse janë treguar të kujdesshëm me deklarimet në ILDKPKI.

Por ajo që është më interesante në gjithë këtë histori, ky hetim dukej se synonte edhe disa deputetë të cilët u thirrën ose u kontaktuan nga ambasada amerikane gjatë periudhës kur Edi Rama i mbështetur fortë nga ambasadori Lu, synonte ta kalonin Reformën në Drejtësi pa votat e opozitës, duke krijuar një shumicë absolute me çdo kusht.

Kjo ndërhyrje e pazakontë e Prokurorisë dhe synimi për të bllokuar të gjithë arkivën fizike dhe elektronike të ILDKPKI-së, alarmoi kryeministrin dhe u konsiderua nga Lu siç e deklaroi hapur edhe sot, si një përpjekje e tij për të bllokuar përdorimin e kësaj arkive në procesin e pritshëm të Vetingut. Kryeprokurori Llalla, ka qenë vetë për një periudhë të gjatë në krye të ILDKPKI dhe e di shumë mirë se çfarë “pasurie” përmban arkiva e atij institucioni; mijëra e dhjetëra mijëra deklarata të pasurive dhe të të ardhurave jo vetëm të politikanëve dhe zyrtarëve të lartë, por edhe të gjyqtarëve dhe prokurorëve që nga viti 2004.

Tashmë dihet që Rama, edhe pse dështoi pas çuarjes në Venecia me draftin “Xhafa” të reformës, nuk ka hequr dorë që të paktën gjatë krijimit të institucioneve të saj të marrë sa të mundet kontroll aty. Është pikërisht kjo arkivë që do të jetë edhe një nga burimet kryesore të vendimmarrjes së komisionit të Vetingut, për të parë pastërtinë e figurës së gjykatësve dhe prokurorëve. Këtu fshihet edhe “lepuri” dhe arsyeja, se përse Rama i mbështetur nga ambasadori Lu nuk mund tëlejonin një “palë të dytë”, që të kishte akses aty.

“Në Nëntor dhe Dhjetor prokurorët u përpoqën dhe dështuan të sekuestronin serverin e kopjuterët e ILDKPI, të cilat janë thelbësore për Vetingun”, deklaroi sot Lu, duke hedhur dritë për herë të parë publikisht për këtë përplasje të madhe, që në fakt kishte nisur që në Nëntorin e vitit të shkuar.

Në atë kohë Shkëlqim Ganaj, që tashmë njihet si një ushtar i bindur i Ramës refuzoi dorëzimin e serverit, por prokurroia nuk u tërhoq duke lëshuar urdhër-sekuestro, i cili nuk u ekzekutua sepse Rama dhe policia e Tahirit refuzuan të bashkëpunonin. Paralelisht me këtë ILDKPKI iu drejtua gjykatës, e cilat e rrëzoi tentativën e Prokurorinë me argumentimin, se në rast hetimi ndaj Ganajt, prokuroria mund të bllokojë dhe sekuestrojë vetëm deklaratat e zyrtarëve të rasteve të dyshuara për konflikt interesi, por jo të gjithë arkivën.

Ky operacion i bllokuar, nuk ju fal kurrë Adriatik Llallës nga kryeministri Rama dhe ambasadori Lu dhe ishte pika e fundit në gotën e mbushur plotë, për shumë çështje të tjera në kohë të ndryshme, për të cilat kreu i prokurorisë është përplasur me të dy; me të drejtë a jo, tashmë ka pak rëndësi.

SYRI.net

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Miku i Liut02/02/2017 17:18

Po normal se Lu -ja e ka hallin me shpetu prokuroret dhe gjykatesit e KORRUPTUAR te katapultuar nga Sorosi ne sistemin e drejtesise te kapur prej 27 vitesh te kesaj pseudo demokracie. Te FALIMENTUAR JENI nuk do tja dilni dot, te gjithe ne BURG do te perfundojne.....dita e shqiptareve me ne fund po afron .

Shto koment

Denonco