Vdekja e Arditit në Sharrë. Si është katandisur demokracia e shteti i të drejtës në Shqipëri

Vdekja e Arditit në Sharrë. Si është katandisur demokracia e shteti i të drejtës në Shqipëri

Nga Denion Meidani - 13/10/2016

Nuk mund të rezistoja dot pa reaguar pasi pashë pjesën e parë te “Publicus” në YouTube.  Ishte, në fakt,  një zhgënjim i madh. Por dhe një dhimbje qytetare se ku është katandisur demokracia dhe shteti i të drejtës në Shqipëri. Sidomos u preka nga përmasat e dramës njerëzore, e varfërisë dhe e vuajtjes shqiptare, që një forcë gjoja e majtë po e zmadhon më tej, deri duke thelluar tej mase hendekun mes këtij shtresimi të madh të përvuajtur, që mezi shtyn ditën dhe atyre që vjedhin e rrëmbejnë, kapardisen e abuzojnë, që gëlojnë në luks...

Nga investigimi aty na u dëshmua një histori e hidhur. Bëhej fjalë për një kompani monopoliste me investim minimal e fitim maksimal ndër vite, që abuzon tmerrësisht me kontratat e rekrutimit, me kushtet e punës, me ndotjen dhe ambientin, dhe ndërkohë që nuk paguan sigurimet e punonjësve dhe as paguan rregullisht taksa. Dhe ndërkaq, shfrytëzon pothuajse falas landfillin më të madh në vend. Kjo kompani ka kryer dhe veprime penale të ndryshme që dolën në pah gjatë emisionit.

Po ashtu, pame që një kompani e tillë ka lidhur një kontratë me bashkinë e kryeqytetin, që mban madje firmën e kryebashkiakut të sotëm. Ky i fundit nuk u mjaftua me kaq, por dhe e reklamoi dhe u bëri thirrje shtresave në nevojë që të trokisnin në dyert e saj për t’u punësuar e marrë një rrogë “dinjitoze”. Siç rezulton, kontrata, sipas juristit Braho, është lidhur pa procedura prokurimi, pa afat e limit kohor dhe e vetmja pagesë që do të kryejë kompania është një “donacion” i çuditshëm nga 0-2mln lekë në dëshirë të saj. Ndërkohë, sipas hulumtimit te “Publicus” bazuar tek vlerësimi profesional i “YACA”, del se kompania përfiton të ardhura prej rreth 8mln euro në vit. Pra, z. Veliaj, pa pasur të drejtë, i ka dhënë në përdorim në mënyrë abuzive apo, më saktë, i ka bërë peshqesh kompanisë përdorimin e landfillit pa limit. Madje, nëse nuk do të kishte ndodhur fatkeqësia (dhe sigurisht në mos të ndodhte ajo, diçka tjetër do të ngjiste, në ndonjë rast tjetër, në ato kushte jo njerëzore, që u ekspozuan në regjistrim), ky abuzim  mund të shtrihej dhe jashtë mandatit të tij si kryetar bashkie.

Ky kryetar ka bërë peshqesh 8 mln euro fitim vjetor, pa kërkuar zyrtarisht e pa pretenduar të paktën as 1% të vlerës për bashkinë që ai drejton dhe veprimtaritë e saj në shërbim të qytetarëve. Apo, minimalisht, për manaxhimin dhe përmirësimin e landfillit! Por, mesa shihet, ai është mjaftuar me një donacion deri në 2 milion lekë në varësi të humorit të sipërmarrësit. Nuk është parashikuar, madje, asnjë investim i detyruar në landfill nga firma përveç mundësisë, në të ardhmen, për të investuar gradualisht dhe pa afat në kosha mbetjesh nëpër kryeqytet...

Ishte një habi e madhe nga fakti që bashkia ka refuzuar disa herë t’i përgjigjet e të dorëzojë në prokurori kontratën e bërë publike nga ajo në këtë emision. Sidomos kjo më çuditi shumë nga që unë kam punuar për mbi tre vjet në këtë institucion dhe nuk njoh ndonjë precedent (me përjashtim të rastit të mos zbatimit të menjëhershëm të urdhrit nga policia për zinxhirin komandues të gardës, lidhur  me ngjarjet e 21 janarit), që ndonjë autoritet shtetëror apo dhe privat të refuzoje kërkesat ligjore të prokurorit dhe të mos përballet me forcën e ligjit. A është ky realisht rasti?! Do të ishte mirë që dikush nga organi i prokurorisë t’u përgjigjet këtyre aludimeve, për mirë apo për keq. Se nëse kjo do të ishte e vërtetë, atëherë mund të pranohet se “thundra rilindëse” ka arritur ta thyejë e nënshtrojë këtë institucion të pretenduar të pavarur si dhe shumë të tjerë në piramidën e shtetit. Dhe ky është një lajm i keq për të gjithë shqiptarët, por dhe vetë ata ambasadorë që  janë angazhuar tërësisht, që veç mendojnë e punojnë për reformën në drejtësi.

Gjithashtu, me interes do të ishte që të shiheshin dhe të gjitha procesverbalet e kontrolleve të bashkisë, inspektoratit të punës, tatimeve, inspektoratit të mjedisit e me radhë ndaj kompanisë në fjalë gjatë gjithë kohës, që ajo ka qenë në funksionim. Përndryshe, pse na duhen kaq shumë organe e inspektorate shtetërore që, për rastin në fjalë, ose nuk kanë mundur, ose janë penguar ose dhe janë paguar nën dorë për të mos kryer detyrat e tyre funksionale!...

Shqetësues, deri i pështirosur është dhe menaxhimi i disa mediave për rastin në fjalë. Aq më tepër, përpjekjet për ta bllokuar lajmin, investigimet, emisionet konkrete, madje dhe largimet e shkarkimet e gazetarëve profesionistë e guximtarë. Por, tashmë, as kjo nuk duhet të na habisë se nuk është as rasti i parë që ka ndodhur dhe as ai i fundit. Kjo tregon një se disa media kanë rënë në batakun e servilizmit dhe interesit, duke u udhëhequr jo nga e vërteta dhe profesionalizmi, por vetëm nga dëshira për para e pushtet, deri duke harruar gazetarinë, aftësinë, ndershmërinë profesionale, lajmin e vërtetë, deri duke lënë mënjanë qëndrimin e sjelljen human e qytetar karshi dramës njerëzore, që ndeshet në vendin tonë. Aq sa të duket vetja sikur po përjeton një film vestern, ku autoritete lokale të korruptuara, në bashkëpunim me sipërmarrës, që do të ndërtonin puset e naftës apo shinat e trenit, shkelnin pa të voglin humanizëm mbi burra, gra, fëmijë, kafshë, vetë natyrën, duke lenë mbrapa vetëm kufoma e shkatërrim...

Lind natyrshëm pyetja: pse bashkia dhe kryetari i saj janë përfshirë, deri “turrur”,  në një kontratë të tillë abuzive dhe e stisur, me siguri në nxitim, duke pasur kaq shumë probleme, në veçanti edhe juridike? Pse Veliaj e reklamoi dhe bëri thirrje publike, duke dalë, në një farë mënyrë, dorëzanë para qytetarëve të qytetit të tij që të punësoheshin pranë kësaj sipërmarrje? Pse nuk u dorëzua kontrata prokurorisë, siç u pohua në këtë emision investigativ? Pse nuk iu dorëzua ajo grupit të këshilltarëve bashkiak, që dhe e kërkuan atë, veçanërisht duke parë që, sipas kontratës, ajo pretendohej se mbështetej në vendimet ligjore të po këtij këshilli bashkiak? Cfarë ndodhi me gazetaren profesioniste dhe trimëreshë Alida Tota dhe a do të ketë një prononcim nga zoti Veliaj ndaj dyshimeve, që ajo ngre, ku ai është fajësuar për largimin e saj dhe ndalimin e investigimit gazetaresk? Po për emisionin Publicus? Të shpresojmë për disa nga këto përgjigje!...

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco